Hollivudi ka bërë një botë të tërë të ëndërrojë. Filmat, ku i miri fiton gjithnjë ndaj kë keqit, kanë ndikuar e përmirësuar ëndrrat e shumë brezave kudo. Por më shumë se krijimtaria, akoma më të bukur janë filmat me histori të vërtetë të njerëzve, biografi të amerikanëve, individëve që kanë thyer tabu, paragjykime, ligje raciale dhe kanë mundur të ndryshojnë historinë: gra, njerëz me ngjyrë e aftësi të ndryshme. Endrra amerikane e realizimit të së pamundurës ka bërë breza të tërë me krahë.
Këto ditë ndoqa me një frymë serialin amerikano-kanadez "The Kennedys", historia e familjes Kenedi, një prej familjeve që kanë shënuar kontribut të rëndësishëm në progresin e popullit amerikan. Të drejtat e njeriut (psh. integrimi në elitën e shoqërisë amerikane i personave me ngjyrë) dhe lufta ndaj krimit të organizuar, ishin dy fokusime të Presidentit John Kennedy në fillim të viteve '60 dhe të vëllait të tij Robert Kennedy si kryeprokuror e më pas si kandidat për President. Ide progresiste që i kushtuan jetën, por që mbetën si pasuri e paçmuar e një populli që demokracinë e lirinë e ka sot si vlerën më të lartë.
U ndryshua e u përmirësua një vend gjigand si Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Që atëherë, betejat vazhdojnë pashtershëm edhe sot e kësaj dite për çështje e objektiva të tjera; Për dhunën ndaj grave, për shembull, protestohet ende në evente si më i fundit Golden Globe. Mesa duket kjo qënka jeta, e këto duhet të jenë përpjekjet e një shoqërie që nuk dëshiron të zhytet në të keqen, përkundrazi harmoninë, drejtësinë e lirinë synon.
Po te ne? A po projektohet një minifilm amerikan dhe në shoqërinë tonë? Përmes shkrimeve, deklaratave, protestave, pengesave, stërkëmbshave si reagim, kuptohet se një peshore që anonte në krahun e privilegjeve, po bezdiset. Reforma në drejtësi, një reformë që po kapërcen epoka mentaliteti, por edhe hasire e kohe, po lë pa fjalë shumë. Dikush arrin të thotë deri... "nuk kemi nevojë për shtet". Nuk besoj se mund të arrihet në veprime ekstreme reagimi, por të bezdisurit punën e tyre po e bëjnë: diku me një editorial, diku me një deklaratë politike, diku me një veprim regresiv. Shenjat po duken qartë. E megjithatë, amatorizmi i anëve tona, nuk mund të hedhë poshtë skenaret e Hollivudit. Nëse edhe në Shqipëri po luhet vërtetë një film hollivudian, pak shpresë kanë grupet amatore të klaneve të provincës sonë të vogël në Ballkan: filmi, dihet si do të përfundojë, duan apo nuk duan disa.
"