VJERSHAT E PABOTUARA TË ASDRENIT
Me afrimin e 100-vjetorit të lindjes së Asdrenit (Aleks Stavre Drenova) më 11 prill 1972, po botojmë për të parën herë një tufë poezish të pabotuara deri tani as nëpër veprat e tij poetike “Rreze dielli” (1904), “Ëndrra e lot” (1912) e “Psallme murgu” (1930), as nëpër organet e shtypit shqiptar të kohës së tij, as edhe në dy antologjitë e Asdrenit botuar tek ne pas çlirimit.
Këto poezi u zgjodhën nga arkivi midis poezive të përgatitura nga poeti për botim që më 1939 në një vëllim të veçantë, që do të ishte vepra e tij e katërt dhe e fundit, titulluar “Kambana e Krujës”, të cilin ai nuk e botoi dot me gjallje.
Që në periudhën e pushtimit fashist Asdreni kishte gati për botim te “Kambana e Krujës” 56 vjershat e renditura në këtë listë të shkruar me dorën e vet: Hymni mbretëror (për Vidin), Flamurit arbëror, Bohem, Ora e Rilindjes, Republika shqiptare, Trashëgimi, Më kot shqiptarë, Fisnikët e Shqipërisë, Pellazgët, Lot robërie, Diplomati shtatanik, Vojsava I, Vojsava dhe Gjergji II, Vojsava III, Vëllezëria Frashëri, Efthimi Marinka, Këngë mbi Musta Qafëzezin, Marshi i Drenovës, Varri i harruar, Butrinti, Martohet Mbreti, Verimi në Dardhë, Kambana e Krujës, Dituria, Lufta, Grushti, Interesi, Jeta, Qytetërimi, Lufta e Botës, Vargje fjalësh, Jeta s’është e kotme, Lulja ngushëllimi, Njeriu mbikrijesë, Drithma dashurie, Kënga e të riut njëzetvjetsh, Kënga e mezatarit gjashtëdhjetvjetsh, Kënga e plakut njëqindvjetsh, Turtullesha e malit, Ballada e detarit, Thaisa, Ballada e të varurve, Ëndrra pijaniku, Martha, Gjinkalla dhe shnegulla, Nunosje vetëmërzituri, Instituti Kirjas, Një vit i ri, Gjaku i stërgjyshërve, Kështjella e Petrelës, Trazime shpirtërore, Kryekisha e Drenovës, Koha e re.
Rreth 22 nga këto vjersha janë botuar nëpër organet e shtypit shqiptar të kohës jo vetëm pas vëllimit të tij të tretë “Psallme murgu”, por edhe para tij. Asdreni shkroi vazhdimisht mjaft vjersha të tjera si: Epigrame, Cilët jemi, Tingëllime, Të puthurat e një nëne, Pamje katundare, Zemër nëne, Mëngjez, Mësimtarëve, Rroftë Shqipëria, Ku është më mirë, Bujku, Hymn ndaj Zotit, Gratë e ra, Gjumë të letë, Marshi i grupit punëtor, Ujku dhe qingji, Asfreni u plak, Në një fshat të Shqipërisë, Një shqiponjë, Luftrat s’kanë fund, Feja dhe Përparimi, Mësimi dhe arti, Paqes, Dallëndyshe, Të bardha dhe të zeza, Atje mbi bar të pres, Krujës, Blegtoresha dhe bariu, Shpërblimi, Tingëllimë, Zëri i lirisë, Gëzim pranveror, Për atdhe, Varri i Petrelës, Lutja e vajzës së vogël (adaptim), Ëndërra pijaniku, Shkodra, Mbretëri e Satanit, Dora d’Istrias, Turtullesha e malit, Flamurit tonë, Lulja e këputur, Dëshmorëve, Lufta, Ballada e të varurve, Marshi i grupit punëtor, e të tjera që gjenden në arkivin e tij.
