Me orë rriten tensionet mes Kosovës dhe Serbisë. Policia e Kosovës deklaroi sot në mesditë (14 qershor 2023) se tre pjesëtarë të policisë kufitare të Kosovës u rrëmbyen nga forcat serbe në veri në zonën kufitare me Serbinë.  Në një video të publikuar nga Ministria e Brendshme e Serbisë, duken forcat e xhandarmërisë serbe të armatosur dhe me maska që shoqërojnë 3 policët, të cilëve u ishin lidhur duart nga prapa me pranga.   

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e quajti agresion nga ana e Serbisë. Ndërsa në mbrëmje Kryeministri i Kosovës Albin Kurti kërkoi lirimin e  menjëhershëm. të tre policëve të rrëmbyer nga Forcat e Armatosura të Serbisë brenda kufijve të Kosovës.

"Tre policë të Kosovës janë rrëmbyer sot nga Forcat e Armatosura të Serbisë brenda kufijve të Kosovës. Si inkursioni i forcave ashtu edhe rrëmbimi janë akte të hapura agresioni ndërkombëtar. Ne bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm të oficerëve dhe që komuniteti ndërkombëtar të denoncojë këto akte" shkruajti Kurti në një reagim në Tëitter.

Ndërkohë në një reagim të vetëm disa minutave para kryeministrit të Kosovës, presidenti serb Aleksandër Vuçiç tha se Kurti po provokonte luftë dhe se  policët ishin arrestuar, në territorin serb 1.8 km larg kufirit 

“Këta njerëz nuk kanë çfarë të kërkojnë në zonën Tresava-Batnjik pa miratimin e KFOR-it, sidomos me tyta të gjata”, tha Vuçiç në Radio televizionin e Serbisë (RTS).

Më tej Vuçiç thotë se Kurti kërkon të provokojë luftë.

“Albin Kurti dëshiron të provokojë luftë, dëshiron konflikt me çdo kusht”, tha Vuçiç.

Ndërhyn BE e KFOR
Në në orët e pasdites Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, vizitoi vendin në Leposaviç ku policët - Rifat Zeka, Beqir Sefi dhe Mustafa Shemi - u rrëmbyen. Nga aty deklaroi se nuk dihet se ku policët po mbahen dhe se ishin nën arrestin e institucioneve serbe. 

Po në mbrëmje zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano deklaroi se ishin në kontakt me Kosovën, Serbinë e KFOR-in për të kuptuar më shumë rreth asaj çfarë kishte ndodhur dhe bëri thirrje për përmbajtje nga çdo veprim apo reagim që mund të kontribuojë më tej në ngritjen e tensioneve. Edhe  KFOR-i  përmes një deklarate njoftoi se ishte në kontakt me autoritetet e Serbisë që të marrë informacione se çfarë kishte ndodhur. 

Policët e lidhur
Tre policët ishin pjesë e njësisë policore patrulluese e kufirit në Tresave/ Bare në veri. Kryeministri Albin Kurti deklaroi më herët se rrëmbimi ishte kryer 300 metra në brendësi të territorit të Kosovës dhe ishte hakmarrje e Serbisë pas arrestimit të Millun Millenkoviç. Serbi i njohur dhe me nofkën Lluni  dyshohet se është një nga organizatorët e sulmit ndaj ushtarëve të KFOR, gazetarëve dhe policëve të Kosovës më 29 maj kur ndodhën protestat e dhunshme në veri të Kosovës. Ndërkohë që ministria e Brendshme e Serbisë thotë se ata janë arrestuar pasi kanë qenë brenda në territorin serb dhe vetë ata nuk kanë hyrë në territorin kosovar.   

Incidenti mbetet ende i paqartë dhe shton minutë pas minute tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për shkak të zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës.

Fillimisht lajmi u mësua nga mediat serbe të cilët publikuan dhe videon e policëve të lidhur me duart prapa dhe që i kishin mbyllur sytë, duke deklaruar se ata ishin arrestuar pasi kishin hyrë në territorin serb.

Si ndodhi rrëmbimi sipas policisë së Kosovës
Pak minuta më vonë reagoi policia e Kosovës duke e quajtur rastin rrëmbim. Policia e Kosovës tha se policët e njësisë policore patrulluese të kufirit kanë qenë me detyre në pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës, për  të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, të cilat shfrytëzoheshin nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë. Ata kanë kërkuar forca shtesë pasi kishin pikasuar persona të maskuar dhe të armatosur në afërsi të kësaj pike. Kur kanë shkuar forcat shtesë nuk kanë gjetur policët por makinën e tyre. 

"Sot, në mesditë nga njësiti policor i cili ishte në përbërje prej tre zyrtarëve kufitar, kanë njoftuar se në afërsi të pikës statike kanë vërejtur person/a të maskuar dhe të armatosur, me këtë rast në drejtim të kësaj pike në asistencë janë nisur njësi shtesë të PK-së. Me të arritur në atë lokacion, njësitet asistuese kanë vërejtur vetëm veturën zyrtare por jo edhe vet zyrtarët policorë që kanë qenë me detyrë në atë lokacion. 

