Dymbëdhjetë emigrantë kanë humbur jetën pranë ishujve grekë Lesbos dhe Samos, në pjesën verilindore të detit Egje, pasi varkat me të cilat udhëtonin u përmbysën gjatë ndjekjes nga Roja Bregdetare.

Pesë burra dhe një grua humbën jetën pasi një skaf që transportonte emigrantë nga Turqia bëri një manovër të papritur dhe u përmbys rreth katër milje detare në veri të Samosit, njoftoi Roja Bregdetare greke.

Katërmbëdhjetë burra mbijetuan, ndërsa operacioni i kërkim-shpëtimit ishte ende në zhvillim. Autoritetet arrestuan një nga të mbijetuarit, një iranian, nën dyshimin për trafik emigrantësh.

Më herët, katër burra, një grua dhe një foshnjë humbën jetën pasi varka me të cilën udhëtonin u përplas me një anije të Rojës Bregdetare greke dhe u përmbys pranë zonës së Agrilias, në ishullin Lesbos. Tetë të mbijetuar u dërguan në spital.

Autoritetet arrestuan një turk 37-vjeçar, i cili ishte mes tetë të mbijetuarve dhe u identifikua si i dyshuari për trafikimin e emigrantëve dhe drejtuesi i varkës.

Qeveria u zotua për një politikë të “tolerancës zero” ndaj trafikantëve të emigrantëve, të cilët i fajësoi për humbjen e jetëve.

Lidhur me incidentin pranë Lesbos, ministri grek i Transportit Detar, Vasilis Kikilias, tha se provat e deritanishme tregonin se skafi ishte përplasur me pjesën e përparme të tij në anën e majtë të një anijeje të Rojës Bregdetare. Ai shtoi se rrethanat e sakta të ngjarjes janë ende nën hetim.

“Qëndrimi ynë është i panegociueshëm: tolerancë zero ndaj trafikantëve”, shkroi ai në një postim në rrjetin social X.

Deti Egje është një rrugë që përdoret shpesh nga emigrantët që nisen nga Turqia, me shpresën për të arritur në Evropë. Shumë prej tyre humbin jetën gjatë kësaj përpjekjeje.

Në shtator, një person humbi jetën dhe 25 të tjerë rezultojnë të zhdukur pasi një varkë me emigrantë u mbyt pranë ishullit grek të Gavdos, në afërsi të Kretës.