Asdreni, si një nga poetët tanë, që u shqua veçanërisht në çerekun e parë të këtij shekulli, pati një popullaritet të madh dhe zuri një vend të rëndësishëm në historinë e letërsisë shqipe jo vetëm për gjerësinë, por edhe për meritat e krijimtarisë së tij poetike me larmi dhe veti të shquara artistike, të lidhur ngushtë me problemet e mëdha të jetës sonë kombëtare e shoqërore. Por poezia e tij pati një rënie të gjithanshme në periudhën e fundit, jo vetëm për ndikimin e thellë nga letërsia dekadente dhe për zhgënjimin që pësoi nga jeta politike si patriot e demokrat gjatë regjimit feudo-borgjez, por edhe për humbjen e vetë mundësive krijuese në atë moshë të kaluar.
Prandaj krijimtaria e tij e fundit, mbetur dorëshkrim, megjithëse është shumë më e gjerë se kjo tufë poezish që kemi zgjedhur për botim dhe aty-këtu mund të gjenden poezi me interes të veçantë, jo vetëm që shpesh përshkohet nga fryma mistike, pesimiste dhe çorientimi ideopolitik, por nuk ka as merita të vërteta artistike. Është zakonisht një vargëzim prozaik ose i mbushur me fraza emfatike të konsumuara edhe nga vetë autori, një përsëritje e vetvetes, ose një vjershë e papunuar, e shkruar me ngut për të regjistruar shpejt e pa kujdes ndjenjat e mendimet e çastit, që e shqetësonin poetin në atë periudhë kritike ngjarjesh të mëdha politike e sociale, kur ai e kishte humbur krejt perspektivën në rrethanat ku jetonte. Nga ky material arkival mund të bëhet një zgjidhje më e gjerë për një botim shkencor me qëllim studimi.
Midis këtyre poezive, veç atyre patriotike, erotike, atyre që shprehin qëndrimin e poetit kundrejt Luftës së Parë Botërore, ose zbulojnë shqetësimet e tij, janë edhe dy poezitë e tij të fundit “Një diell i ri” dhe “Kushtrimi i djalërisë”, ku pas një periudhe të gjatë paqartësie, poeti zbulon të vërtetën e Shqipërisë së pasçlirimit dhe shprehet plot entuziazëm për triumfin e regjimit të vegjëlisë, për të cilin kish luftuar tërë jetën si poet e si patriot demokrat.
Dhimitër Fullani
ASDREN
Një diell i ri
Sot mori fund çdo gjurmë tiranie,
Një diell i ri po ndrit plot me shkëlqim,
Për kombin lind një kohë lumturie
Dhe për bishat e egra një shkatrim.
Ndër malet tona, shkaba ku ka çerdhen,
Filiza rriten sot me gjak të ri,
Me vrull e zjarr në gji, rrebesh që derdhen,
Të dalin fitimtarë për liri.
Tiranët pa të drejtë që na shtypnin
T’iu jemi robër veç për pasuri,
Të vritemi për ta veç gjak na lypnin
Për me na mbajtur peng në skllavëri.
Mjaft, se s’na mbet durim, o të mallkuar,
Me rrojtje t’ashpër, rrojtje si në ferr,
Sot ne ju mbajmë fytit kaq shtërnguar,
Dhe ne të shohim jetë pa një vrer.
Larg nesh ju egërsira fushe e mali,
Që thithni gjak papra nga çdo shtegtar,
Se jetën, Perëndia që na e fali,
E keni veç për vatrën shenjt altar.
Tetor, 1945
Kushtrimi i djalërisë (pjesërisht)
Si lum ti, moj djalëri,
Me plot hov e zjarr të ri,
Si lum ti, moj Arbëri,
Që rrit bij me shpirt të ri.
Burra, trima si qëmoti,
Falnë gjakun, shpirt e jetë
Sipas fjalës që dha Zoti!
Shqipëria rron për jetë.
Si tufan u sul rinia
Nëpër male, shi dhe dborë
Si furtun’ e si stuhia
Jashtë armikun që ta çporrë.
Katundari dorëthatë,
Që s’gëzonte gjë nga jeta,
Më s’është robi jetëngratë,
Mbledh për vete, rend si bleta.
Porsi ujku, punëtori
Po sheh dit’ e çast të bardhë,
se me rendin sot që mori
Jetë e re filloi të zbardhë.
Lum si ti, moj djalëri,
Me plot hov e zjarr në gji,
Si lum ti, moj Arbëri,
Që rrit djem me shpirt të ri.
Tingëllime
Një grimë dukej sa një mot i tërë
Ndë plepat, afër kopshtit kur të prita.
