Ishte pasditja e 10 gushtit kur Egli Proga mbylli qepenin e lokalit të tij në Pogradec për herë të fundit dhe u drejtua për në shtëpi. Pak metra më tej, në afërsi të një lokali tjetër ishte ulur Denis Meçe dhe e ftoi Eglin për një cigare.

Top Channel shkruan se ai i ka kërkuar xhiron ditore 42-vjeçarit si “gjobvënie”, por ky i fundit ka refuzuar. Në ato momente, Egli është shprehur se nuk mund t’i jepte xhiron ditore, pasi kishte për të mbajtur fëmijët e tij.

Xhiroja ditore i kushtoi jetën Eglit, pasi u godit me grushte në anën e majtë të kokës nga Denis Meçe, goditje e cila ishte fatale. Dëmtimet e shkaktuara nga dhuna kanë qenë serioze dhe megjithëse u dërgua në spital Egli Proga nuk mundi dot të mbijetojë.

Sot seanca në gjykatë, autorit i zbutet akuza

Në dhimbje që nuk do t’i largohet ndoshta asnjë ditë, motra e Egli Progës priti sot në derën e Gjykatës së Korçës mbërritjen e Denis Meçes, autorin e dyshuar të dhunës ndaj vëllait, që vdiq në rrugë, vetëm pak metra larg dyqanit të tij modest në Pogradec.

‘Dua të shoh vrasësin e vëllait tim... ja kafsha’, dëgjohet ajo duke qarë para gjykatës në momentin e mbërritjes së autorëve për masë sigurie.

Gjyqtares Luljeta Kole nuk iu desh shumë kohë të lërë në burg, Meçen 29 vjeç për vrasje nga pakujdesia, dhe me “detyrim paraqitje” 3 të tjerët për moskallëzim krimi; Voltan Shulkun, 40 vjeç, Arian Manellarin 55 vjeç, dhe Leonidha Guçen, 47 vjeç. Shulku është pronari i lokalit ku ka ndodhur vrasja.  

Por, ajo çfarë vihet re është se prokurorja e çështjes, Vasjana Postol ka zbutur akuzën për 29-vjeçarin Meçe. Policia e kishte referuar ngjarjen si vrasje me dashje, akuzë që dënohet nga 10 deri në 20 vjet burg. Por, rrahja brutale për vdekje që Denis Meçe i ka bërë Egli Progës, për prokuroren e çështjes Vasjana Postol është cilësuar si vrasje nga pakujdesia. Kjo vepër penale dënohet me gjobë ose me burgim deri në 5 vjet. Autori është nipi i Valter Gora, ish-drejtor i Postës Shqiptare.

Pavarësisht se Gjykata e Korçës, e la në burg Denis Meçen për vrasje pakujdesia, akuzat e ngritura nga kushëriri i viktimës Egli Proga, në lidhje me gjobvënie, do të hetohet nga prokuroria dhe policia lokale.

Familjari u tha gazetarëve, se “gjithçka pritet nga këta kriminela. Në qytetin e Pogradecit këta njihen shumë mirë për gjobëvënie, ndaj duhet të zbardhet e vërteta”.

Familjarët akuza: Policia tentoi të fshehë ngjarjen

Vrasja e Egli Progës mbrëmjen e së shtunës në qytetin e Pogradecit, u shoqërua me shumë dyshime dhe paqartësi, mbi dinamikën dhe nëse ngjarja ishte një vdekje aksidentale apo një vrasje siç dyshimet janë më të shumta. Kur i ndjeri u gjet në rrugë, u raportua se sipas të dhënave paraprake, 42-vjecari në gjendje ndoshta nga alkooli, ishte rrëzuar. Por kur mjekët tentuan t’i japin ndihmën e parë në spitalin e Pogradecit, ngritën dyshime se ai ishte dhunuar. 

Jonida, e motra e të ndjerit ka hedhur akuza të forta që prej ditës së djeshme për autoritetet. Ajo thotë se vetë autoritetet janë munduar të fshinin ngjarjen duke e raportuar si aksidentale. Sipas saj, Policia e Shtetit veproi me vonesë, ndërsa edhe ambulanca u vonua dhe ndërhyrja për të vëllanë ishte shumë vonë. Madje e motra deklaroi se policia fillimisht u tha familjarëve se ai ishte rrëzuar, por kur kanë parë trupin, duke qartësisht që ishte dhunë barbare.

Hetimi paralel për ngjarjen

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku u detyrua dje të udhëronte inspektimin e procedurave të kryera nga Policia e Pogradecit, në qarkun e Korçës, lidhur me ngjarjen e cila u raportua fillimisht si aksidentale.

