TIRANE - Policia e Shtetit njoftoi se më datë 8 korrik të këtij viti i janë referuar materialet në Prokurorinë e Përgjithshme ndaj Gjin Gjonit për veprën penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, duke ka reaguar kështu pas akuzave të këtij të fundit se ndaj tij janë bërë akuza me prapavijë politike.

Përmes një njoftimi për shtyp bëhet e ditur se Drejtoria për Krimin Ekonomik e Financiar në Policinë e Shtetit, bëhet e ditur se si indicje për këtë referim ka shërbyer kallëzimi penal i ILDKP-së ndaj këtij shtetasi, për veprat penale të deklarimit të rremë të pasurisë dhe falsifikimit të dokumenteve.
 
Sipas policisë duke ju referuar shumave relativisht të larta të investuara në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme që disponon Gjoni, ku të krahasuara me të ardhurat nga paga apo bizneset e tij dhe të bashkëshortes së tij, dyshohet se ka një pasuri të pajustifikuar, të dyshimtë, e cila ka burimin financiar nga aktivitete të paligjshme.
 
Në njoftimin për shtyp të policisë bëhet e ditur se në këtë referim ndaj gjyqtarit Gjin Gjoni janë marrë parasysh pasuritë që ai dhe e shoqja e tij disponojnë, të ardhurat ndër të vite të tyre, dokumentacioni lidhur me shoqëritë që disponon Gjoni dhe bashkëshortja e tij si dhe është marrë informacion nga strukturat tatimore lidhur me detyrimet e tyre.
 
Ndërkaq materialet procedurale ndaj Gjin Gjoni i kanë kaluar Prokurorisë së Përgjithshme për procedime të mëtejshme për veprën penale “Fshehje apo deklarimi i rremë i pasurisë”.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)