2 punonjës policie në Tiranë janë pezulluar nga detyra. E para është O.K., 27 vjeçe, e cila ka ndihmuar vjehrrën e kolegut të saj që ta ushtrojë aktivitetin e prostitucionit në lokalin e saj.

SHÇBA ka pezulluar nga detyra dy efektivët e përfshirë në këtë skemë. Bëhet fjalë për N/Komisar F.M., 29 vjeç, me detyrë Specialist në Seksionin e Hetimit të Aksidenteve Rrugore në Komisariatin e Policisë të Qarkullimit Rrugor Tiranë dhe Inspektoren O.K., 27 vjeçe, me detyrë Operatore e Kamerave në Sektorin e Sallës së Komandimit në D.V.P. Tiranë.

Ekzekutimi i vendimit të Gjykatës u krye në funksion të procedimit penal Nr. 5023, të kryer nga SHÇBA Tiranë në bashkëpunim me Prokurorinë Tiranë, me hetime proaktive disa mujore, për akuzat “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Ushtrim i prostitucionit”.

"Nga hetimet e SHÇBA Tiranë ka rezultuar se oficeri i policisë F.M., duke shpërdoruar detyrën, ndryshonte përgjegjësitë e palëve në rast hetimi aksidentesh.

Gjithashtu, dyshohet se në lokalin e vjehrrës së tij, shtetases S.K. ushtrohej prostitucion, por oficerja e Sallës Operative informonte 53-vjeçaren për aksionet që organizonte Policia. Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë", njofton SHÇBA.