Policet urdherohen të heshtin
BE: Nuk ishte pengmarrje

Policet urdherohen të heshtin<br />BE: Nuk ishte pengmarrje
PRISHTINE- Lirohen policët kosovarë. Fillimisht lajmi për shqiptarja.com u konfirmuan sot në orën 13:00 nga Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovë. Ministri Bajram Rexhepi shtoi se informatën e mori nga shefi i EULEX-it, Ksavier de Marnak.  Nga burim anonim brenda policisë konfirmohet se, policët janë lënë pa ushqim. Atyre u është konfiskuar dhe një veturë zyrtare e policisë, që ende s’ është kthyer, armët dhe shenjat identifikuese me gjithë pajisjet.

Vetëm gati 30 minuta më vonë, rreth orës 13:34, zëdhënësi i EULEX-it, Nikollas Hauton, konfirmoi se ishte bërë transportimi i policëve Shukri Binaku dhe Sami Beqiri (foto), nga qyteti i Prokuples, për në territorin e Kosovës. Që prej kthimit të tyre, dy policët janë marrë në pyetje për orë të tëra nga EULEX dhe KFOR dhe janë shoqëruar në vendin ku arrestuan për të kuptuar se në cilin territor ndodheshin.

ORA 23: 13 - POLICËT: URDHËR PËR TË MOS FOLUR
Gazetarët në Kosovë duket se e kanë të vështirë të zbulojnë detaje rreth arrestimit të dy policëve të shtunën nga ana e forcave serbe. Me kamera të fikura, policët e Kosovës pohojnë se kanë urdhër të prerë që të mos tregojnë asgjë rreth arrestimit. Ministri i Brendshëm e ka mohuar një gjë të tillë. Sipas Rexhepit, është e drejtë e policëve të prononcohen apo jo për median.

ORA 22:15 - MINISTRI REXHEPI NUK TAKON POLICET
Ministri i Puneve te Brendshme, Bajram Rexhepi nuk ka shprehur gatishmëri për t’i takuar dy policët e liruar sot me arsyetimin se kjo varet shumë nga agjenda e tij. Edhe pse ka qëndruar gjatë ditës së sotme në pikën kufitare të Merdares, ministri nuk e ka parë të arsyeshme që t’i takojë ata.

ORA – 21:21 POLICI: FOTOT, KUR NA SPOSTUAN
Sami Beqiri, një nga dy policët kosovarë të rrëmbyer të shtunën nga policia serbe, sqaroi se fotot e publikuara në një konferencë për shtyp nga ministri i Brendshëm i Beogradit, Daçiç, ku ai bashkë me kolegun Shukri Binaku shfaqeshin të prangosur e të shtrirë barkas, ndërsa policia serbe i mbante nën kërcënimin e armëve, janë bërë jo në momentin e ndalimit por më mbrapa, pasi ata janë transportuar në territorin serb.

ORA 20:20 – GRUAJA: U TMERROVA KUR PASHË TIM SHOQ
Gruaja e Sami Beqirit u ka treguar gazetarëve se është tmerruar kur ka parë burrin e saj të lidhur me pranga, barkas përtokë dhe me kokën e ngritur drejt policëve serbë.

ORA 20:15 – “NUK NA KANË KEQTRAJTUAR”
Televizionet kosovare paraqitën mbrëmjen e sotme pamje të policit Sami Beqiri me rroba civile, ku ai shfaqej i lodhur. “Nuk na kanë maltrajtuar, mirë jemi, mirë jemi", ishin fjalitë e vetme që përsëriste polici Beqiri. Televizionet kosovare paraqitën mbrëmjen e sotme pamje të policit Sami Beqiri me rroba civile, ku ai shfaqej i lodhur. “Nuk na kanë maltrajtuar, mirë jemi, mirë jemi", ishin fjalitë e vetme që përsëriste polici Beqiri. Ai u tha gazetarëve se për çdo që u intereson, të pyesin zëdhënësin e policisë pasi nuk kanë të drejtë të lëshojnë deklarata.

ORA 19: 55 – KTHEHEN PRANE FAMILJEVE DY POLICËT
Dy policët kosovarë më në fund, rreth orës 19:00, kanë arritur në familjet e tyre edhe pse në Kosovë arritën rreth orës 13:00. Ata përgjatë katër orëve janë marrë në pyetje nga KFOR-i dhe policia e EULEX-it për rrethanat e arrestimit të tyre, ndërsa më pas janë dërguar edhe në vengjarje. Me të arritur në shtëpitë e tyre, ata janë pritur nga familjarët ndërsa nuk kanë pranuar të flasin për mediat.


ORA 19:43 - MPB FALENDERON NDERKOMBETARET
Pas lirimit dhe mbërritjes në Kosovë të policëve të rrëmbyer, Shukri Binaku dhe Sami Beqirit, Ministria e Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, përmes një komunikate për shtyp, vlerësoi angazhimin dhe përpjekjet e organizmave ndërkombëtarë, në veçanti EULEX-in, për lirimin e policave. Ministria e Punëve të Brendshme inkurajon të gjithë zyrtarët e Policisë së Kosovës të vazhdojnë kryerjen e detyrave të tyre sipas mandatit, në mbrojtje të integritetit territorial dhe në ruajtje të rendit dhe ligjit sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, thuhet në komunikatë.