Në drejtim të këtij lokacioni menjëherë kanë shkuar edhe njësite tjera policore, si dhe janë informuar edhe institucionet tjera të sigurisë, përfshirë KFOR-in, pasi dyshohet se zyrtarët policor janë kidnapuar nga forcat serbe. Me qëllim që të ndërmerren veprime konkrete për sigurinë e zyrtarëve policorë që dyshohet të jenë kidnapuar nga forcat serbe, janë kontaktuar të gjitha mekanizmat vendor dhe ndërkombëtar që të njëjtit të lirohen sa më parë dhe të kthehen në Polici të Kosovës.  Po ashtu edhe media të ndryshme serbe kanë raportuar se pjesëtarët e njësiteve speciale serbe, kanë arrestuar zyrtarët e Policisë së Kosovës"

Edhe ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Svelça përmes një postimi në facebook tha se policët janë rrëmbyer brenda territorit të Kosovës dhe kërkoi ndërhyrjen urgjente të ndërkombëtarëve. 

"Serbia kriminale ka hyrë në territorin e Kosovës dhe ka kidnapuar 3 zyrtarë policorë të Republikës së Kosovës, në shkelje të çdo marrëveshje e kundër çdo parimi të normave ndërkombëtare... Kërkojmë nga faktori ndërkombëtar të rrisë urgjentisht presionin ndaj Serbisë që jo vetëm të lirojë zyrtarët tanë policorë por edhe të ndalë provokimet e saj" shkruan Svelça.

Si ndodhi arrestimi sipas Beogradit
Nga Beogradi, drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviç, tha se pjesëtarët e policisë së Kosovës,  u arrestuan “në thellësi të territorit të Serbisë”, në një fshat në afërsi të Rashkës dhe se policia serbe nuk ka shkelur territorin kosovar. 

“Dëshiroj të theksoj se pjesëtarët e policisë sonë nuk kanë shkelur në territorin e Kosovës dhe nuk kanë shkelur as rezolutën 1244 (të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara) dhe as marrëveshjen ushtarako-teknike për shkak se nuk kanë kaluar vijën administrative. Ata që kanë shkelur këto marrëveshje ndërkombëtare janë pikërisht pjesëtarët e policisë së Kosovës”, tha Petar Petkoviç, duke theksuar se Serbia është e gatshme të ofrojë të gjitha provat dhe kërkoi hapjen e një hetimi ndërkombëtar, nëse është e nevojshme.

Kurti: Serbia po hakmerret ndaj arrestimit të Millun Millenkovic
Kryeministri Albin Kurti thonë se rrëmbimi është kryer 300 metra në brendësi të territorit të Kosovës. Në një reagim të bërë së fundmi, Kurti tha se rasti lidhet me një hakmarrje të Serbisë për arrestimin e Millun Millenkoviç dhe shtoi se bëhet fjalë për përpjekje destabilizuese. 

Veriu i Kosovës nuk është i qetë 
Kjo ngjarje po ndodh në kohën kur tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë rritur. Tensionet nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, nën shoqërimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë dhe kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet janë lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.

Ndërkombëtarët po ndërmjetësojnë fuqishëm për gjetjen e një zgjidhjeje mes Serbisë dhe Kosovës që të depërshkallëzojë këtë situatë të tensionuar. Madje ata kanë paralajmëruar edhe sanksione nëse nuk do të gjendet një zgjidhje. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:50
KFOR-i po përpiqet të marrë informacione nga Serbia për tre policët

1686130946_kfor.JPG

KFOR-i ka thënë se është në kontakt me autoritetet e Serbisë që të marrë informacione se çfarë ka ndodhur me rastin e tre policëve të cilët dyshohet se u kidnapuan nga territori i Kosovës.

Në një komunikim për media, KFOR-i ka thënë se nuk është përfshirë në ngjarjen e sotme.

“KFOR nuk ka qenë i përfshirë në ngjarjen e sotme sa i përket tre pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe aktualisht është në kontakt me autoritetet serbe për të marrë informacion zyrtar mbi atë çfarë ka ndodhur”.- bën me dije KFOR.

Ora 21:15
Deputetja britanike: Nëse policët e Kosovës janë rrëmbyer ky është përshkallëzim serioz

1686757320_kosove.jpg

Deputetja e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns, ka thënë se nëse policët kosovarë janë rrëmbyer nga forcat serbe atëherë ky është një përshkallëzim shumë serioz.

Ajo ka thënë se fuqitë e mëdha kanë qenë shumë kritike për Kosovën, duke e paralajmëruar Kosovën për sanksione.

“Nëse policët kosovarë janë rrëmbyer nga forcat serbe që kanë hyrë ilegalisht në Kosovë, ky është një përshkallëzim shumë serioz”.

“Kjo do të kërkonte një sanksion të rëndësishëm nga fuqitë perëndimore, të cilat nuk janë përmbajtur nga sanksionet dhe kritikat ndaj Kosovës për shumë, shumë më pak”, ka shkruar ajo në Twiter.

