Mineralet janë një qytet gjigand në trupin tonë. Ato na komandojnë duke dhënë urdhra në trupin tonë. Nutricionisti Altin Joka i ftuar në “Rreze Dielli” në Report TV, shpjegoi rolin e hekurit, magnezit, kalciumit dhe zinkut në organizëm duke bërë edhe një thirrje të fortë.
“Ne kemi braktisur mineralet, hani shëndetshëm dhe mos vraponi në farmaci, nuk zgjidhet mungesa e mineraleve me sistem suplementar. Ato nuk punojnë vetëm, duhen kombinuar me vitaminat për të pasur efektin e duhur”, tha Joka.
Nutricionisti e cilëson hekurin komandantin e oksigjenimit të trurit, pa të nuk jetohet.
“Është molekula që mban oksigjenimin në gjak. Është elementi kryesor i hemoglobinës. Pa të do të kemi depresion, rritje të ankthit, harresës, demencë, do të kalojmë në probleme të vetmisë. Gjithashtu mungesa e tij ul nivelin e inteligjencës tek fëmijët”.
Por si duhet ta kuptoni që keni mungesë hekuri?
Nëse keni lodhje pas gjumit, marramëndje, zbehje të fytyrës, frymëmarrje të shpeshtuara, dhimbje koke, duar të ftohta, këmbë të ftohta, flokë që hollohen, rrahje të shpeshta të zemrës, ju është dobësuar vigjilenca, por ka edhe hiperaktivitet kujdes!
“Hekuri është baza kryesore. Nëse hemoglobina del normale dhe ferritina del e ulët, duhet të bëni testin e zorrëve, shihni nëse keni inflamacion të fshehur në trup, duhet edhe një analizë për gjakun”, rekomandon Joka.
Cilat janë ushqimet që kanë hekur!
Mund të merrni hekur nëse konsumoni mëlçi qingji dhe viçi, peshk si sardele apo merluc, thjerrëza, fasule, qiqra, spinaq, kakao dhe nuk duhet harruar vitamina C pasi ajo maksimalizon përthithjen e hekurit. Kujdes, sepse nëse konsumoni kafe ju bie përthithja e hekurit, edhe çaji i zi apo kamomili e ul përthithjen. Hekuri më i mirë është ai natyral jo në suplemente, por nuk duhet ta teproni me masën, pasi nëse merrni shumë hekur do keni kapsllëk, mund të ndikojë edhe në ADN-në tuaj!
Nutricionisti Joka u ndal dhe në rolin e magnezit në organizëm, duke e cilësuar si komandantin kryesor të sistemit nervor dhe të gjumit.
“Nëse na mungon magnezi, do kemi më shumë stres, sulme paniku më të mëdha, do kemi probleme me gjumin. Magnezi dirigjon ritmin e zemrës tonë. Mjekët ndonjëherë japin ilaçe për zemrën pa ditur si është magnezi”, u shpreh Joka.
Nutricionisti shpjegoi se pa magnez do kemi lodhje, ngërçe, kontraktime, dhimbje koke, probleme të migrenës e shumë të tjera. Magnezi gjithashtu ekuilibron sheqerin. Por kujdes, kafeja dhe sheqeri e dëmtojnë përthithjen e magnezit, edhe alkooli dhe antibiotikët e bllokojnë përthithjen e tij në organizëm.
Cilat janë ushqimet që kanë magnez dhe si matet sasia e tij në organizëm?
Perimet që kanë nivele magnezi të mira janë lakrat, bizelet, banania, fiku i thatë, hurmat arabe, arrat, farat e kungullit, bajamet, çokollata, uji mineral. Magnezi nuk matet me analiza sepse magnezi nuk ndodhet vetëm në gjak, ai gjendet në muskuj, në qeliza, ndaj matja në qeliza është më e saktë.
Sa i takon rolit të zinkut në organizëm Joka thotë se Zinku sepse merr pjesë në 3 mijë proçese në trupin tonë.
“Ai është minerali më i rëndësishëm, asgjë nuk shërohet pa zink, është arkitekti i formimit të ADN-së tonë. Ai është ushtari kryesor kundër tumoreve dhe inflamacioneve, por është edhe një ndër elementët kryesor të lëkurës tonë”.
Ja si duhet ta kuptoni që keni mungesë zinku:
Kur keni të rrënuar zinkun, infeksionet në trupin tonë zhvillohen shumë shpejt. Keni mishra të këqinj të dhëmbëve, keni rënie floku, dhimbje fyti, gëlbaza, çdo lloj plage do shumë ditë të rikuperohet, keni ulje të nuhatjes dhe shijes, testosteron të ulët. Fëmijët kanë probleme me përqëndrimin, femrat kanë probleme me kistet në mitër apo me çrregullimin e ciklit, probleme me gastritin dhe refluks.
Ja çfarë duhet të konsumoni për të plotësuar nevojën për zink:
Farat e kungullit, frutat e detit, mëlçia e viçit, qiqrat, veza e fshatit, kakao, patate -kanë burime të mira të zinkut. Një trupi i duhet 10-12 mg në ditë zink. Zinku punon ngushtë me vitaminën B6, selenin, bakrin dhe vitaminën D5. Zinku ndodhet në tru, muskul, qelizë dhe organe, ndaj shpesh herë analiza na mashton sepse ai nuk është vetëm në gjak. Analiza më e besueshme është e fijes së flokut, analizat e linfocideve dhe të testosteronit.
Në fund Joka u ndal dhe në rolin e kalciumit në organizëm.
“Kalciumi është komandanti i sinjaleve nervore dhe i strukturës tonë kockore. Pa nivelin e tij nuk lëvizim mirë, nuk transmetohet asnjë sinjal nervor. Kalciumi ndodhet në gjak dhe kocka. Ky mineral aktivizon qelizat nervore, bën që të funksionojë mirë zemra. Trupi jonë për të mbrojtur zemrën sakrifikon kockat.
Por si ta kuptoni që keni nivele të ulta të kalciumit në organizëm?
Do keni probleme me dhëmbët, keni kocka të brishta, ankth dhe irritim nervor, por dhe deformime të kockave. Edhe pse analizat mund të dalin normale, trupi po e vjedh nga kockat, sidomos tek gratë që janë në menopauzë.
“1 mijë deri në 1500 mg kalcium duhet në ditë. Plotësoheni me ushqim, konsumoni peshk sidomos sardelet, susamin, bajamet, brokolin, lakrën dhe kosin”.
Kalciumi jonik është pjesa më aktive e kalciumit, ndaj është edhe analiza më e mirë për kalciumin. Por duhen bërë dhe analizat e vitaminës D, magnezi RBC, kreatininës, gjithashtu edhe densiteti i kockave, rekomandon Joka.
Komente