Ai urdhëroi Drejtorinë e Standardeve Profesionale për kryerjen e vlerësimit të zbatimit të detyrave të strukturave në Drejtorinë Vendore të Policisë, Korçë, dhe në Komisariatin e Pogradecit, lidhur me ngjarjen ku, pas një konflikti, humbi jetën 42-vjeçari Egli Proga.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:38
Report Tv në lokalin ku u vra Egli Proga në Pogradec, ende i mbyllur! Pronari detyrim paraqitje, tentoi të fshehë ngjarjen

Gazetari i Report Tv, Armand Braho ishte në lokalin përballë të cilit u vra Egli Proga në Pogradec. Nga rrahja brutale jashtë ambienteve të lokalit, Egli Proga humbi jetën. Lokali ‘Stropcka’ para të cilit ndodhi krimi është ende i mbyllur, ndërsa në pranga përfundoi edhe pronari i këtij lokali Voltan Shulku, bashkë me dy të tjerë, të cilët dyshohet se fshehën krimin. Të tre janë lënë në masën detyrim paraqitje, pasi fillimisht kanë deklaruar se Proga është rrëzuar dhe nuk kanë treguar që ishte dhunuar.

Gazetari i Report Tv, Armand Braho ndërtoi edhe njëherë dinamikën e ngjarjes. Pasditen e 10 gushtit, Egli Proga ka mbyllur lokalin e tij te ‘Nazua’ rreth orës 18:30 dhe është nisur për në shtëpi. Report Tv solli edhe pamjet e fundit të Progës para se të rrihej brutalisht për vdekje.

Pak metra më tutje, pasi ka mbyllur lokalin e tij, Proga është përballur me autorin Denis Meçe. Aty ka nisur konflikti mes tyre dhe Meçe e ka rrahur për vdekje, ndërsa Proga është shembur në tokë. Sipas dëshmive të qytetarëve në zonë, ambulanca është vonuar të paktën 30 minuta.

Policia po heton pistën e gjobëvënies, ndërsa Proga njihej si person i qetë në zonë.

“Jam në vendin ku 4 ditë më parë humbi jetën Proga nga autori Meçe, i cili është lënë në arrest me burg nga gjykata. Jemi në lokalin e të ndjerit, të Nazua, që gjendet në zonën e agjencisë ku nis edhe pazari i zonës së Pogradecit. I ndjeri ka nisur të largohet, duke futur karriget dhe më pa si ka vënë kyçit lokalit për në banesë. Këtu janë fiksuar edhe momentet e fundit të jetës, ku i ndjeri po kalonte drejt vendit ku u përplas me 29-vjeçarin.

Nuk kanë pasur njohje të afërta, as komunikime të mëparshme. Autori është nga një fshat i Pogradecit, viktima është zhvendosur prej vitesh në Pogradec. Proga ishte i qetë dhe s’ka pasur konfrontime më të tjerë më parë.

Ndër të arrestuarit, është edhe pronari i lokalit Voltan Shulku, që ka tentuar të fshehë ngjarjen duke thënë se ishte ngjarje aksidentale. Gjykata i ka lënë të 3 me masën detyrim paraqitje. Në ambientet e jashtme të këtij lokali ka nisur konfrontimi. Kanë dhënë deklaratën se është rrëzuar dhe nuk është goditur nga askush. Për motive të dobëta ka nisur sherri për një cigare që autori i ka kërkuar viktimës. Ky ishte motivi që ata kanë deklaruar, por po hetohet edhe pista e gjobëvënies. Pistë ku hetuesit po thellohen.

Ka qëndruar rreth 30 minuta i shtrirë derisa ka ardhur ambulanca me vonesë”, raportoi gazetari i Report Tv, Armand Braho.

Ora 17:52
Vrasja e Egli Progës në Pogradec, dyshohet se janë fshirë pamjet e kamerave të sigurisë në lokalin ku ndodhi ngjarja

1723363712_1723363052vrasjanekorce.jpg

Egli Proga i shtrirë në tokë pasi u rrah për vdekje

Detaje të reja kanë dalë lidhur me ngjarjen e rëndë të vrasjes së 42-vjeçarit Egli Proga në Pogradec. Pas lehtësimit të akuzës për autorin Denis Meçe, nga “vrasje me dashje” në vrasje nga pakujdesia”, BalkanWeb shkruan se dyshohet se janë fshirë pamjet e kamerave të sigurisë që kanë filmuar ngjarjen. Vrasja ka ndodhur në një lokal tjetër, i njohu në zonë si lokali i ‘Polit’.

