Një 39-vjeçar është arrestuar në aksin rrugor ‘Fier-Tepelenë’, teksa po transportonte drejt kufirit emigrantë të paligjshëm kundrejt pagesës.

39-vjeçari me iniciale G. B., akuzohet për veprën penale "Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve" teksa u kap në flagrancë me 4 emigrantë në automjet.

“Fier / Finalizohet operacioni policor i koduar "Tranziti", për evidentimin dhe goditjen e dhënies ndihmë emigrantëve, kundrejt fitimit, për kalim të paligjshëm të kufirit.

U kap në flagrancë, duke transportuar emigrantë, për kalim të paligjshëm të kufirit, vihet në pranga 39-vjeçari.

Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Fier, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme "Shqiponja", në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt fitimit, për kalim të paligjshëm të kufirit, kanë finalizuar operacionin policor të koduar "Tranziti", si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi:

-G. B., 39 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale "Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve", pasi u kap nga shërbimet e Policisë Rrugore Fier, në aksin rrugor “Fier-Tepelenë”, duke transportuar kundrejt fitimit, me automjet, 4 emigrantë, për kalim të paligjshëm të kufirit.       

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.