3 persona të shpallur në kërkim kanë rënë në pranga të Policisë së Shtetit, pas një aksioni blic të zhvilluar në të gjithë vendin për kapjen e tyre, për armëmbajtje pa leje e posedim lëndësh narkotike.
Kështu në Fier është arrestuar shtetasi E. H., 28 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë kontrollit të automjetit, në çantën e tij të krahut, iu gjet një armë zjarri tip pistoletë dhe municion luftarak. Në Vlorë, në bashkëpunim me FNSH u kontrolluan banesa të personave në kërkim, njëri nga të cilët u kap në Vlorë, konkretisht shtetasi P. N., me masë sigurie “Arrest në burg” për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Ndërkohë nga Policia kufitare në Qafë-Botë në Sarandë u arrestuar shtetasi Mihal Sila, banues në Dhërmi, Himarë, të cilit Gjykata i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale "Falsifikimi i dokumenteve” kryer në bashkëpunim më shumë se një herë dhe “Falsifikimi i vulave dhe stampave” kryer në bashkëpunim më shumë se një herë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim gjatë operacionit policor të koduar "Himara”, pasi dyshohet se nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve, vulave, stampave e formularëve, ka tjetërsuar dhe përfituar sipërfaqe të konsiderueshme toke, në bregdetin e Himarës dhe Dhërmiut, të cilën më pas e ka kaluar në pronësi të tij ose e ka shitur tek persona të tjerë.
Në Kukës u kap shtetasi A. D., 35 vjeç, banues në Shtiqen, i shpallur në kërkim për "Dhunë në familje". Në Tiranë u kapën dhe u shoqëruan për veprime të mëtejshme, shtetasit D. S. dhe Sh. H., pasi u konstatuan me lëndë narkotike kokainë dhe cannabis sativa të ndarë në doza.
Ndërkohë në Shkodër, gjatë kontrollit të automjetit me drejtues shtetasin B. S., 22 vjeç, policia gjeti dhe sekuestroi shumën 31200 euro. Këtë shumë eurosh, drejtuesi i mjetit deklaroi se e kishte sjellë nga Tirana, për llogari të një shtetasi në Shkodër. Vijon puna për kapjen dhe shoqërimin e tij.
Ndërkohë janë kontrolluar 1872 automjete dhe 134 ambiente të ndryshme, dhe në të gjithë vendin u bllokuan edhe 33 automjete pa dokumentacion dhe disa të shpallura alert. Janë shoqëruar për verifikim në ambientet e Komisariateve të Policisë në të gjithë vendin, 112 shtetas, ndër ta 32 persona me precedent penal/kriminal.