Një 27-vjeçar ka rënë në pranga në Pogradec, pasi lëvizte i armatosur me pistoletë pa leje. Përmes një deklarate për mediat, policia e Pogradecit njofton se ka arrestuar shtetasin Fatjon Bono, banues në fshatin Vërdovë. Gjatë kontrollit të ushtruar ndaj tij, iu gjet një pistoletë tip "TT" me një krehër me 6 fishekë. 

I riu mësohet se është një personazh i njohur për policinë. Dy vite më parë ai është arrestuar nga policia për lidhje me organizatën terroriste të ISIS. 

Njoftimi i Policisë:
Qarkullonte në qytet me armë zjarri pa leje. Kapet dhe arrestohet në flagrancë nga Policia. Specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Pogradec, bënë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit : Fatjon Bono, 27 vjeç, banues në fshatin Vërdovë- Pogradec (me precedentë të mëparshëm penal në fushën e krimeve kundër personit).

Arrestimi i tij u bë pasi nga informacione të siguruara në rrugë operative, falë veprimeve të mirëkoordinuara, si edhe gjatë kontrollit trupor që shërbimet e Policisë kanë ushtruar ndaj këtij shtetasi në një lokal në lagjen nr 1 në Pogradec, iu gjet e sekuestrua në cilësinë e provës materiale: 1 armë zjarri pistoletë tip TT me 1 krëhër me 6 copë fishekë, të cilat i posedonte pa lejen e organeve përkatëse.

Gjithashtu shtetasi i mësipërm, dyshohet të jetë autor i ngjarjes së ndodhur më datë 29.01.2018, në fshatin Vërdovë-Pogradec, ku është qëlluar në ajër, me armë zjarri. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” parashikuar nga neni 278 të Kodit Penal.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com