Mësohet se kur ka ndodhur ngjarja dhe 42-vjeçari Egli Proga ishte i shtrirë në tokë në gjendje të rëndë, me mbërritjen në vendngjarje të policisë fillimisht është vendosur shiriti skenë krimi, por është lënë shumë pak dhe është hequr. Kjo vërtetohet edhe nga pamjet e kamerave në rrugë.

Pas transportimit të 42-vjeçarit në spital dhe kur u dha informacioni që Egli Proga ndërroi jetë, policia rivendosi sërish shiritat e skenës së krimit në vendngjarje. Krimi ka ndodhur në një lokal dhe sekuestrimi i kamerave u bë pasi u rindërtua ngjarja.

BalkanWeb shkruan se DVR e kamerës së sigurisë të sekuestruar nga policia nuk ka të regjistruar asgjë rreth krimit. DVR është dërguar nga policia për ekspertim nisur nga dyshimi se mund të ketë pasur ndërhyrje.

Autori nuk është zbuluar nga pamjet pasi nuk ka pasur, por është zbuluar pas intervistës që iu është bërë personave të shoqëruar të cilët kanë qenë ne lokal në momentin që ka ndodhur krimi, ku një prej tyre është thyer dhe ka treguar të vërtetën.

Ora 17:23
VIDEO/ 'Te Nazua' kafeneja e vogël e Progës, nën kërcënimet e gjobëvënësve

 

Pasditen e 10 gushtit Egli mbylli për herë të fundit kafenenë e tij të vogël që e menaxhonte në Pogradec dhe me të cilën ushqente familjen. E kishte quajtur “Te Nazua”. Ishte shkurtesa e emrit të babait të tij Nazmi Proga.

Kishte kaluar ora 18:00. Pasi fut çadrën që kishte para dyqanit brenda në lokal, e mbyll dhe nis te largohet për në banesë, pa e ditur se do të ishte hera e fundit.

Në videon ekskluzive që Report Tv e Shqiptarja.com disponon 42 vjeçari duket teksa mbyll lokalin. 5 minuta më pas ai dhunohet nga Denis Meçe i cili e priste në afërsi të një lokali tjetër. Policia ka deklaruar zyrtarisht se ngjarja ndodhi për motive të dobta, por Top Channel mëson se Denis Meçe i ka vënë “gjobë” Eglit, duke i kërkuar atij xhiron ditore të lokalit të tij.

"Te Nauza' Ishte një kafene e vogël në mes lagjeve në Pogradec ku kryesisht uleshin tregtarët që shesin tek tregu i fruta perimeve.

Kishin vite që e menaxhonin lokalin dhe asnjëherë nuk kishin pasur konflikte. Edhe shitësit që ndodhen aty  e kujtojnë Eglin si një djalë të qetë dhe pa konflikte. 

Ora 16:01
Vrasja e Egli Progës, Prokuroria zbut akuzën për Denis Meçen! Nga vrasje me dashje e bën vrasje nga pakujdesia! I riu shmang deri në 20 vite burg

1723370543_egliprogadenismece.jpg

Egli Proga dhe Denis Meçe

Denis Meçe, i riu që akuzohet si autor i vrasjes së Egli Progës në Pogradec doli sot para Gjykatës së Korçës, ku u njoh me masën e sigurisë arrest me burg. 3 të tjerët që nuk kallëzuan krimin u lanë nga Gjykata në masën detyrim paraqitje.

Por, kjo histori është veshur me hije dyshimi. Në fillimet e saj u raportua si një vdekje aksidentale, me pretendimin se 42-vjeçari ka qenë në gjendje të dehur dhe është rrëzuar në tokë e më pas humbi jetën në spital.

Por në fakt, vrasja e 42-vjeçarit u raportua vetëm pasi ai humbi jetën në spital më 10 gusht. Ai ishte dhunuar brutalisht në rrugë nga Denis Meçe, i cili më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Pas familjarët kanë konstatuar shenjat e dhunës në trupin e Egli Progës, policia e raportoi si vrasje dhe njoftoi arrestimin e autorit të dyshuar Denis Meçe dhe 3 të tjerëve që nuk kallëzuan krimin.

Policia kishte referuar ngjarjen në Prokurori si vrasje me dashje, akuzë e cila sipas Kodit Penal të Shqipërisë dënohet nga 10 deri në 20 vjet burg. Por Prokuroria, pas 48 orësh, kur e ka dërguar dosjen për vlerësim në gjykatë ka ndryshuar akuzën për Denis Meçen, duke e referuar tashmë ngjarjen si vrasje nga pakujdesia, duke e zbutur atë në maksimum. Kjo vepër penale dënohet me gjobë ose me burgim gjer në 5 vjet.

