Pogradec/ Në kërkim prej 4 vitesh për plagosje me armë, vihet në pranga 39 vjeçari (EMRI)
Policia e Pogradecit ka vënë në pranga një 39 vjeçar i cili ishte prej katër vitesh në kërkim, pasi në vitin 2020 plagosi një shtetas në fshatin Velçan të Mokrës.
POGRADEC - Vihet në pranga nga policia e Pogradecit Spartak Çela, i cili ishte në kërkim prej 4 vjetësh pasi në një lokal në Velçan të Mokrës qëlloi me kallashnikov drejt disa personave.
Arrestimi i Çelës është kryer në fshatin e tij në Velçan të Pogradecit, pasi nga burime operative është informuar që i shpalluri në kërkim u kthye në banesën e tij.
Në këtë momente ka qenë ndërhyrja e menjëhershme e policisë e cila ka vënë në pranga 39-vjecarin.
Çela, më datë 21 gusht të 2020 shkoi i dehur në një lokal ku ishin 5 persona, hapi derën dhe qëlloi me automatik duke lënë të plagosur Bledi Shahinin. Shkak dyshohet se ka qenë një sherr mes të plagosurit dhe autorit, që ka nisur gjatë pijes dhe më pas Çela shkoi në shtëpi ku mori automatikun.
Çela ishte i shpallur në kërkim për 4 vepra penale: "Vrasja me dashje e mbetur në tentativë," "Vjedhje me armë," "Prodhim, shitje dhe mbajtje pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve luftarake," dhe "Kundërshtim i punonjësit të policisë."
Policia thotë se 39 vjeçari ka tentuar ti marrë një 54 vjeçari nga Tirana dy celularë në kërcënimin e pistoletës, më datë 25 prill të këtij viti.
'Në datën 25.04.2024, shtetasi S. Ç., pasi është konfliktuar me shtetasin V. I., 54 vjeç, banues në Tiranë, nën kërcënimin e një arme zjarri pistoletë, ka tentuar t'i marrë atij dy aparate celularë dhe një orë dore.', thotë policia.
Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:17
Në kërkim prej 4 vitesh për plagosje, momenti kur policia prangos në banesën e tij 39 vjeçarin
Policia ka publikuar pamjet nga momenti i arrestimit të Spartak Çelës në banesën e tij në fshatin Velçan të Pogradecit.
39 vjeçari ishte në kërkim prej 4 vitesh për një plagosje në gusht të vitit 2020.
Pamjet tregojnë Çelën që arrestohet nga efektivët e komisariatit të Pogradecit në shtëpinë e tij.