TIRANE - Policia e Shtetit, zhvilloi sot analizën 1-vjeçare të punës së kryer gjatë vitit 2012 nga strukturat e policisë në të gjithë vendin për garantimin e sigurisë publike, gjatë së cilës u prezantuan dhe objektivat për vitin 2013. Në këtë aktivitet krahas Drejtuesve më të lartë të Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme, ishin të pranishëm edhe Prokurori i Përgjithshëm, Avokati i Popullit, drejtues të institucioneve të tjera ligjzbatuese, oficerë të kontaktit të vendeve të BE-së, etj.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Z. Hysni Burgaj, prezantoi një raport përmbledhës analitik mbi veprimtarinë e organizatës së Policisë së Shtetit për vitin 2012, progresin e bërë, dinamikën e saj, përballjen me vështirësitë dhe zgjidhjet e dhëna, si dhe hapat e hedhur drejt zhvillimit e përmirësimit të standardeve profesionale dhe performancës.

“Viti 2012 ka qenë një vit i ngarkuar me objektiva të rëndësishme për Policinë e Shtetit por, edhe me aktivitete masive e manifestime kulturore, artistike e politike, në kuadër të 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë dhe themelimit të shtetit shqiptar. Për përmbushjen e këtyre përgjegjësive janë angazhuar forca të shumta policore, të cilat janë dalluar nga përkushtimi e shpirti i sakrificës, profesionalizmi e përgjegjshmëria e lartë ndaj detyrës”, theksoi Z. Burgaj.

Ministri i Brendshëm, Z. Flamur Noka, gjatë fjalës së tij në analizën një-vjeçare të punës dhe arritjeve të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, i cilësoi treguesit e arritur si dëshminë më të mirë të punës dhe përkushtimit të të gjithë efektivëve të policisë, tregues që morën dhe vlerësimin pozitiv në progres raportin e KE për vitin e kaluar.

ANALIZA E PLOTE E POLICISE SE SHTETIT