Ora 20:53
U arrestua se sulmoi KFOR-in, gjykata cakton 1 muaj paraburgim për Millenkoviçin

Gjykata Themelore e Prishtinës i ka shqiptuar masën prej një muaji paraburgim Millun Millenkoviç – Llune, që u arrestua në Mitrovicë të Veriut më 13 qershor, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë, avokati i tij, Nebojsha Vllajiç.

“Sot pasdite në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në departamentin e posaçëm, është mbajtur seanca për të vendosur lidhur me propozimin e prokurorit publik për caktimin e paraburgimit. Propozimi i prokurorit është miratuar dhe atij i është caktuar paraburgimi prej 30 ditësh”, tha Vllajiç.

Mbrojtja ka 48 orë kohë për të apeluar këtë vendim. Avokati tha se Millenkoviç është dërguar në një burg në Podujevë.

Millenkoviq u arrestua të martën në Mitrovicën e Veriut gjatë një aksioni të njësive speciale të Policisë së Kosovës.

Vllajiç tha se Prokuroria e akuzon klientin e tij për tri vepra penale: terrorizëm, ndryshimi i rendit kushtetues përmes dhunës dhe rrezikim të personit nën mbrojtje ndërkombëtare.

Ora 20:38
Kurti reagon sërish për rrëmbimin e 3 efektivëve: Të lirohen menjëherë! Komiteti ndërkombëtar të denoncojë këto akte

1686261392_albinkurti.jpg

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka reaguar në lidhje me arrestimin e 3 efektivëve të policisë së Kosovës nga forcat serbe. Sipas Kurtit policët duhet të lirohen menjëherë dhe komiteti ndërkombëtar duhet të denoncojë këto akte.

‘Tre policë të Kosovës janë rrëmbyer sot nga Forcat e Armatosura të Serbisë brenda kufijve të Kosovës. Si inkursioni i forcave ashtu edhe rrëmbimi janë akte të hapura agresioni ndërkombëtar. Ne bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm të oficerëve dhe që komuniteti ndërkombëtar të denoncojë këto akte.’- shkruan Kurti.

Ora 20:24
Arrestimi i organizatorit të sulmit ndaj KFOR, Vuçiç: Kisha garanci nga BE dhe NATO që s’do viheshin në pranga

1685908643_aleksandervucic.JPG

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka komentuar arrestimin e një prej organizatorëve të sulmit ndaj KFOR, Milun Milenkoviç. Ai ka thënë për RTS, se kishte garanci nga NATO dhe BE se nuk do kishte arrestime.

“E gjithë kriza fillon në momentin kur dikush vendos të shkojë në zgjedhje për të cilat dihet se janë krejtësisht jolegjitime dhe nuk mjafton që ata të caktojnë dikë të tyren në Mëhallën e Boshnjaçkës, tha Vuçiç.

Ora 20:16
Rrëmbimi i tre policëve të Kosovës, Vuçiç: Kurti kërkon luftë, policët u arrestuan 1.8 km larg kufirit

1685566324_vui.jpg

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar se asnjë ushtar dhe asnjë polic nga Serbia nuk ka hyrë përtej kufirit me Kosovën. Ai tha se policia serbe arrestoi tre policë të Kosovës 1.8 kilometra larg kufirit.

“Këta njerëz nuk kanë çfarë të kërkojnë në zonën Tresava-Batnjik pa miratimin e KFOR-it, sidomos me tyta të gjata”, tha Vuçiq në Radio televizionin e Serbisë (RTS).

 Vuçiç thotë se Kurti kërkon luftë.

“Albin Kurti dëshiron të provokojë luftë, dëshiron konflikt me çdo kusht”, tha Vuçiç.

Vuçiç tha se “jemi në udhëkryq se a do të vazhdojmë të kemi paqe ose jo”.

Ai akuzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se me do kusht dëshiron të “shkaktojë luftë dhe konflikte”.

“Do të shohim se cilat ishin qëllimet e vërteta të të arrestuarve”, tha ai.

Duke komentuar raportimet e mediave se Qeveria e Kosovës ka ndaluar importin e mallrave nga Serbia, Vuçiq tha se kjo tregon se “ju dëshironi t’i torturoni njerëzit në veri, t’i lini pa ilaçe dhe ushqime elementare”.

Ora 20:00
Ministri i Brendshëm në Kosovë: Policët s’e dimë ku janë, jemi në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare

1686782777_639713uwoOPBejeW.png

Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, deklaroi se policët e rrëmbyer nga Serbia nuk dihet ku po mbahen dhe janë nën arrestin e institucioneve serbe. Ai vizitoi lokacionin në Bare, ku policët u rrëmbyen dhe deklaroi se policia apo ushtria e Serbisë është futur në brendi të territorit të Kosovës rreth 600 metra.

“Më treguan se policia apo ushtria e Serbisë është futur 600 metra brenda territorit të Kosovës e pastaj kanë vazhduar në grupe të ndara në këmbë dhe janë futur diku rreth një km brenda territorit të Kosovës dhe kanë kidnapuar 3 zyrtarë policorë nga Njësiti për Mbikëqyrje të Kufirit, të cilët, edhe me vetë deklarimin e autoriteteve të Serbisë, janë të arrestuar”, deklaroi Sveçla, duke shtuar se “ky akt, për ne dhe për botën demokratike, është një incident i rëndë”.

