VLORE - Rastet e shumta të personave të arrestuar nga policia dhe të liruar më tej nga gjykatat, sipas ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri, lindin nevojën urgjente për reformimin sa më shpejt të sistemit të drejtësisë. Nga Vlora, në fjalën e mbajtur gjatë analizës vjetore të punës së Policisë së qytetit bregdetar, Tahiri tha se prokuroria dhe gjykatat duhet të ndjekin të njëjtin ritëm si policia përballë luftës ndaj kriminalitetit dhe goditjes së tij me dënime të rënda. 

"Nuk duhet parë puna e Policisë veçmas nga puna që bëjnë organet e Drejtësisë. Kriminelët që arreston Policia duhet të merren në burg e të vuajnë dënimin, ndaj Reforma në Drejtësi përcakton këto standarde: për të mos pasur më kurrë kriminelë që riciklohen në shoqëri për shkak të vendimeve të korruptuara të gjykatave. Jeni dëshmitarë të ngjarjeve të përsëritura, me njerëz që kanë rekorde kriminale të përsëritura, që në vlerësimin tonë duhet të ishin duke vuajtur dënimin (siç ndodh në  çdo vend të botës). 
Një njeri që kryen një ngjarje kriminale nuk mund të gjendet  i lirë pas dy vitesh, e të përsërisë të njëjtat ngjarje kriminale! Reforma në Drejtësi duhet të adresojë pikërisht këto çështje. 
Në tërësi, Reforma në Drejtësi duhet t’i përgjigjet prioriteteve të shoqërisë - e një ndër to është pa asnjë dyshim ndërtimi i një kapitulli tërësisht të ri në raportin ndërmjet Policisë, institucioneve në tërësi dhe qytetarëve, për ta bërë Shqipërinë një vend më të sigurt.  Dhe që të ndodhë kjo duhet të garantojmë që puna e Policisë dhe me radhë Prokuroria e më pas Gjykatat të ndjekin të njëjtin ritëm. Kjo do të thotë që të korruptuarit të shkojnë në burg; ata që shkelin ligjin dhe kryejnë vepra penale kundër njeriut të shkojnë në burg; ata që shkelin ligjin (qoftë edhe për rregullat e qarkullimit rrugor siç përcakton Kodi Penal) të marrin dënimin e merituar. Vetëm kështu mund të shpërblejmë besimin e njerëzve që respektojnë ligjin, në raport me sigurinë që duhet t’u japim qytetarëve", - u shpreh ministri.

Tahiri shtoi në fjalën e tij se edhe armëmbajtja pa leje duhet të klasifikohet si vepër e rëndë e këtë ia ka kërkuar edhe ministrit të Drejtësisë. Kjo sipas tij do shmangte shumë krime dhe shoqëria do ndihej më e sigurt.

"Ne po presim zbardhjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për armëmbajtjen pa leje. Unë rezervohem të jap gjykimin tim kur të shoh vendimin e zbardhur, sepse në pikëpamjet time paraprake është një vendim mjaft i rrezikshëm.  Gjithsesi, duke respektuar autoritetin e Gjykatës Kushtetuese dhe vendimin që pritet të zbardhet, do marrim masa që edhe armëmbajtjen pa leje ta rikthejmë si vepër të rëndë penale. Për këtë kam biseduar edhe me kolegun Manjani edhe me kolegët në parlament, sepse është një  çështje vendimtare në luftën kundër kriminalitetit. Personalisht mendoj që armëmbajtja pa leje duhet të dënohet në mënyrë maksimale dhe të rëndë. Është një fenomen që duhet të na shqetësojë shumë si shoqëri, për sa kohë ka njerëz që ende për zgjidhjen e konfliktit të tyre i drejtohen armës. Armëmbajtja pa leje nuk mund kurrë të lehtësohet si vepër penale. Paraprakisht më duket vendim mjaft i rrezikshëm por pres të zbardhet. Do reflektohen sugjerimet e Gjykatës Kushtetuese, por do kërkoj me insistim që armëmbajtja pa leje të quhet vepër mjaft e rëndë penale", - tha Tahiri.

Ministri Tahiri tha se viti 2015 shënoi rekorde historike në luftën kundër kriminalitetit, ku u shënua numri më i ulët i vrasjeve në 25 vitet e fundit. 

"Viti 2015 ishte një vit me rezultate historike, në raport me shërbimin ndaj qytetarëve për të ndërtuar besimin e publikut tek Policia (e pa asnjë dyshim ajo e Vlorës nuk bën dallim), e po ashtu me rezultatin kundër kriminalitetit ndaj të gjithë veprave penale. Sot Shqipëria është më e sigurt. Policia e Shtetit është në krye të detyrës. Bashkëpunimi me qytetarët ka njohur rritje të dukshme. E kjo tregon se, mbi suksesin e ngritur vitin e kaluar, mund të ndërtojmë histori solide suksesi edhe këtë vit. Pra kemi hapur një kapitull të ri për Policinë e Shtetit, duke shënuar momente historike në raport me shërbimin e punonjësve të Policisë me qytetarin dhe në luftën kundër paligjshmërisë dhe kriminalitetin", - tha kreu i Ministrisë së Brendshme.

Pyetje pergjigje nga gazetaret
Gazetari:
Një detyrë funksionale e Policisë që lidhet sërish me ngjarjet është dhe parandalimi. Si e vlerësoni atë? Ministri Tahiri: Viti i kaluar shënoi rekorde historike në kuadër të luftës kundër kriminalitetit. Viti 2015 ishte viti i parë me numrin më të vogël të vrasjeve - kjo e krahasuar, jo vetëm me çdo vit të 25 viteve të kaluara, por edhe me vendet më të zhvilluara të BE. 

"Kjo do të thotë që kapaciteti parandalues (veçanërisht), por edhe kapaciteti reagues i Policisë ka funksionuar mjaft mirë. Ka gjithmonë vend për të bërë më mirë! Dhe suksesi që kemi ndërtuar në vitin 2015 është mundësi për të besuar se mund të bëjmë akoma më mirë".

Gazetari:
Personalisht ju zhgënjeu ky fillimvit  për ngjarjet e ndodhura?

"Kam për të përsëritur të njëjtën përgjigje: unë besoj që puna e Policisë duhet gjykuar në kompleks".

Gazetari:
Z. Tahiri, janë proklamuar arritjet e Policisë kryesisht në luftën kundër narkotikëve. Referuar kryesisht Vlorës: që prej vitit 2011 ka një sërë ngjarjesh të bujshme të pazbardhura. Çfarë bëhet me to? Çfarë bëhet në tërësi në fakt me ngjarjet e pazbardhura?

"Nuk dua të ndalem te ngjarje të veçanta, por në Vlorë janë ulur vrasjet, janë ulur plagosjet, janë ulur të gjitha veprat penale. Kështu që nuk është vetëm çështja e luftës kundër narkotikëve. Në tërësi flitet për qasjen e Policisë ndaj shoqërisë, publikut, qytetarëve, ndaj atyre që shkelin ligjin, me besimin reciprok dhe me bashkëpunimin intensiv të atyre që nuk shkelin ligjin dhe që janë shumica dërrmuese".

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)