POGRADEC - Zëvendëskryministri Niko Peleshi sëbashku me deputetë të qarkut të Korçës i shprehën ngushëllimet familjes së 38-vjeçares Monika Abrashi, e cila humbi jetën nga vësrshimi i lumit Vërdovë në Pogradec.
 
“Meqënëse u dha rasti dëshiroj të shpreh edhe njëherë gatishmërinë që kemi dhe duhet të kenë të gjitha strukturat e këtij qarku ku nuk kemi pasur përmbytje tjetër përveç asaj të fushës së Korcës. Kjo ishte një zonë e paprekur nga përmbytjet por na tregoi se situata të tilla të paparashikueshme mund të na ndodhin në vazhdim pothuajse në të gjithë territorin e qarkut apo për më tepër në shumë zona të Shqipërisë, të cilat mund të preken potencialisht nga përmbytjet. Unë vlerësoj faktin që ka një bashkëpunim jo vetëm nga strukturat shtetërore por edhe gjithë populli, banorët, ka xheste bujarie, bashkëpunimi edhe nga radhët e biznesit, organizatat humanitare, shoqëria civile gjë që tregon se ky popull di të reagojë dhe di të ndajë dhimbjen, di të ngrihet mbi ato që na ndajnë. Falënderoj dhe apeloj edhe njëherë të gjithë bujarinë e nevojshme në këto momente të qytetarëve, bizneseve dhe organizatave humanitare që kanë shprehur gatishmërinë të japin ndihma për gjithë familjet e dëmtuara”, tha Peleshi.

Peleshi: Do të disiplinojmë lumenjtë
Numri dy i qeverisë tha se pas kalimit të situatës së përmbytjeve, qeveria në bashkëpunim me bashkitë e reja që krijohen nga ndarja territoriale me 61 njësi vendore, do të ketë prioritet disiplinimin e të gjitha zonave që kërcënojnë jetën e banorëve, siç janë lumenjtë. Vetë kryeministri Rama ka deklaruar se situata e përmbytjeve u përkeqëaua si pasojë e ndërtimeve pa kriter në lumenj të cilat kanë blokuar kanalet e treta të kullimit.
 
“Sot kemi fituar bindjen se punën që e kemi filluar më shumë prej një viti për disiplinimin e zhvillimeve në territor ta vazhdojmë me të njëjtën vendosmëri në bashkëpunim me bashkitë e reja që do të kenë më shumë kapacitete dhe që do t’i inkurajojmë dhe këshillojmë që prioritetin e prioriteteve ta kenë në ndërhyrjen për sigurinë e jetës. Pra e para duhet të jetë sigurimi i jetës së banorëve, disiplinimi i atyre vendeve potenciale që mund të shkaktojnë kërcënimin e jetës siç janë lumenjtë etj, të trajtojmë më me respekt dhe më me shumë vëmendje investimet që kanë lidhje me rigjenerimin e pyjeve që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në sigurimin e jetës dhe më tej pastaj të zhvillojmë planet të territorit, tha Peleshi.
 
peleshi
Peleshi: Keqardhje për opozitën, u përpoq të përhapë panik

Ndërsa vuri theksin në reagimin e menjëhershëm të qeverisë, Peleshi tha se nga ana tjetër opozita u përpoq të përhapë panik ndër qytet6arët dhe të mos bëjë apel për solidaritet.

“Për fat të keq opozita nuk e ka gjetur këtë forcë dhe unë dua të shpreh keqardhjen që ka qenë kaq shumë e gatshme ashtu si Shtabet e Emergjencës, por për një qëllim tjetër për tu turrur ku ndodh një fatkeqësi, në vend që të bëjë një apel për solidaritet dhe të bashkojë forcën e vet jo të vogël se është një forcë njerëzore dhe morale e madhe edhe opozita në Shqipëri, por është turrur për të shfrytëzuar dhe për të futur në panik gjë që është e vetmja që nuk i duhet kësaj situate”, tha Peleshi.
 
Peleshi: Qeveria kompensim real për të gjithë të përmbyturit
Zëvendëskryeministri tha se qeveria do të bëjë kompensim real për të gjithë banorët e prekur nga përmbytjet për dëmet që u janë shkaktuar.
 
“Gjithsesi sot nuk jemi për tu marrë me opozitën jemi për të lajmëruar të gjithë banorët për të qenë të vëmendshëm dhe për tu përgatitur më pas pak ditësh ku shpresojmë se kjo situatë do të kalojë për tu përgatitur që të rehabilitojmë gjithë dëmet e shkaktuara, të gjendemi pranë familjeve që kanë nevojë për ndihmë humanitare apo pranë fermerëve dhe bizneseve që kanë nevojë për rikuperim të dëmeve. Qeveria shqiptare siç e kemi thënë edhe në vazhdim do të marrë përsipër një kompesim të drejtë dhe real për të gjitha dëmet pastaj natyrisht që duhet që të gjithë së bashku t’i vëmë gishtin kokës në kuptimin që ashtu siç jemi sjellë këto 20 vite me territorin, ashtu siç ka pasur në këto vite një papërgjegjshmëri apo aq më keq një inkurajim të keqtrajtimit të territorit në ndërtimet pa kriter me leje apo pa leje, me leje abuzive apo pa leje fare”, theksoi zëvendëskryeministri.

peleshi

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)