Më tej tha se janë duke u koordinuar me bashkësinë ndërkombëtarë që “ajo të jetë e qartë për këtë veprim kriminal”.

Sipas ministrit Sveçla, Serbia duhet t’i kthejë sa më shpejt zyrtarët policorë, së bashku me pajisjet e tyre private dhe zyrtare.

“Për ne, por edhe për botën demokratike, jo vetëm që është e papranueshme, por edhe incident i rëndë. Në kësi lloj aktivitetesh të parapërgatitura, ai që sulmon në befasi ka përparësi. Kjo është bërë në shenjë hakmarrjeje për arrestimin e kriminelit Llune. Tash çka po ndodh është Serbia kriminale, duke vepruar njëjtë, përmes sjelljeve kriminale, duke u munduar të minojë rrugën tonë drejt shtetndërtimit e shtrirjes së sovranitetit. S’do t’ia dalë, e as të na zmbraps, e as të na ndalë. Ne jemi në të drejtën tonë dhe do të vazhdojmë të veprojmë sipas ligjit”, deklaroi ministri.

Sveçla ka thënë se me qëllim të parandalimit të kontrabandës qysh më herët është bllokuar rruga në të cilën janë rrëmbyer policët. Ai ka shtuar se janë bërë gropa të cilat janë dëshmi që policët nuk kanë qenë në territorin e Serbisë siç ajo pretendon. Ka shtuar se “të gjithë ata që e shkelin ligjin do të sillen para drejtësisë”.

Sveçla shtoi se Serbia po rrezikon jetën e zyrtarëve të Kosovës dhe të qytetarëve. Ai shtoi se ka informacione për arrestime të qytetarëve kosovarë në pikën kufitare në Merdare.

“Kemi informacione paraprake për arrestime të qytetarëve tanë në pikën kufitare në Merdare”, deklaroi Sveçla.

Masa e ndaljes së futjes të mallrave serbe në Kosovë, sipas ministrit, do të vazhdojë deri në një vlerësim tjetër të sigurisë.

“...Ne nuk e dimë ku janë, lokacionet ku po mbahen, janë nën arrestim, në duar të institucioneve të Serbisë. Reagimi ynë është i qartë, jemi duke u koordinuar me bashkësinë ndërkombëtare që ajo të jetë e qartë për këtë hap kriminal të Serbisë. Po ashtu, të shfrytëzohet influenca që zyrtarët e kanë kryer detyrën e tyre në shtetin e tyre, të kthehen sa më parë bashkë me pajisjet e gjërat, qoftë të Kosovës, qoftë të tyre personale dhe në të njëjtën kohë, do të vazhdojmë me shtrirjen e rendit dhe të ligjit. Me forcim të institucioneve të sigurisë”, tha ai.

Ora 19:38
Ministrja e Albin Kurtit sulmon Perëndimin për rrëmbimin e tre policëve nga serbët: Duhet të përgjigjeni ju për këtë provokim

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar në lidhje me rrëmbimin e tre policëve të Kosovës nga pala serbe. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Haxhiu e ka cilësuar këtë ngjarje si një provokim të Serbisë, por thekson se faktori ndërkombëtar duhet të përgjigjet.

“Serbia kriminale ka rrëmbyer tre pjesëtarë të policisë së Republikës së Kosovës në Leposaviç.Për provokime si këto, të organizuara nga Serbia me qëllim të destabilizimit të situatës në veri, duhet të përgjigjet edhe faktori ndërkombëtar”, ka shkruar ajo.

Ora 19:15
Rrëmbimi i tre policëve, Konjufca kërkon reagimin ndërkombëtar: Serbia cenoi sovranitetin e sigurinë e Kosovës

1681991900_glaukkonjufca.JPG

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, e ka dënuar “aktin e rëndë të rrëmbimit të tre policëve kufitarë të Republikës së Kosovës nga xhandarmëria serbe”. Ai ka thënë se është akt i cenimit të sigurisë dhe sovranitetit nga Serbisa.

“Ky akt i cënimit të sovranitetit dhe sigurisë së Kosovës nga Serbia është tregues i qartë se kush dëshiron të nxisë tensione në mes dy vendeve. Në kohën kur Serbia do duhej të urdhëronte bandat kriminale në veri të Kosovës që të tërhiqeshin nga përpjekja për destabilizim të rendit në katër komunat veriore të Kosovës, ajo vazhdon më tutje duke i përfshirë formacionet zyrtare policore në cënimin e integritetit territorial të Kosovës”, ka shkruar ai.

Konjufca shkruan se Serbia nuk është e gatshme për zgjidhje me veprime të tilla, ndërsa i ka kërkuar bashkësisë ndërkombëtare që të reagoj.

