TIRANË- Një situatë e pazakontë, por edhe qesharake është regjistruar në qytetin e Shkodrës. Menaxherja lokalit "Dubai" në hyrje të Shkodrës ka tentuar që t'u mbyll derën policëve, pasi në ato momente po organizohej një dasmë, në kundërshtim me aktin Normativ, si një masë për të parandaluar përhapjen e COVID-19.
Për këtë arsye, është gjobitur me 1 mln lekë, si dhe është vënë në hetim menaxherja 25-vjeçare me inicialet E. N.. Ndaj saj rëndojnë akuzat për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik".
Ndërkohë, dasmat nuk janë ndalur as në qytetin e Korçës dhe Pogradecit, ku janë gjobitur 4 pronarë e adminsitratorë.
"Në Korçë, janë konstatuar konkretisht: Subjekti lokal në lagjen nr. 1, në pronësi të shtetasit R. K; Subjekti restorant përgjatë rrugës nacionale Korçë-Bilisht (km 6) në pronësi të shtetasit R. T; Subjekti restorant në rrugën nacionale Korçë-Bilisht (km 5) në pronësi të shtetasve S. F., dhe F. F;
Në Pogradec, u konstatua subjekti në lagjen nr. 2, në pronësi të shtetasit G. K., të katërta duke zhvilluar ceremoni festive në kundërshtim me Aktin Normativ duke mos respektuar protokollet e sigurisë", njofton policia.
Komente






