TIRANE- Kreu i ri i Bashkisë Pogradec Eduard Kapri do të jetë një prej fituesve që do ta shijojë më pak triumfin zgjedhor, duke qenë se do të ketë kundër këshillin bashkiak. Kapri, përfaqësues i aleancës së djathtë ka fituar me 50,9% të votave ndaj kandidates së propozuar nga LSI Diana Mile, e cila grumbulloi vetëm 46,25% të votave. Ndërkohë që shifrat për këshillin bashkiak të qytetit flasin tërësisht në favor të aleancës së partive të majta: koalicioni i kryesuar nga PS e LSI ka fituar plot 6.555 vota, ndërsa ai i djathti vetëm 3.835 vota.

Por Pogradeci prodhoi gjatë këtyre zgjedhjeve edhe një tjetër rezultat kontroversal: Lëvizja Socialiste për Integrim tashmë zotëron 20,2% të Këshillit Bashkiak, me rritje prej 6.5% krahasuar me vitin 2011, ndërkohë që Partia Socialiste ka marrë vetëm 16.5% të votave, por ç’është edhe më e rëndësishme, me ulje -7.3 në raport me 2011. Një rezultat i tillë, lë të kuptohet që, ose socialistët thjesht nuk kanë shkuar për të votuar kandidaten e LSI-së, ose kanë votuar për kandidatët e tjerë (në Pogradec garoi edhe kandidati i pavarur Llazi Deti, i cili mori 2.8% të votave).

Këto raporte shifrash janë komentuar me nervozizëm nga LSI, e cila e ka cilësuar “Pazar” pjesëmarrjen e ulët të socialistëve në votimet e së dielës. “Nuk ka asnjë justifikim pazari i bërë në Bashkinë Pogradecit, i cili ia kalon edhe atij që njihet në mentalitetin apo në psikologjinë popullore, pazarit të Roskovecit” tha në një deklaratë zyrtare Luan Rama, sekretar i Përgjithshëm i LSI.

Korça
Korça është një tjetër prej bashkive të rëndësishme e fituar nga koalicioni i majtë. Kandidati i Partisë Socialiste Sotiraq Filo siguroi 59,1% të votave, ndërkohë që rivali i tij i djathtë Gjergji Mero grumbulloi vetëm 40,9% të totalit. Shumë më e thellë qe fitorja e koalicionit të majtë për këshillin bashkiak, ku arriti të marrë në total 55.260 vota, ndërkohë që të djathtët vetëm 25.795 vota. 36% e këtij këshilli tashmë kontrollohet nga Partia Socialiste, ndërkohë që Partia demokratike 23,1%. Nga ana e saj LSI kontrollon 15,3% të këtij këshilli, me një rritje të dukshme prej 10,3% krahasuar me 2011.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 24 Qershor 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)