“Në kohën kur qeveria e Kosovës po del me propozime për t'i gjetur zgjidhje destabilizimit të shkaktuar nga grupet kriminale të mbështetura nga Beogradi, Serbia dëshmon nuk është e gatshme për asnjë zgjidhje. Prandaj, i kërkojmë fuqishëm faktorit ndërkombëtar, veçanërisht BE-së dhe SHBA-së që ta dënojnë Serbinë për këto akte agresioni kundrejt Kosovës. Lirimi i menjëhershëm i tre policëve të Kosovës është ultimativ”.

Konjufca ka theksuar se me këtë akt, “Serbia në mënyrë të hapur dhe tepër të rrezikshme e ka hedhur poshtë marrëveshjen bazë të normalizimit të marrëdhënieve të pranuar në Ohër dhe Bruksel”.

Ora 19:08
Rrëmbimi i policëve kosovarë nga forcat serbe, BE: Kosova dhe Serbia të përmbahen nga çdo veprim që nxit tensione

1682190457_Screenshot4.jpg

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se janë në kontakt me Kosovën, Serbinë si dhe KFOR-in për të kuptuar më shumë rreth asaj çfarë ka ndodhur.

Ai në një prononcim për mediat në Kosovë, ka deklaruar se Kosova dhe Serbia duhet të përmbahen nga veprimet apo thirrjet qe e tensionojnë situatën edhe më shumë.

 “Ne jemi – si çështje urgjente – në kontakt me të dyja palët, si dhe me KFOR-in, për të përcaktuar se çfarë dhe si ka ndodhur saktësisht”, ka thënë ai.

“Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga çdo veprim apo reagim që mund të kontribuojë më tej në ngritjen e tensioneve. Ne përsërisim thirrjen e BE-së për de-përshkallëzimin e menjëhershëm dhe vendimtar”, ka deklaruar Stano. Serbia ka rrëmbyer tre policë kosovarë brenda kufirit të Kosovës.

Kosova këtë e ka quajtur si akt agresor, teksa i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të reagojë. 

Ora 19:04
Ambasadorja e SHBA-së në NATO kërkon rinisjen e dialogut Kosovë-Serbi

Dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian është rruga e vetme përpara për Kosovën dhe Serbinë, tha ambasadorja e përhershme amerikane në NATO, Julianne Smith, më 14 qershor.

Kjo ishte përgjigja e saj në pyetjet e gazetarëve lidhur me tensionet aktuale në veri të Kosovës.

“Prioriteti numër një është ndërmarrja e masave të menjëhershme nga të dyja palët për të shtensionuar situatën”, tha Smith.

Ajo tha se aleatët e NATO-s po përcjellin “me interes të madh dhe me shumë shqetësim” zhvillimet në Kosovë.

Smith i bëri këto deklarata gjatë një konference online për media para takimit të ministrave të Mbrojtjes të shteteve anëtare të NATO-s, që do të mbahet në Bruksel më 15 dhe 16 qershor.

Ajo theksoi se SHBA-ja ishte e para që dënoi dhunën kundër ushtarëve të NATO-s, veçmas ndaj trupave të kontingjentit italian dhe hungarez.

“Ne besojmë se personat që shkaktuan dhunë duhet të mbahen përgjegjës përmes procedurave ligjore dhe transparente”, tha Smith.

Ajo tha se SHBA-ja inkurajon kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe Qeverinë e tij që të sigurohet që kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, të banuara me shumicë serbe, të kryejnë detyrat e tyre nga lokacione alternative.

“Ne po ashtu i inkurajomë ata që të tërheqin njësitë policore nga ndërtesat komunale”, tha Smith, duke shtuar se mirëpret vendimin e Qeverisë së Serbisë për të ulur gatishmërinë dhe numrin e trupave ushtarake pranë kufirit me Kosovën.

“Por, thelbi i kësaj çështjeje është se – që njëherësh është edhe qëndrimi i gjithë aleancës – dialogu që ndërmjetësohet nga BE-ja është rruga e vetme përpara dhe se ky mesazh i NATO-s u është përcjellë të gjithëve”, theksoi Smith.

Ora 18:00
Rrëmbimi i policëve kosovarë, Policia e Kosovës në deklaratë: Ndërkombëtarët ti bëjnë trysni Serbisë, policët të lirohen

1686756647_policeterrembyer.JPG

Policia e Kosovës ka njoftuar që është duke i koordinuar aktivitet me KFOR-in lidhur me situatën në fshatin Bare të Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, në një konferencë për shtyp se për rastin janë njoftuar edhe mekanizmat ndërkombëtarë, në mënyrë që të ushtrohet presion ndaj Serbisë për lirimin e policëve patrullues kosovarë.

Tre policë të Kosovës janë kidnapuar në fshatin Bare që ndodhet thellë në territorin e Kosovës, dhe arrestimi i tyre dyshohet të jetë bërë nga njësitë speciale të policisë serbe.“KFOR-i është njoftuar dhe jemi duke i koordinuar të gjitha aktivitetet e ta, dhe janë duke i kryer edhe ekzaminimet brenda në terren”.

"Përveç KFOR-it, i kemi njoftuar të gjitha mekanizmat ndërkombëtarë duke kërkuar që t’u bëhet trysni autoriteteve të Serbisë që zyrtarët tanë të lirohen dhe t’u kthehen familjeve të tyre”, ka thënë Kelani.

