Një ambient i posaçëm dhe miqësor për fëmijët është inauguruar pranë Zyrës Përmbarimore Pogradec, ku do të zhvillohen takimet e fëmijëve me prindërit e divorcuar, në zbatim të vendimeve gjyqësore.

Hapësira synon të krijojë një mjedis më të përshtatshëm, të sigurt dhe larg stresit që mund të shoqërojë përballjen e fëmijëve me procedurat përmbarimore.

Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë Zëvendësministrja e Drejtësisë, Drejtori i Përgjithshëm i Përmbarimit dhe përfaqësues të institucioneve të drejtësisë.

Në fjalën e saj zëvendësministrja e Drejtësisë e cilësoi këtë hapësirë si një tjetër përpjekje për një drejtësi më njerëzore dhe më të ndjeshme ndaj nevojave të fëmijëve, duke theksuar se interesi më i lartë i tyre duhet të jetë në qendër të punës së institucioneve.

““Ajo që përurojmë sot nuk është thjesht një ambient i ri. Është një hap konkret drejt një drejtësie më njerëzore, më të aksesueshme dhe më të ndjeshme ndaj nevojave të fëmijëve. Pas çdo dosjeje, procedure dhe vendimi ku preket një fëmijë, mund të jetë një fëmijë që ka nevojë për siguri, mirëkuptim, mbështetje dhe, mbi të gjitha, për t’u ndier i dëgjuar dhe i mbrojtur”, tha Elona Hoxha.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Përmbarimit, në të gjithë vendin janë mbi 10 mijë vendime gjyqësore që lidhen me çështje të takimit të fëmijëve me prindërit, por edhe me pensionet ushqimore dhe detyrime të tjera. Institucionet theksojnë se në këto raste prioritet mbetet interesi më i lartë i fëmijës dhe ekzekutimi i vendimeve të gjykatave.

Ambientet për fëmijët janë tashmë pjesë e kësaj qasjeje edhe në Tiranë dhe Durrës, ndërsa nisma pas Pogradecit pritet të vijojë edhe në qytete të tjera.