Mungesa e sinjalistikës rrugore dhe prania e kryqëzimeve të rrezikshme në aksin LushnjëFier rrezikojnë të kthehen në burim aksidentesh, veçanërisht gjatë periudhës së festave, kur fluksi i lëvizjes është i shtuar.

Në këtë kuadër, Drejtoria Vendore e Policisë Fier i ka dërguar një shkresë zyrtare Autoriteti Rrugor Shqiptar, duke kërkuar mbylljen ose riorganizimin e disa kryqëzimeve problematike në këtë aks.

Sipas Policisë, kryqëzimet që paraqesin rrezik të lartë janë: Kryqëzimi i Cakranit, Kryqëzimi i Kafarajt, Kryqëzimi i Vajkanit, Rrethrrotullimi i Kolonjës, Kryqëzimi i Pushimit të Shoferit dhe Mbikalimi i Savrës. Për këto pika është kërkuar devijimi i trafikut në rrugë alternative për të shmangur aksidentet.

Shefi i Qarkullimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, Lulzim Marini, tha për Report TV se menaxhimi i trafikut të rënduar dhe parandalimi i ngjarjeve të rënda rrugore me pasoja fatale do të jenë prioritet i strukturave të Policisë gjatë kësaj periudhe festive.

Sipas tij, aksi Lushnjë–Fier, si edhe akset Levan–Tepelenë, Fier–Lushnjë, Lushnjë–Berat dhe Çermë–Divjakë, do të monitorohen me mjete inteligjente dhe radarë, ndërsa në natën e ndërrimit të viteve do të ketë patrullime të shtuara dhe kontrolle me aparat drager për drejtuesit e mjeteve që konsumojnë alkool.

Policia Rrugore apelon për kujdes të shtuar në drejtimin e automjeteve dhe bashkëpunim nga qytetarët për të denoncuar çdo shkelje të Kodit Rrugor në numrat 112 dhe 129.