Ai theksoi se çdo informatë që ka Policia e Kosovws, i ka përcjellë te KFOR-i dhe këta kanë konfirmuar se i kanë pranuar informatat. Janë procedura për të cilat besoj se ata do të japin përgjigje”.

“E kemi shfrytëzuar këtë të drejtë, dhe i kemi lëvizur të gjitha mekanizmat që zyrtarët tanë të kthehen shëndosh e mirë në Kosovë”, theksoi Kelani

Ora 17:55
Ministri i Brendshëm i Kosovës niset për në Bare, vendin ku u rrëmbyen efektivët e policisë

Ministri i Brendshëm i Kosovës Xhelal Svelça është nisur për në Bare, vendin ku u rrëmbyen efektivët e policisë së Kosovës nga forcat serbe.

Ora 17:50
Komandanti i KFOR-it pas takimit me Vuçiç: Jemi të gatshëm të përballemi me çdo skenar

Komandanti i misionit të KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, ka takuar sot presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç në Beograd. Në fokus të këtij takimi ka qenë situatën e përgjithshme e sigurisë në rajon dhe aktivitetet e KFOR.

“Komandanti i KFOR-it shprehu shqetësim të thellë për zhvillimet e fundit në komunat veriore të Kosovës pas ngjarjeve të 29 majit të kaluar, kur disa paqeruajtës të KFOR-it u plagosën gjatë sulmeve të paprovokuara të elementëve kriminalë të cilët depërtuan në protesta paqësore.”

Pas takimit me Vuçiç, Ristuccia është takuar edhe me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, Milan Mojsiloviç, me të cilin bisedoi për rinovimin e bashkëpunimit.

Në njoftim thuhet gjithashtu se Ristuća dhe Mojsiloviq janë pajtuar që të gjitha palët duhet të deeskalojnë tensionet.

"KFOR-i është i gatshëm të përballet me çdo skenar dhe vazhdon të monitorojë situatën në terren. KFOR-i vazhdon të veprojë në mënyrë të paanshme, brenda Rregullave strikte të Angazhimit (ROE) dhe merr të gjitha masat e nevojshme për të zbatuar mandatin e tij bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. të vitit 1999, në mënyrë që të sigurohet një mjedis i sigurt dhe i sigurt dhe liria e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.” - thuhet në deklaratë.

Ora 17:47
Rrëmbimi i 3 policëve të Kosovës, Haradinaj: Zveçla të dorëhiqet, u përdhos uniforma e policisë! Kurti po na vë në dyshim se është spiun i Serbisë

Kreu i AAK Ramush Haradinaj ka kërkuar që ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Zveçla të japë dorëheqjen me argumentin se uniforma e policisë së Kosovës është përdhosur në pamjet e shfaqura teksa 3 efektivët u rrëmbyen nga forcat serbe.

Ai tha se duhet të ketë një bashkim të forcave opozitare në Kosovë për të ndalur Kurtin, që sipas tij po vë në rrezik ekzistencën e shtetit të Kosovës.

“Ishte skenë poshtëruese skena e rrëmbimit dhe përdhosjes së uniformave tonë. Kërkojmë që bashkësia ndërkombëtare të ushtrojë presion ndaj Serbisë për të liruar efektivët e kapur nga forcat serbe.  Zveçla të japë dorëheqjen sepse sot u përdhos uniforma e policisë së Kosovës. Ne e kuptojmë se Kurti ka marrë mandat për të udhëhequr vendin drejt stabilitetit dhe forcimit të marrëdhënies me aleatët euroatlantikë. Por ai po bën të kundërtën, nuk po shkon drejt stabilitetit. Kurti po e rrezikon ekzistencën e republikës. I ftoj të gjithë të ndalim Kurtin në mënyrë që të ndalim pasojat e tjera për Kosovën.  Kurti intensivisht me çdo veprim të vetin po e prish këtë aleancë, pra ky ose është spiun i Serbisë ose është ai që me zor do me mbet në pushtet sa me fshehë qeverinë e tij humbëse të zhytur në korrupsion e nepotizëm, e po e kërkon shpëtimin në kriminelë, duke i arrestuar ata e duke na shitur këtë si fitore të Kosovës.  ”- tha Haradinaj.

Ora 17:34
Policia serbe: Terroristët e Kurtit që u arrestuan ishin të pajisur me mjete të plota ushtarake

Serbia i ka cilësuar si terroristë 3 efektivët e policisë së Kosovës të cilët u rrëmbyen siç thonë autoritete e Kosovës, nga forcat serbe. Sipas autoriteteve në Serbi efektivët shqiptarë janë arrestuar në territorin serb dhe se ishin të armatosur me automatike e pajisje GPS e harta.

‘Dua t'ju njoftoj se sot në ora 12:38, në zonën administrative në drejtim të Kosovës dhe Metohisë, larg në thellësi të territorit të Serbisë, pjesëtarët e njësitit antiterror kanë lokalizuar dhe arrestuar pjesëtarët e të ashtuquajturit, Policisë së Kosovës. Që të tre ishin me pajisje të plota luftarake, me automatikë, pajisje GSP dhe harta. 