Sa shkonin rrugës!? Unë u habita,
Po ty s’të pashë, s’dinja ç’ishe bërë.
Dëshmime dashurie sa të dhashë,
Me lot si një foshnjë ty t’u luta.
Si zonjë kur me duartë të buta
Më mbanje, unë krahut ty s’të lashë.
Si perëndeshë, t’adhuronj! Mëshirë
Ki, vashë, plagën mua ti shëroma.
Afrohu, je e butë, zemërmirë;
Fisnike je, largoje madhështinë
Dhe buzëqeshjen t’ëmbël, ah, dërgoma,
Me një të puthur falma lumturinë.
Dallëndyshe
Dallëndyshe bukuroshe
Shpesë e dashur, vogëloshe.
E palodhur udhëtare,
Që mërgimit s’trembesh fare,
Eja, zogë, prap ndaj neve.
Dallëndyshe mërgimtare
Eja prapë në dritare,
Ndënë strehë bëj folenë,
Zogjt e vegjël ku të flenë,
Diell na sjell edhe pranverë
Siç na solle tjatër herë,
Të shkëlqejë bukuria,
Të ringjallet bukuria,
Të ringjallet njerëzia,
Gjth me lule nëpër fushat,
Vajzave t’u zbardhen gushat...
Hijeshi dhe zbukurime,
Gjith’ me këngë dhe gëzime,
Këngë malli, dashurie
Veç të rinjve q’u ka hije.
Dhe për trimat shtatselvije,
Që të presin si ngaherë,
Që t’u çfaqesh prap’ te dera
Me një lule symëshqerrë
Dhe t’i thuash: djal’ o merre!
Dallëndyshe vrapimtare
Hapi flatrat lodhëtare,
Me plot endje pranverore
Ndër livadhe lulëzore,
Ku shkëlqejnë mijra ngjyra,
Të na çelet prap’ fytyra,
Të na ndizet rishtas malli,
Të rrudhoset pakë balli,
Të dëgjojmë ligjërata
Sa mban dita, sa mban nata.
Përrallë e vjetër
Kish mbetur në vetmi edhe harrim
Dhe bota rreth i dukej si e shkretë
Përhera vetë pyetej ç’do jetë
Kjo rrojtja pa kurrfarë një kuptim?
Përnjëherë e gëzoi një lumtëri,
Për të një ngjarje krejt e pashpresuar,
Ish paras që po ndjente dashuri[1]
Dhe paras ish kur qe i dashuruar.
Ashtu siç gjykoi ai me mend
Se më të rëndin t’jetës tij problem
E pati zgjidhur, po, me një poem,
Aq sa prej gazit më nuk gjente vend.
T’i mbushet ëndrra dot që s’e pat lidhur,
Siç as aherë as kurrë nuk u mund[2],
Problemi mbet siç ish gjith’ i pazgjidhur,
Por poemi, patjetër mori fund.
Varri i Leshit
Atje në Lesh një varr është i harruar
Që në kujtim ka mbetur si përrallë,
Se ka pas qen’ dikur një trim i gjallë,
Kujt eshtrat qenë çdukur pa mbuluar.
Si varri q’ësht’ i zbrazur, i shkretuar,
Sa gjurmë nuk i mbeti trimit vallë,
Veçse ndër t’huaj një e ndryshkur pallë,
Pa shpresë për qëllimin q’ish gatuar.
Por, si u çduk ay, dhe trimëria,
Ashtu u çduk prej nesh përgjithmonë,
Se sot s’ka, jo, më trim si atë Shqipëria.
Si s’qenë të zot eshtrat t’ja nderojnë;
Veç grindje dhe përçarje në mes tonë!
Sot mëkatet le t’i lajm’ se i meritojmë.
1938
Lufta botës
Pa pik’ mëshire derdhet gjak ushtari,
Lumenj e fusha me të kuqe ngjyhen,
Kurorë e shqeptra bashkë me fronet ari
Me dorë vetë mbretërit i lyen.
Përmbysen tempuj e shtatore thyhen
Rrënime në çdo rrugë flagë zjarri,
Si gojë ferri hapet gojë varri
Tek hyjnë ata si bishat kot q’u shqyen!
