Policia e Shtetit ka publikuar bilancin e kontrolleve të bëra gjatë një jave në vend në kuadër të festave të fundvitit. Gjatë kësaj jave në 16 operacione të organizuara janë arrestuar 135 persona për vepra të ndryshme penale, mes tyre 6 të shpallur në kërkim.
Ndërkohë që janë sekuestruar mijëra kapsolla dhe fishekzjarre me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë festave të fundvitit. Sa i takon operacioneve në fushën e armëmbajtjes pa leje janë goditur 25 raste, si rezultat i të cilave janë sekuestruar 5 armë zjarri, municion luftarak, armë të ftohta dhe sende të forta.
Disa prej operacioneve të zhvilluara gjatë kësaj jave:
Si rezultat i operacioneve “Flagranca” dhe “Muzgu”, në Krujë dhe në Lezhë, u vunë në pranga 2 shtetas të cilët mbanin pa leje, 2 armë zjarri pistoleta.
Në kuadër të operacionit “Lusen”, të zhvilluar në Kukës, u parandalua një ngjarje e rëndë kriminale në familje dhe u sekuestrua një armë zjarri që mbahej pa leje, në banesën e kësaj familjeje.
Në Lezhë, si rezultat i operacionit “Fundviti” u identifikuan dhe u vunë në pranga, 2 autorët e dyshuar të plagosjes së rëndë, për shkak të detyrës, të një punonjësi të OSHEE.
Në të gjithë vendin janë goditur 31 raste në fushën e krimeve ekonomike, 24 raste vjedhjesh dhe 6 raste të organizimin të kundërligjshëm të lojërave të fatit.
Në Kakavije dhe në Port Durrës, u finalizuan operacionet “Vigjilje” dhe “Artikujt”, për goditjen e kontrabandës, si rezultat i të cilëve u vunë në pranga 1 doganier dhe 2 shtetas që transportonin mallra të ndryshme të kontrabanduara.
Nga DVP Tiranë u finalizuan operacionet “Falsifikimi” dhe “Saga”, të cilat rezultuan me vënien në pranga të 3 shtetasve të cilët kishin përshtatur një ambient për falsifikimin e dokumenteve të ndryshme, dhe të 2 shtetasve të tjerë që u vidhnin sendet personale, qytetarëve, duke i kërcënuar me mjete prerëse (thika).
Nga DVP Elbasan u finalizua operacioni “Shuma” që rezultoi me vënien në pranga të një 26-vjeçari, pasi kanosi me armë zjarri, një shtetas tjetër, për dhënien e 3000 eurove.
Ndërsa përr shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, gjatë kësaj jave janë pezulluar në total 591 patenta, 472 prej tyre për qarkullim me shpejtësi mbi normat e lejuara, 42 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur dhe 66 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.
Gjithashtu janë arrestuar 34 drejtues mjetesh, nga këta: 26 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 8 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.