PRISHTINE, 2 dhjetor/ATSH/. - Ministria e Punëve të Brendshme në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, bëri shkatërrimin edhe të 2246 armë të vogla dhe të lehta, nëpërmjet mbështetjes së marrë nga Bashkimi Evropian dhe iniciativa e SEESAC-së e UNDP-së, ben te ditur KosovaPress.
Ky aktivitet është i realizuar në kuadër të Strategjisë të Kosovës për Kontrollin e Armëve dhe Planit të Veprimit, nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe është mbështetur nga UNDP - projekti për Kontrollin e Armëve të Vogla në Kosovë (KOSSAC).
Drejtori i Departamentit për Siguri Publike në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Mensur Hoti, ka thënë gjatë shkatërrimit të këtyre armëve se ky është një aktivitet shumë i rëndësishëm për Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policinë e Kosovës. Ai citohet të ketë thënë se ky është aktiviteti i dytë për këtë vit për shkatërrimin e armëve të cilat kanë qenë të përdorura për veprime të paligjshme. "Duke llogaritur edhe armët që janë shkatërruar herën e kaluar pra kemi 3146 armë të shkatërrua. Shkatërrimi i një numri kaq të madh të armëve e renditë Kosovën në vendin e parë prej vendeve të rajonit për nga numri i armëve të shkatërruara", tha Hoti.
Ndërsa përfaqësuesi i UDNP-së, Richard Lundgren, ka thënë se UDNP për të dytën herë është duke ndihmuar Policinë e Kosovës në shkatërrimin e armëve ilegale. Ai, thuhet të ketë thënë se shumë armë që po shkatërrohen sot janë konfiskuar nga aktivitete ilegale dhe shkatërrimi i tyre do të thotë se këto armë nuk do të kenë potencial për të vrarë apo lënduar dikë. /a.ke/