Se ç’gjënë e prishje botës që i vu tmerrin:
Të vejat zi po mbajnë pa pushuar
Për famën s’di të kujt fitimn’ e nderin!
... Por fama ësht për sa që s’kanë vuar
Dhe nderi po s’kuptoj kujt i ka hije;
Kur plumbi korr e korr pa fund urije!
1914-1918
Jeta
Si prej druvarit pylli poshtë kur bie,
Apo me kazmën dërmën i ve shtëpisë,
Ashtu dhe sot çdo zot i një mbretërie
Ka zënë rrugën krejt të marrëzisë.
Me këmbë shkelen ligje shoqërie
Sikur ka rënë urgjia e Perëndisë,
Ndër ta më s’mbet as pikë dashurie,
Që ngrihen mbi kurriz të njerëzisë.
Gjakderdhësit më dysh sot janë ndarë,
Dje putheshin si miq të vërtetë,
Sot u përleshën krejt mu si barbarë.
Që tejmatanë bota mbet e shkretë,
Ata mbi frona po tallen si të marrë,
Kur jashtë po shkrihet kot një e bukur jetë.
1914
Dituria
Ku jini ju, o mjeshtrit e dëgjuar,
Shkëlqim me veprat botës ju që i dhatë,
Ju filozofër mëndjes gjë që s’latë,
Ku janë ato që i shkuat nëpër duar?
Politikanë e diplomat’ të shquar
Si mendjemprehtë kokë e tru që vratë,
Këshilla që pë pndanit ditëe natë
Dhe predikonit paqen pa pushuar?
Qysh, fjal’ apo me bisht gënjeshtra ishin
Me dorën tuaj gjithë ato që shkruat,
A lodra qenë që ta prishin?
O mjer ata që mendjes suaj merren,
Ju veprat në varreza sot i ndrruat;
Se mbi vëllimet njerëzit po theren!...
1916
Qytetërimi
Sot qytetërimi ësht’ një fjalë e thatë
U duk me punë e ngjarje që pohohen,
Se zjarri që i ra botës gjërë e gjatë
Si faqe libri janë që s’mohohen!
Ç’do ditë ësht sot porsi nj’ e tmerrtë natë
Me sy po sheh kaq vepra si dërmohen,
Ato që vet’ krijon njeriu i ngratë
Po në një grimë posht’ prej tij rrëzohen!
Mësimi i zbut vetijat sa për faqe,
Se egërsimi mbet në trup krejt brënda,
Kur sheh papra qysh derdhen vala gjaqet!
Ja fryti i qytetërimit gjer më pikë
Njeriu në shtazë ndrrohet kur i kënda:
Si penda që ju ndrrua sot në thikë!
1917
Trazime shpirtërore
(Njëj mikut të pangushëlluar)
Si ndrrohet pylli rrobe dhe stolije,
Kur vjeshta ngjyrëverdhë e përflak
Dhe bryma dërmën flatrave u shtie
I le pa fare fletë dhe pa gjak,
Dhe trupi em, i brejtur prej kujtimesh,
Si brehet vjetesh kurmi i lisit plak,
Rri strukur si një i rrahur frushkullimesh,
Si shpend i rrejtur, kapur keq në lak.
Kur grushti i fortë e prek me vrap furtune,
Tërhiqet zvarrë barkas si shterpi,
Pa përdëllim sheh mjegulla dhe tyme,
Kuçedër gojëgjerë që përpi.
Çdo ndjenjë e ime dridhet si gjeth ahu
Me vrull, kur sqota çthuret e pafre,
Kërkoj fuqi t’i pshtetem kujt pas krahu,
Të mund të marr prap’ frymë krejt të re.
Në shpirtin tem shpërthejnë papandehur
Furtuna dhe shtërngata plot furi,
Si do lëkundje trupi krejt të nxehur
Ofshame që s’e lanë me u përtri.
Më prekin thellë ushtimat mizorie
Posi një ushtimë pylli që kumbon,
Kur çdo sulmim sëpata vjen e bie
Njashtu në trupin tim çdo send ushton.
I lumtur kush aspak s’i ndjen goditjet
E fatit që të ndjek kur bën çdo çap,
As s’i tmerohet shpirti nga tronditjet
E çdo të keqe, thonjsh kur vjen të kap.