Ata janë arrestuar në vendkalimin alternativ Tresava-Batnjik, ku kanë lënë mjetin dhe kanë arritur në këmbë në fshatin Gnjilicë, ku edhe janë arrestuar. Theksoj se Republika e Serbisë është një vend serioz dhe se pjesëtarët tanë të Ministrisë së Brendshme nuk kanë kaluar, as nuk kanë qenë afër vijës administrative, prandaj nuk kanë shkelur rezolutën 1244 dhe marrëveshjen teknike ushtarake dhe as kanë ndërmarrë ndonjë vepër e kundërligjshme ndaj të arrestuarve. Policia do të vazhdojë punën e saj me prokurorinë – tha Željko Brkiç.

Ora 17:31
KFOR shkon në Bare, vendin ku u rrëmbyen policët e Kosovës

Tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë rrëmbyer sot në veri. Sipas njoftimit të Policisë, ata janë kidnapuar nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës.

Në fshatin Bare, tashmë ka arritur edhe KFOR, siç shihet në pamjet e publikuara nga mediat në Kosovë.

Ora 17:23
Komandanti i KFOR-it takohet me Vuçiçin

1685566324_vui.jpg

Komandanti i misionit të KFOR-it, udhëhequr nga NATO, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, ka takuar sot presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç në Beograd.

Të dy diskutuan situatën e përgjithshme të sigurisë në rajon dhe aktivitetet e KFOR-it në përputhje me mandatin e tij të OKB-së dhe në mbështetje të Dialogut, udhëhequr nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, transmeton klankosova.tv.

Ora 17:17
Rrëmbimi i 3 efektivëve nga forcat serbe, policia e Kosovës: Ka ndodhur brenda territorit tonë, na njoftuan se persona të maskuar ishin drejt tyre

1686755597_policiaekosove.jpg

Tre oficerët e policisë janë rrëmbyer nga serbët brenda territorit të Kosovoës. Kështu u shpreh në një deklaratë zyrtare policia e Kosovës duke bërë me dije se efektivët kishin parë persona të armatosur dhe kishin kërkuar njësi shtesë. Në momentin që njësitë shtesë kanë mbërritur në vendngjarje, kanë gjetur vetëm makinën dhe jo efektivët e policisë.

“Tre policët kanë parë persona të maskuar dhe kanë dhënë informacione për njësitë shtesë. Kur kanë mbërritur kanë gjetur vetëm veturën e makinës së policisë dhe jo oficerët. Sa i përket çështjes që ata thonë se janë në territor të Serbisë, unë ju them që ata kanë qenë në një pikë statike duke parandaluar futjen e gjërave ilegale në territorin e Kosovës. Kanë parandaluar një shfytëzim të rrugëve që përdorte Serbia. Vendi ku ka ndodhur është brenda territorit të republikës së Kosovës”- tha një prej zyrtarëve të policisë së Kosovës.

Ora 17:12
Rrëmbimi i 3 policëve të Kosovës nga forcat serbe, reagon Vjosa Osmani: Serbia s’kërkon paqe në rajon, por destabilzim

1686727771_vjosaosmani.JPG

Presidentja Vjosa Osmani ka reaguar në lidhje me rrëmbimin e 3 efektivëve të policisë së Kosovës nga policia Serbe. Presidentja Osmani thekson se ky është agresion nga ana e Serbisë, ndërsa shton se ky akt tregon se Serbia nuk është e interesuar për paqe e stabilitet në rajon, por për destabilzim.

‘Kidnapimi i tre zyrtarëve policorë brenda territorit të Republikës së Kosovës është agresion nga ana e Serbisë. Ky akt dëshmon edhe njëherë se Serbia nuk është e interesuar për paqe e stabilitet në rajon, por për të shkaktuar destabilizim të Kosovës dhe gjithë rajonit.

Akti i sotëm dëshmon se Serbia vazhdon të veprojë me logjikën e së kaluarës, tendencat hegjemoniste të së cilës kanë shkaktuar krime të tmerrshme dhe shumë viktima.

Policia e Kosovës ka treguar përkushtim e vendosmëri për ta ruajtur rendin dhe ligjin për të gjithë qytetarët pa dallim, ndaj një akt i tillë kërkon një reagim të ashpër dhe veprim të unifikuar të komunitetit ndërkombëtar ndaj tendencës së Serbisë për destabilizim të rajonit.

Zyrtarët policorë duhet të lirohen menjëherë dhe pa asnjë kusht! Institucionet e Kosovës nuk do të heqin dorë nga angazhimi për sundimin e ligjit, sikurse edhe nga përkushtimi për paqe e stabilitet afatgjatë!’- tha Osmani.

Ora 16:41
Petkoviç: 3 policët e Kosovës s'janë rrëmbyer, por arrestuar se ishin të armatosur gjer në dhëmbë

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviç, tha se njësitet anti-terror të xhandarmërisë serbe më 14 qershor kanë arrestuar tre zyrtarë të njësive speciale të Policisë së Kosovës, që sipas tij “ishin të armatosur deri në dhëmbë”.

