Poeti kombëtar Naim Frashëri 
do të përkujtohet në Teheran

Poeti kombëtar Naim Frashëri <br />do të përkujtohet në Teheran<br>
Një konferencë ndërkombëtare do te mbahet në nderim të Naim Frashërit në Teheran. Kështu deklaroi sot drejtori i fondacionit kulturor “Saadi Shirazi” në Tiranë , prof. dr. Seyed Ahmad Hosseini Alast, gjatë një konference kushtuar jubileut të revistës “Perla Akademinë e Shkencave, Tiranë.

Konfreneca do të drejtohet nga prof. Floresha Dado, kryetare e Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike në Akademinë e Shkencave; prof. dr. Seyed Ahmad Hosseini Alast, drejtor i fondacionit kulturor “Saadi Shirazi”, prof. dr. Emil Lafe, kryeredaktor i revistës shkencore-kulturore “Perla”.

Rreth 20 vjet më parë, me nismën dhe mbështetjen e fondacionit “Saadi Shirazi” doli në qarkullim revista shkencore kulturore “Perla”. Kjo revistë pasqyron edhe kulturën dhe qytetërimin perso-iranian që është një prej burimeve kryesore të mendimit, letërsisë, filozofisë dhe mistikës në shkallë botërore. Kjo revistë e mirënjohur në mbarë rajonin feston suksesin që ka arritur ndër vite, duke lënë pas shumë sfida dhe pengesa politiko-sociale me të cilat përballen kryesisht industria e botimeve. Sipas prof. dr. Emil Lafe, “Perla” është një revistë e kërkuar në rrethet shkencore shqiptare dhe në qendrat albanologjike në botë. Ajo i ka dhënë rëndësi të dorës së parë pohimit dhe njohjes së traditës sonë në fushën e orientalistikës. Në një varg artikujsh është paraqitur dhe vlerësuar e komentuar puna e dijetarëve si Sami Frashëri, Hafëz Ali Korça, Vexhi Demiraj, Haxhi Hafiz Ismet Dibra, Fan S. Noli, Osman Myderrizi, Tahir Dizdari, Hasan Kaleshi, Vexhi Buharaja, Bardhyl Pogoni, të cilët me veprimtarinë e tyre të pasur si orientalistë, filologë, teologë, historianë, përkthyes, kanë bërë shumë edhe për njohjen e kulturës, të gjuhës dhe letërsisë iraniane ndër shqiptarët. Me veprimtarinë e tyre ata kanë hedhur themelet e orientalistikës shqiptare.”

Prof. Shaban Sinanit, i cili ka drejtuar revistën për disa vjet rresht, tha se “Një prej meritave më të përveçme të revistës “Perla”, është pikërisht rikthimi i nderimit intelektual atyre personaliteteve të botës shqiptare që kishin ndërtuar urat e njohjes së lidhjeve kulturore shqiptaro-perse dhe ishin privuar prej vlerësimit të merituar: përveç Fan S. Nolit, që as çmohej, as nënçmohej, ishin Hafiz Ali Korça, Vexhi Buhara e Tahir Dizdari, për të përmendur vetëm disa prej emrave më të shquar”

Drejtori i fondacionit kulturor “Saadi Shirazi”, prof. dr. Seyed Ahmad Hosseini Alast, duke marrë fjalën në konferencë tha se “duke qenë se Shqipëria nuk ka as ambasadë dhe as përfaqësi kulturore në Iran, kam përgjegjësi të dyfishtë. E para, promovimi i kulturës iraniane në Shqipëri dhe, e dyta, promovimi i kulturës shqiptare në Iran. Me qëllim që populli iranian të njihet me tepër me historinë dhe kulturën shqiptare kemi në program që, në bashkëpunim me qendrat kulturore dhe universitetet iraniane, të organizojmë në Teheran konferencën ndërkombëtare në nderim të Naim Frashërit, sepse ky poet i madh kombëtar shqiptar, 150 vite më parë, ka shkruar në gjuhën perse vëllimin e parë poetik “Tehajjulat” ( Ëndërrime-t). Është e domosdoshme që të prezantohet për publikun iranian ky hero letrar shqiptar”

Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com

 

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Shkëlzeni po na tregon, kush nuk ka qenë në takim

Mero Baze: Shkëlzeni po na tregon, kush nuk ka qenë në takim