Reagimet pas shkarkimit të saj si ministre e Jashtme, Elisa Spiropali, nuk duken si një stuhi e çastit, por më tepër si një krisje që ka ardhur duke u thelluar në heshtje.

Përmes një postimi të gjatë të premten, ajo lë të kuptohet se rrugët me Partinë Socialiste janë ndarë përfundimisht, nëse jo formalisht, të paktën me atë që e quan model të qeverisjes aktuale.

E promovuar deri pak muaj më parë në majat e pushtetit, si ministre dhe një nga figurat kryesore të shtetit, Spiropali tashmë kthen narrativën përmbys, duke drejtuar gishtin e akuzës ndaj modelit që vetë e kishte përfaqësuar.

“Po më këshillojnë të hesht”, nis ajo postimin me 691 fjalë, duke deklaruar se refuzon të mbyllë gojën, ndaj modelit që siç thotë është krijuar në gjirin e shumicës dhe në institucione.

“Disa ministri dhe agjenci shtetërore nuk reagojnë më ndaj ligjit dhe detyrës, por ndaj urdhrit. Nuk i përgjigjen procedurës, por klanit”, shkruan Spiropali.

Pa përmendur emra konkretë, Spiropali flet për një presion të organizuar ndaj saj, duke përshkruar një realitet ku institucionet, sipas saj, janë shndërruar nga shtylla të shtetit në vegla të pushtetit personal.

“Refuzimi i realitetit ku institucione publike me fytyrë personale përdoren si hanxharë për të frikësuar, dhe ku mbajtja e ndikimit nuk kërkon performancë, por kontroll. Ku pjesa e ndershme e administratës detyrohet të zbatojë deri urdhëra të paligjshëm për interesa dhe presione eprorësh të dhunshëm dhe fuqiplotë”, thotë Spiropali.

Deputetja socialiste akuzat më të forta i drejton ndaj parties.

“Një parti e gjallë, po zëvendësohet nga një strukturë fosile ku gjithçka filtrohet përmes emërimeve okulte. ‘Drejtorokracia’ është kthyer në mënyrë funksionimi. Ka zëvendësuar politikën me administrim besnikërie”, vijon postimi.

 Në një ton që lëviz mes politikës dhe reflektimit personal, ajo përdor edhe një referencë letrare, duke cituar Lasgush Poradecin: “Shpirtkatran që më qërtojnë, janë qën’ që s’më kafshojnë.”

Përtej metaforave, mesazhi i saj është i drejtpërdrejtë, modeli aktual, sipas saj, nuk prodhon vetëm padrejtësi, por edhe largim nga politika, nga besimi dhe nga vetë vendi.