TIRANE-Emisioni "Pa Gjurmë’’ në Report TV, solli këtë të enjte historinë e një 41-vjeçareje nga Fieri, e cila u zhduk pasi emigroi në Itali që në vitin 1994, bashkë me të dashurin e saj nga i njëjti qytet. Gjatë rrëfimit në emisionin "Pa gjurmë’’ të nënës, një tjetër rrjedhë mori biseda në studio, kur gjatë transmetimit live mbërriti një informacion i rëndësishëm që ndezi një dritë jeshile për fieraken e humbur 12 vite më parë, Marsela Çako. Një zonjë, emigrante në Itali tregoi se 41-vjeçarja jeton në Milano të Italisë dhe se është e martuar me një shtetas italian.
Zonja pretendon se njeh nga afër vajzën me emrin Marsela, e njëjta që kërkohet në emisionin ’’Pa gjurmë’’, pasi e ka takuar disa herë dhe e di mirë jetën e saj. Sipas të njëjtës dëshmi Marsela është trafikuar në Itali për shumë vite, ndërsa u strehua në një qendër tek motrat "Nënë Tereza’’, ku pas rehabilitimit ka nisur një jetë të re. Madje kjo dëshmi sjell edhe të dhëna të tjera, kur kjo emigrante jep detaje të shenjave dalluese të 41-vjeçares, një shenjë në këmbën e majtë, të çarë me thikë pasi është plagosur pas vitit 1996, në rrethana ende të paqarta.
Në studion e emisionit Pa Gjurmë nëna e Marsela Çakos, Liljana Çako Ajo ngre dyshimet se vajza e saj është kthyer në Shqipëri edhe pas momentin kur kanë ndërprerë kontaktet me familjen.
"Ne jemi shumë të lodhur së kërkuari. U nis në shkurt të vitit 1994 dhe iku. Një vit nuk dinim ku ishte, pas një viti erdhi dhe ndenji një javë dhe donim ta mbanim por iku dhe më kë ndenji, nuk na tregoi, vetëm thoshte jam mirë dhe dua të iki. Nuk na tregoi asgjë tjetër. Në vitin 1996 erdhi përsëri bashkë me atë që ishte lidhur me një djalë. Bëri dhe celebrim. Ndoshta është larguar me këtë djalë nga Fieri që herën e parë. Ai tha do ta marr. Ndenjën 4 vite bashkë, pastaj u ndanë. Nuk na tregoi që u ndamë. Hoqi dorë ai nga vajza. E mësuam kur mori në telefon. I tha tim shoqi që u shkëputa nga ai. Por kishte bërë celebrim, nuk erdhi për të bërë divorc. Erdhi ai vetë bëri divorcin. Në Shqipëri erdhi dy herë, në 1995 dhe në shtator të vitit 1996. Jetonte në Gjenova të Italisë. Thoshte që i shërbej një të moshuari, një herë që punoj si shitëse bukësh. Shumë pak ka folur me ne. Çdo dy vite ka ndërruar punë. Jetoi me fierakun gati tre vite. Më parë këtij viti nuk telefononte thuajse fare, justifikohej që nuk kam telefon.
Vetëm se na thoshte gjithmonë jam mirë. Mendimi ynë është se është marrë për qëllime të tjera. Ishte 16 vjeç kur është larguar nga Shqipëria, me djalin që kishte 20 vite diferencë, afro 40 vjeç. Nga 1996 deri 2007 nuk flisnim në telefon, në vitin 2007 na tha më nxirrni pasaportën. Na dërgoi garancinë dhe ne mezi morëm certifikatë, pasi ajo ishte e ndarë nga trungu familjar. Ne e nxorëm pasaportën me vështirësi. I fejuari pasi u nda nga vajza, kishte dhe gjëra të tjera, ishte një rrjet i gjerë merrej me lloj lloj gjërash. Ai ka trafikuar vajza. Erdhi fundi dikush i mori hakun dhe u vra. Dhe kur e kanë vrarë atë natë, në Fier, ne e dëgjuam në televizor. Mendova shyqyr që morën hak të tjerët. E vranë në mes të sheshit. Nuk pranoj ta bëj publike emrin e tij. Ka qenë në vitin 1996-98 kur janë ndarë. Nuk e mbaj mend mirë. Nuk na tregoi asgjë më shumë vajza. Ne nuk kemi bërë denoncim në Itali, vetëm në Shqipëri. Djali u përpoq shumë për motrën e tij, por nuk mësoi asgjë. Nuk na tregoi kurrë një adresë të saktë. Me faks na dërgoi garancinë. Adresën nuk e mbaj mend. Jam shumë e lodhur. Nuk kemi asnjë detaj tjetër. Nuk na mori më në telefon. Merrte pa numër. Në vitin 2007 mori për herë të fundit. Jam mirë thoshte gjithnjë. Kemi mësuar se është tërhequr një certifikatë personale e saj. Ne nuk e dimë nëse ajo ka ardhur apo jo. Në vitin 2013 është tërhequr. Kur shkuam në gjendje civile, atje e morëm vesh. Punonjësja e gjendjes civile na tha se ka ardhur vetë e ka marrë vajza. Por ne nuk e besuam. Nga 96 që iku deri në 2007 ne nuk folëm me atë. Më thonë se vjen në Shqipëri dhe ka tërhequr edhe një certifikatë në vitin 2013. Po të më dëgjojë t'i vijë keq për babanë, për nënën, për ata tre jetimë që kanë lënë pas vëllai i saj. Të bëhet gjallë vetëm për ata tre jetimë se kanë nevojë për ndihmë. Nusja është 41-vjeçe. Sa të jemi ne do e ndihmojmë me pensionin tonë", tregon nëna e saj.
Marsela u largua me djalin që dashuronte në moshën 16-vjecare drejt Italisë në vitin 1994 dhe 2 vite më pas u kthye në Shqipëri për të bërë celebrimin. Në pak kohë ajo niset sërish përtej detit ndërsa të rralla ishin komunikimet në telefon me familjen. Ajo u pohonte gjithnjë familjarëve se ishte mirë, por kurrë nuk u tregonte se pse nuk donte të kthehej në Shqipëri dhe se do të ndahej nga djali me të cilin kishte bërë celebrimin në Shqipëri. Telefonata e fundit nga Marsela u bë në vitin 2007 kur i komunikoi nënës se ndodhej në Genova të Italisë, por i duhej të rinovonte pasaportën duke i dërguar një prokurë.
Pasaporta u rinovua dhe familja e nis në adresën që ajo kishte dërguar, por që nga kjo telefonatë nuk u mësua më kurrë për fatin e Marselës, por as, nëse edhe pasaporta mbërriti në duart e saj. Familja nuk mori më asnjë informacion pasi as i fejuari i saj nuk u kthye në Shqipëri. Kohë më pas familja e Marselës mëson se ai ishte vrarë për shkak të pazareve të drogës. Frika e familjarëve është se zhdukja e vajzës së tyre ka të bëjë me fatin që pati ish-i fejuari i saj. Marsela kishte dhe një motër, vëlla gjithashtu, ky i fundit e kërkoi gjithë jetës derisa ndërroi jetë në vitin 2018, duke lënë pas nusen dhe tre fëmijë. Një tjetër tragjedi në familjen Çako pas zhdukjes së Marselës. Vëllai nuk arriti ta gjejë motrën ndërsa mbylli sytë pa mësuar për fatin e saj. Nëna Liljana dhe babai Llazer Çako jetojnë me nusen dhe tre nipërit, pasi vajza e vetme e mbetur në familje ndodhet në Gjermani.