Podujeva, një sinjal për të ndryshuar humbësit

Podujeva, një sinjal për të ndryshuar humbësit

Fitorja e “Vetëvendosjes” në Podujevë, i ka hedhur benzinë krizës së fjetur politike në Kosovë, e cila po mëdyshet nëse duhet të zgjidhet përmes zgjedhjeve të parakohshme, apo përmes një riformatimi afatgjatë të koalicionit.

Edhe pse zgjedhjet e Podujevës, një bastion i LDK, po paraqiten si revansh i “Vetëvendosjes”, ato në fakt tregojnë më shumë mungesën e reformave të forta në LDK.

Kandidati i Vetëvendosjes është një ish- produkt i LDK. Pra më shumë se sa një revansh të “Vetëvendosjes”, kemi një problem me mungesën e reformimit të partive tradicionale, të cilat duhet të prodhojnë një energji të re politike. “Vetëvendosja” është një parti populiste, që prodhon ngjarje politike vetëm kur fiton, jo kur qeveris. Qeverisja e shkurtër e tyre prodhoi më shumë probleme për Kosovën, se sa zgjidhje, ndërsa komunat ku qeveris “Vetëvendosja” janë dhe më problematike se ato ku qeverisin partitë e vjetra.

Fjala vjen nuk e gjej dot se ku shkëlqen Prizreni, meqë qeveriset nga “Vetëvendosja”, përveç shkëlqimit të këtyre dy statujave të fundit. Po kështu dhe komunat e tjera ku ajo qeveris. Nëse e vëreni, “Vetëvendosja” nuk flet më për ato, por sillet sikur është parti e paprovuar.

Në fakt, është duke u provuar në gati gjysmën e Kosovës dhe ti po të mos e dish që është “Vetëvendosja” ajo që qeveris, nuk e kupton dot se ku ndryshon nga të tjerët. Edhe Prishtinën që e kanë fituar dy herë, u distancuan sapo e fituan herën e dytë, pikërisht se nuk dëshirojnë t’i identifikojnë si gjithë të tjerët.

Prandaj nuk kanë shumë rëndësi tumpanët e fitores së “Vetëvendosjes”, pasi ajo është një parti populiste që flet vetëm ditën e fitores dhe pastaj bën sikur qeverisin të tjerët.

E rëndësishme është që LDK dhe PDK, duhet të kuptojnë nevojën për reformim, si dy parti të mëdha me përgjegjësi për Kosovën.

Nëse nuk e bëjnë atë, shpejt dhe në liri të plotë të zgjedhjeve brenda tyre, atëhere do të kenë rrjedhje elektorati  dhe do të humbasin gjithnjë e më shumë terren.

Dhe nuk ka gjë më të shëndetshme se sa të përdorësh ndëshkimin popullor për të reflektuar.

Së pari, duhet të ndryshojë mendësia e garës brenda partisë, pasi po nuk bëre garë brenda partisë, nuk bën dot garë në gjithë Kosovën. Dhe po nuk krijon dot besim në gjithë partinë, ai që zgjidhet kryetar, nuk krijon dot besim në gjithë Kosovën.

Përndryshe do t’u ndodhë si Partisë Demokratike në Shqipëri, ku garën e diktoi Sali Berisha duke vendosur një kukull të familjes së vet dhe tani ka 8 vjet që sillet rrugëve duke prodhuar nja 4 parti të reja, për të shpëtuar karriken e Lulit.

LDK dhe PDK kanë pasur debate dhe ndarje të mëdha këto 20 vite, kanë pasur udhëheqje autoritare dhe ndarje klanore, por gara ka funksionuar. Ato dhe me aq probleme sa kanë, janë vite drite larg, sa i përket demokracisë së brendshme dhe debateve, krahasuar me stalinizmin e “Vetëvendosjes”.

Do të mjaftonte gjyqi i fundit ndaj “tradhtarëve” në “Vetëvendosje”, që të të dilte para gjyqi i Kadri Hazbiut në Tiranë.

Ndaj partitë e vjetra nuk duhet të humbasin atë që kanë pikën më të fortë në raport me “Vetëvendosjen”, ndryshimin.

Kjo do ta bëjë Kosovën të ketë alternativë dhe jo revanash populist nga ata që heqin xhaketat e PDK e LDK dhe veshin kostumin e “Vetëvendosjes” për t’u dukur të rinj.

“Vetëvendosja” është një gjellë që të sjell shpejt zorrët tek fyti, me atë mentalitet antidemokratik që ka, me idolatrin e një lideri që imiton Mao Ce Dunin, dhe mungesën e çdo gare brenda partisë.

LDK dhe PDK janë ndarë gjatë 20 viteve pas debatesh të mëdha në disa fraksione, ndërsa në “Vetëvendosje” u ndanë sa fituan Prishtinën. Ajo ishte indikatori i mungesës së demokracisë dhe garave brenda partisë, i cili është një virus vdekjeprurës.

“Vetëvendosja” ka lindur e sëmurë në këtë pikë. Ndaj mos dëgjoni tumpanat e fitores së saj, por kambanat e nevojës për ndryshim brenda vetes. “Vetëvendosja” di të vetëvritet më mirë se kushdo.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë