Bashkia e Pogradecit ka nisur ditën e sotme një aksion të gjerë pastrimi në të gjithë territorin e qytetit, duke u fokusuar kryesisht në akset nacionale dhe përgjatë bregut të liqenit.
Në këtë nismë janë angazhuar ndërmarrja e punëve publike, kompania e pastrimit, si edhe nxënës të shkollave të qytetit, të cilët janë përfshirë pas përfundimit të orarit mësimor.
Ky aksion është pjesë e një ndërhyrjeje periodike që ndërmerret nga bashkia me qëllim përmirësimin e kushteve mjedisore dhe garantimin e një qyteti më të pastër.
Megjithatë, në këtë periudhë ai merr një rëndësi të veçantë, pasi Pogradeci ndodhet në prag të sezonit veror, kur qyteti mirëpret një numër të lartë vizitorësh nga e gjithë Shqipëria, por edhe turistë të huaj.
Autoritetet vendore bëjnë me dije se aksione të tjera pastrimi do të vijojnë edhe në ditët në vijim, veçanërisht në prag të hapjes së sezonit turistik. Ndërkohë, theksohet se bashkëpunimi me qytetarët mbetet thelbësor për ruajtjen e një mjedisi të pastër dhe të qëndrueshëm.
“Bashkia Pogradec ka realizuar një aksion të gjerë pastrimi, ku fokus ka qenë bregu i liqenit, akset nacionale. Në bashkëpunim me drejtorinë e Arsimit pas mësimit janë angazhuar edhe nxënësit e shkollës. një aksion tjetër do ta bëjmë edhe në prag të çeljes të sezonit turistik. I bëj thirrje qytetarëve të mos hedhin mbeturinat vend e pa vend”, tha Paskalino Ziko, nënkryetar i bashkisë.
Komente