Një ças rrënime bën shpesh teje,
Çdo mis i trupit plagë mbushet plot,
Sikundër krisma e rreptë e një rrufeje
Dërmon e djeg atje ku s’vete kot.
M’u tretën ëndrrat, ngjethjet djalërie,
Sot pika lotësh derdh me ngashërim,
Kujtimet çdo së shkuarës gazmore
Më mbushin në çdo çast me mallëngjim.
Çdo shpresë e bukur shkundet fije, fije,
Si shkunden lotet, era kur fillon,
Që larg një frymë e rëndë, frymë zije
Me çap të shpejtë vjen dhe më pushton.
Përse tëhuhen kaq e kaq dëshira,
I trashë hi të zerë vend mbi prush,
Të shkosh padashur ditë të vështira,
Mos gjesh aspak mëshirë nga kurrkush?
Dikur në palcë ndjenja dridhmat gazi,
Nga dejt e mi vërshonte jetë e re,
Por fati kur dhuratat gjijsh m’i zbrazi,
Çdo ditë e bardhë zu m’u mbush me re.
Gëzonja ditën, diellin, natën, yjet,
Natyra krente pamje plot shkëlqim,
Ndër valle lulesh këngë drithnin pyjet,
Një shpirt i lumtur, gaz edhe dëfrim.
Kur çilte ngjyrat rishtazi lilaku,
Si nuse kur stolisej çdo qershi,
Në trup më shigjetonin rryma gjaku,
Mbi bar kur lulet rrithnin posi shi.
Më nge violisë kur i binte zogu,
Më mbushej zemra mall e dashuri,
Më dehte trëndafili, borziloku.
Kallinjt’ e verdhur, larë me flori.
Mbi fushat hëna derdhte rreze ergjëndi,
Liqeni dridhej fshehtas në kallam,
Shijonja bukurirat e çdo këndi
Me një etje sa nuk dinja se ku jam.
Ngadalë ma mbylli derën lumturia
Me të pashoq guxim dhe vendimtar,
Sapo s’më buzëqesh më bukuria,
Këputet delli i tingullit magjistar.
1940
***
Larg vatrës derdhëm gjerë vala gjaku,
Si lis pa degë mbetëm veç ne gdhënj,
Më s’mbet filiz të mbahet gjallë plaku.
Por male shkarpash veshur me shkëmbinj.
Me gunën tonë të endur flokësh dhie,
Në vend ta mprojmë veten motit t’keq,
E bëmë strehë pritje miqësie,
Përsa që kishim brenda nga një dreq.
Për një lavdi të kotë shkrijtëm eshtrat,
Ku tjetrit s’i pat kurrë shkuar këmba,
U ropmë gjersa na u zbardhnë leshrat
Në vend kurorash, korrëm ferra, gjemba.
U vranë për të tjerë kotsëkoti,
Treguam trimëria pa dobi.
Për vete s’na piku kurrë loti,
Sa mbetmë veç një dorë për habi.
Të verbër nga padia edhe feja
Dëshirë kemi sendesh të pavend,
S’mendojmë se prap’ ne do t’jemi preja
Kujt zgjatim dorën, lypës të pamend.
Na kënda mirërrojtja pa mundime,
Çdo punë toke bëhet pa një hir,
I shkojmë ditët gjithë me sendërgjime,
Duke e mashtruar veten me pahir.
Mos qahemi se faj na kanë fqinjët,
Kurse ne jemi foshnja, mituri,
Na vetë po ja hapim gjerë gjiret.
Një komb i mbledhur rreth një vatre.
Një vatër zanash dielli bukuri,
Mallkim përsa lakmojnë pas një tjetre
Mos rritet madhërisht një brez i ri.
Tiranë, 1938
Interesi
Hap sytë e rri mendohesh pa të duash
Kur sheh qysh rron në kohë të vështirë,
Se çdo që vjen mbi krye do ta vuash
Dhe veten tënde më s’e gjen të lirë!
Rreziku kur afrohet s’mund ta gjuash,
Një forcë e naltë rrugën e ka nxirë,
Sa më çdo çap, syrin pak po tallash,
Drejt në greminë mund të jesh i shtrirë!
