Drejtoria Vendore e Policisë Fier ka reaguar në lidhje me pretendimet e disa të rinjve se janë skualifikuar padrejtësisht nga gara për në Akademin e Sigurisë.
Autoritetet njoftojnë se aplikantët janë skualifikuar pasi nuk kanë plotësuar kriteret, shkak mosha dhe dënimet, ndërsa më tej bëhet me dije se ata janë informuar në lidhje me skualifikimin.

Sipas Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, nga 21 aplikantë të skualifikuar, 9 prej tyre kanë depozituar ankimimin e vendimit.
Gjatë fazës së verifikimit të dokumentacionit, nëse aplikantët nuk plotësojnë qoftë edhe 1 kriter të vetëm, ata skualifikohen.
Njoftimi
Drejtoria Vendore e Policisë Fier, duke marrë shkas nga reagimet e disa shtetaseve në media, në lidhje me pretendimet e ngritura se janë skualifikuar padrejtësisht, duke mos iu dhënë mundësia për të vijuar në fazat e konkurrimit në Kolegjin Profesional të Formimit Policor në Akademinë e Sigurisë për Patrullë të Përgjithshme, ju bën me dije se:
Aplikantët, në bazë të ligjit nr.108/2014 "Për Policinë e Shtetit" dhe urdhrit nr. 846, datë 15.09.2021, të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, duhet të plotësojnë kriteret e nenit 38 të Ligjit për Policinë e Shtetit dhe të nenit 44 të VKM nr.1143, datë 09.12.2020, e ndryshuar.
Gjatë fazës së verifikimit të dokumentacionit, nëse aplikantët nuk plotësojnë qoftë edhe 1 kriter të vetëm, ata skualifikohen.
Sektori i Burimeve Njerëzore në DVP Fier i ka njoftuar me shkresë zyrtare aplikantët që nuk kanë plotësuar kriteret në lidhje me vendimin e skualifikimit, në total 21 persona, nga të cilët 5 për shkak të moshës dhe 16 për mosplotësim të pikës gjashtë germa f (të mos jetë i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtje penale me dashje) dhe pikës nëntë (kriteri i besueshmërisë).
Aplikantët, pasi janë njohur me vendimin e skualifikimit, kanë patur të drejtën e ankimimit të vendimit në Komisionin e Posaçëm të Ankesave të ngritur pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, i cili i shqyrton ankesat e tyre brenda tre ditëve. Aktualisht pranë burimeve njerëzore në DVP Fier, nga 21 aplikantë të skualifikuar, 9 prej tyre kanë depozituar ankimimin e vendimit.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier siguron aplikantët dhe të gjithë qytetarët se ka zbatuar me rigorozitet të gjitha procedurat ligjore gjatë fazës verifikuese të dokumentacionit të aplikantëve.
Lajmi kryesor:
21 të rinj në Fier skualifikohen nga aplikimi për në Akademinë e Sigurisë: Nuk na thanë motivacion! Policia e Fierit: Shkak mosha dhe dënimet
K.T./Shqiptarja.com