Rrahja brutale që Denis Meçe i ka bërë Egli Progës, që ka shkaktuar vdekjen e këtij të fundit, nga prokurorja e çështjes Vasjana Postol është cilësuar si vrasje nga pakujdesia. Këtë masë e ka konfirmuar edhe gjyqtarja Luljeta Kole duke e lënë të riun në masën në arrest me burg.

Më poshtë njoftimi i Policisë së Korçës për arrestimin e Denis Meçes dhe akuza e referuar në Prokurori

“Konfliktohet për motive të dobëta me një shtetas dhe gjatë konfliktit  i shkaktoi dëmtime me pasojë vdekjen, kapet dhe vihet në pranga nga Policia autori i dyshuar. Në pranga edhe tre shtetas të tjerë për moskallzim krimi dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Në lagjen nr. 1 Pogradec, gjatë një konflikti për motive të dobëta shtetasi Denis Meçe,  29 vjeç, dyshohet se jashtë ambienteve të një lokali është konfliktuar fizikisht me shtetasin Egli Proga 42 vjeç, i cili gjatë konfliktit fizik  është rrëzuar në tokë pa ndjenja dhe për pasojë ka ndërruar jetë.

Shtetasi Denis Meçe, 29 vjeç, pas konflikt është larguar  nga vendi I ngjarjes por falë reagimit në kohë të Policisë u bë e mundur kapja dhe arrestimi i tij për veprën penale “Vrasja me dashje”.

Në vijim të veprimeve për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje, shërbimet e Seksioni për  Krimet  Kundër Personit në DVP Korçë në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec arrestuan në flagrancë shtetasit:

 Voltan Shulku, 40 vjeç, Arian Manellari, 55 vjeç, dhe Leonidha Guçe, 47 vjeç, për veprat penale "Moskallëzim krimi", dhe "Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës". Këta shtetas kanë qenë të pranishëm kur ka ndodhur ngjarja dhe nuk kanë kallzuar krimin duke penguar zbardhjen e së vërtetës.

Materialet proceduriale i kaluan Prokuroris pranë Gjykatës së shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë”, njoftoi policia më 10 gusht.

Ora 13:15
Rrahja për vdekje e Egli Progës, e motra: Lënia e lirë e 3 të arrestuarve është vrasje, gjykata bëri padrejtësi

 

Motra e Egli Progës e ka cilësuar si vrasje nga gjykata caktimin e masës ‘detyrim paraqitje’ për 3 të arrestuarit për mos kallëzim krimi, ndërsa autori Denis Meçi u la në burg me akuzën e vrasjes nga pakujdesia.

"Po flisni për padrejtësi që filloi nga policia e shtetit, padrejtësi duke filluar nga regjistrimet, çdo akt që kanë sjellë ata, akt që ka shoqëruar edhe gjykatën në padrejtësi. Janë lënë të lirë të gjithë vrasësit, flasim për padrejtësi të menjëhershme, në kohë, në bashkëpunim. Flasim për banda të bëra bashkë. Kam parë skedën e vdekjes, me shënim "është vrasje". Çfarë janë këta të tjerët që lihen me detyrim paraqitje?

Po vazhdon të vritet Egli, me çdo veprim dhe mosveprim që është duke u kryer. Kjo është vrasje për herë të tretë.

Po flasim për vrasje me dashje, në bashkëpunim, në masë, të një njeriu të pafajshëm dhe janë lëshuar një tufë huliganësh. Kjo është.

Duke njohur kontingjentet, unë nuk jam në dijeni për gjobë, por duke njohur elementët është gjëja më e rëndë. Kur guxohet ta vrasësh, me grushte një njeri, do të thotë që çdo gjë tjetër është e mundur. Është bërë më ekstremi, më e madhja."- u shpreh motra e viktimës para gjykatës.

Ndërsa i afërmi tjetër i Egli Progës hodhi akuza të forta: "Gjithçka pritet nga këta kriminela. Në qytetin e Pogradecit këta njihen shumë mirë për gjobëvënie, jam pa fjalë. Nuk di çfarë të them. Dua që drejtësia të vihet në vend. Ju lutem mediat të bëjnë të pamundurën, të zbardhin të vërtetën ose nuk e di çtë them. Këta janë kriminela të gjithë në bashkëpunim."