Kjo luftë me tmerre të pathënë,
Ku jeta e njeriut në peshë s’vihet
Tek vete e vjen, ndër leqe je i zënë!
Njeriu q’e njeh sot masën e egërsimit
Së piri gjak vëllau ay më s’ngihet:
Për ar i shkel krejt ligjet e njerzimit!
1916
TRILOGJIA E JETËS
I
Kënga e të riut njëzet vjeç
Me syt’ e mi shkreptima hyjsh e flakë
Tek ta papra thërmon me hir prendvera,
Qysh hyll i dritës terrin del ta flakë,
Si shtyllë zjarri mundës prij ngaherë.
Jam bota e re, që vëndin ze së vjetrës;
Pushteti im nuk njeh kurrkund kufive;
Si lulja që përtrihet pas një tjetrës,
Në rrahje rrezesh, andje shkrep dhe hire.
Jam lis me pemë t’arta, fletë argjendi,
Koshere mjaltë blete lulesh maji;
Nuk trembem nga furtuna, shi dhe shqota,
Si trimi përball çdo lufte plot kuraj.
Rreth meje shpallen këngë lumërie,
Të bukurat e dheut për dore vargje
Ja dredhin valles n’ëndrra dashnie
Hirplot tërhidhen dhe epin trupat hargje!
Thesaret s’i peshoj, thesar jam vetë,
Të rit’ e kam dhuratë dhe kurorë;
Fuqi luani kam dhe gjak të nxehtë,
Sa gurët më të fortë i shtrydh me dorë!
Jam kënga e moshës së re, lajmtar gojarti,
Ndër tinguj magjiplotë jehon dëfrimi;
Ylber q’e kap gjithë tokën që së larti:
Jam mbreti ngadhënor mbi fron shkëlqimi!
II
Kënga e mesatarit gjashtëdhjetëvjeçar
O ditë të bukura të jetës sime,
Që pa ju ndjehur merrni tatëpjetën,
Si rrymë lumi shkisni pa pengime
T’ja mblidhni fijet lëmshit që lidh jetën!
Ju gaze që shpërndanit, rreze flake
Ndër maja ledhatare plot dëshira,
Sot fikeni si lule vjeshtarake
Në frytje t’erës shembur poshtë të mpira.
I zhveshur nga stolitë e bukurisë,
Si zhvishet pylli rrobes tij verore,
Me vrer shoh si erret ylli i bukurisë,
Në tym si pshtillet pamja madhështore.
Si trim i ri mendonja kryevepra,
Se le në botë një emër largtingllonjës,
Të mburrem me të kota dhe të tepra
Sa shkrepnim prej një truri ëndërronjës.
Kujtimet e ëmbla koha pa kujdese
Ma piku zemrën sot si maja thike
Pa mundur t’i mbështillem një harrese,
Më mos godasë vrull’ i rreptë plumbi.
Tash lamtumirë, o vjete lumturie,
Me faqet kthyer drejt nga Perëndimi,
Pres vetullvrojtur rrudhat pleqërie
S’tallje shenjë e re ... rizbukurimi.
III
Kënga e plakut njëqindvjeçar
Në trupin tim të zbrazët si zgërbonjë
Si lisi plak i shqyer prej rrufeje,
Për hir ka bërë çerdhe një zhgabojë
Me kthetrat ngulur copra që bën meje.
Mbi shpirtin tim rëndon një rrasë varri,
Me kryq të shkruar lotësh vese pylli,
Çdo pikë djek shprush thëngjillit zjarri
Si dhe qirinjsh kur derdhen pika dylli...
Si muret e një tempulli të vjetër,
Ku dhëmbi i kohës gjurma le të thella
Dhe hijes seme – vepër sikur tjetër –
Për ças e ndenj qysh krimbat bëjnë shpella.
Më dysh kërcinjtë e këmbëve të mija
Dhe brinjët hekura dritare burgu,
Fytyrëtharë, rrudha plot e vija,
Kufomë e gjallë, rrojtje e zezë murgu.
Si yll në perëndim ndër drithma vdekje,
Që zhduket për t’u kredhur larg në rrymë,
E shkuara me t’ardhmen gjith’ në prehje,
Prej hirit tem përtrihet tjatër frymë.
1940
Shkrimi u publikua sot (12.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)