ORA 18:05 – EULEX/KFOR DERGOJNË POLICËT NË VENDNGJARJE
Dy policët e kthyer në Kosovë kanë dalur nga stacioni policor ku po merreshin në pyetje nga EULEX dhe KFOR por nuk janë të lirë të kthehen në shtëpi pranë familjes, ashtu siç ishte pritur. Nën shoqërinë e policisë së EULEX-it dhe përfaqësuesve të KFOR, ata janë nisur për në fshatin Dumnicë të Podujevës, pranë vendit ku deklaruan se ndodheshin kur u rrëmbyen nga policët serbë. Siç ka mësuar Shqiptarja.com, ata në fshatin Dumnicë do të verifikojnë vendin e saktë të arrestimit të tyre, që mendohet se do të saktësojë nëse u arrestuan në territorin e Kosovës apo atë të Serbisë.

ORA 18:02 - BEOGRADI: DO TË PADITEN
Ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiç, ka saktësuar se dy pjesëtarët e Policisë së Kosovës u dëgjuan në gjykatë dhe shtoi se kundër tyre do të ngrihet padi. Daçiç theksoi se është i njoftuar me deklaratat e ministrit të Brendshëm kosovar, Bajram Rexhepi, dhe Presidentes Jahjaga sipas të cilëve policët e arrestuar ishin në detyrë, por u sugjeroi atyre që “të shikojnë punët e veta”, mësoi Shqiptarja.com.

ORA 17:10 - EULEX/KFOR S’LËSHOJNË POLICËT, FAMILJARET TË SHQETËSUAR
Ende nuk janë liruar nga stacioni i policise në Lluzhan dy policët e kthyer në Kosovë. Ata po merren në pyetje nga policia e Eulex-it. Familjarët janë të shqetësuar sepse ata nuk po lirohen dhe nuk po kthehen pranë familjeve. Mediat nuk janë lejuar as të filmojnë e as të kontaktojnë personelin brenda stacionit policor. Dy policët janë duke u intervistuar nga pjesëtarët e Eulex dhe inteligjencës së KFOR.

ORA 16:43 – ZËDHËNËSJA E ASHTON: S’ËSHTË PENGMARRJE
Maja Kocijančić, zëdhënëse e shefes për politikën e Jashtme në Bashkimin Europian, Catherine Ashton, tha sot se arrestimi dy policëve kosovarë nga autoritetet serbe “nuk mund të cilësohej si pengmarrje”.

ORA 15:47 – RASMUSEN: NATO E SHQETESUAR
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s ka reaguar sot në lidhje me arrestimin e dy policëve kosovar. Rasmusen u tha gazetarëve se ai ende nuk ishte shumë i qartë për ngjarjen por “jemi të shqetësuar për zhvillimet e fundit”. Ai shprehu bindjen e tij se palët përgjegjëse do të jenë në gjendje ta zgjidhin çështjen.

ORA 15: 30 POLICET TEK EULEX
Policët e rrëmbyer janë duke u intervistuar nga pjestarët e Eulex dhe inteligjencës së KFOR.

Ora 15:09 POLICET JANË MIRË
Policët ndodhen në stacionin policor në Lluzhan. Ata janë në gjëndje të mirë shëndetësore dhe ndaj tyre nuk është përdorur dhunë. Deri në këto momente policët nuk kanë dashur të flasin për median. Ndërsa familjarët e tyre janë gëzuar për lirimin por i bëjnë thirrje institucioneve të Kosovës që të marrin hapat e metejshëm në lidhje me arrestimin e familjarëve të tyre.

Ora 14: 39 POLICET NE STACIONIN POLICOR TE LLUZHANIT
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Arbër Beka deklaron se " Policet tashmë kanë hyrë në Kosovë dhe ndodhen në Stacionin Policor të Lluzhanit."

ORA 13: 01 LIROHEN POLICET
Policët Shukri Binaku dhe Sami Beqiri, aktualisht janë duke i kryer procedurat e nevojshme për tu bartur nga Policia e Serbisë në atë të EULEX-it, dhe sipas Rexhepit, pasdite pritet të arrijnë në Kosovë. Dy policët e njësisë kufitare të Kosovës, të rrëmbyer nga xhandarmëria serbe të shtunën në rajonin e Merdarit, i janë dorzuar EULEX-it dhe së shpejti do t’u bashkohen familjeve. Ata pasdite do të kthehen në Kosovë.

ARRESTIMI TE SHTUNEN
Dy policët kosovarë u arrestuan të shtunën paradite nga policia serbe dhe sot do të dilnin para gjykatës së Kurshumlisë, ne Serbi. Autorietet kosovare deklaruan se dy policët, Shukri Binaku dhe Sami Beqiri u rrëmbyen teksa po patrullonin në vijën kufitare, e cila edhe 13 vjet pas luftës mbetet e pashënuar, dhe se hetimet e ndërkombëtarëve EULEX, e KFOR do ta vërtetojnë. Ndërsa ministri i Brendshëm Ivica Daçiq pat deklaruar se dy policët kishin shkelur zonën e gjelbër, sipas tij, duke shkelur marrëveshjen ushtarako - teknike të Kumanovës të nënshkruar nga Serbia dhe NATO më 1999, sipas së cilës në këtë brez mund të lëvizin të armatosur vetëm KFOR-i dhe forcat serbe.

EULEX: HETIMET DO TE VAZHDOJNE
Zëdhënësi i EULEX-it, Nikollas Hauton tha se hetimet për rrethanat e arrestimit do të vazhdojnë, por përjashtoi mundësinë që raporti final të jetë publik. Hauton nuk dha as ndonjë afat kohor se kur mund të jetë gati raporti në fjalë. KFOR-i, i cili gjithashtu po vazhdon hetimet për rrethanat e arrestimit të policëve, sipas Rexhepit, do t’i bëjë të ditura të gjitha detajet në një raport zyrtar.

(rg/im/sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

Euro 2024/ Spanja kundër surprizës Gjeorgji, formacionet e sfidës së Këlnit

Euro 2024/ Spanja kundër surprizës Gjeorgji, formacionet e sfidës së Këlnit