Ai i identifikoi të arrestuarit me inicialet R.Z, B.S dhe M.Sh.

“Ata u arrestuan në orën 12:38 në thellësi të territorit të Serbisë qendrore, në fshatin Gnjillica në afërsi të Rashkës”, tha Petkoviç gjatë një konference për media në Beograd.

Rashka gjendet në jugperëndim të Serbisë, rreth 10 kilometra nga kufiri me Kosovën.

Policia e Kosovës tha më herët se tre zyrtarë të saj policorë dyshohet se janë rrëmbyer nga trupat serbe “thellë brenda territorit të Kosovës”, në afërsi të vijës kufitare në komunën e Leposaviçit. Sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, vendi i quajtur Tresave/Bare - ku dyshohet se janë rrëmbyer policët - gjendet 300 metra në brendësi të territorit të Kosovës.

“Dëshiroj të theksoj se pjesëtarët e policisë sonë nuk kanë shkelur në territorin e Kosovës dhe nuk kanë shkelur as rezolutën 1244 [të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara] dhe as marrëveshjen ushtarako-teknike [Marrëveshja e Kumanovës] për shkak se nuk kanë kaluar vijën administrative. Ata që kanë shkelur këto marrëveshje ndërkombëtare janë pikërisht pjesëtarë të Policisë së Kosovës”, tha Petkoviç.

Petkoviçi hodhi poshtë deklarimin e autoriteteve në Kosovë, se policët u rrëmbyen brenda territorit të Kosovës.

“Ata nuk u rrëmbyen, por u gjetën thellë në territorin e Serbisë qendrore”, tha Petkoviç.

Ora 16:00
Rrëmbimi i 3 efektivëve nga serbët, policia e Kosovës thërret konferencë të jashtëzakonshme

Policia e Kosovës ka thirrur konferencë të jashtëzakonshme pas rrëmbimit të tre policëve.

Sipas njoftimit, konferenca e jashtëzakonshme do të mbahet nga ora 17:00 në stacionin policor “Qendra” në Prishtinë.

Tre zyrtarët policorë dyshohet se janë rrëmbyer në thellësi të territorit të Kosovës, në zonën kufitare në veri të vendit.

Ora 15:56
Rrëmbimi i 3 policëve të Kosovës nga forcat serbe, reagon Kurti: Hakmarrje për arrestimin e Millenkoviçit! Po tentohet destabilizimi

1686261392_albinkurti.jpg

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka quajtur rrëmbimin e policëve si një hakmarrje të Serbisë për arrestimin e djeshëm të Millun Millenkoviç, një person me precedentë kriminalë. Ai tha se rrëmbimi i policëve të Kosovës ka ndodhur 300 metra në territori ne Kosovës. Ai tha se hyrja e forcave serbe në territori ne Kosovës është agresion dhe përpjekje për përshkallëzim të situatës. 

Reagimi i Kurtit:

Tre zyrtarë të policisë së Kosovës janë rrëmbyer sot në Leposaviq në vendin ku dikur kishte një rrugë ilegale të kontrabandës e që ndodhet rreth 300 metra në brendësi të territorit të shtetit tonë.

Dyshojmë që ata janë rrëmbyer nga ushtria e Serbisë, qartazi si hakmarrje e Serbisë për arrestimin e djeshëm të kriminelit famëkeq Millun Millenkoviq - Lune, i cili paraqet një ndër krerët e krimit të organizuar dhe kontrabandës.

Policia e Kosovës është treguar tejet e vetëpërmbajtur këto javët e fundit.

Hyrja e forcave të Serbisë në territorin e Kosovës është agresion dhe synim për eskalim dhe destabilizim.

Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve të rrëmbyer policor dhe ftojmë faktorët ndërkombëtarë që të dënojnë këtë akt agresioni të Serbisë.

Ora 15:49
FOTO/ Kush janë tre policët që u rrëmbyen sot nga policia serbe në veri të Kosovës

 

Tre policë kosovarë janë rrëmbyer sot nga Polica serbe në territorin e Kosovës, në afërsi të Leposaviçit në rrugë ilegale.

Zyrtarët e policisë Rifat Zeka, Beqir Sefa dhe Mustafë Shemi dyshohet se janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës. Ky fshat gjendet në komunën e Leposaviçit. Mediat në Kosovë kanë publikuar edhe foto të efektivëve që dyshohet se janë rrëmbyer.

Ora 15:28
Rrëmbimi i tre policëve të Kosovës nga forcat serbe, Petkoviç thërret konferencë të jashtëzakonshme për mediat

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç ka lajmëruar se do të mbajë një konferencë të jashtëzakonshëm për mediat, pas lajmit të rrëmbimit të tre policëve të Kosovës nga forcat serbe. Petkoviç, ka thënë se konferenca do të mbahet sot në orën 16:00.

Ora 15:02
VIDEO/ Momenti kur policët serbë rrëmbejnë efektivët e Kosovës

Kjo është një videoja e publikuar nga mediat serbe ku pretendohet se shfaqet momenti i rrëmbimit të 3 policëve të Kosovës të cilët po kryenin patrullim në vendin e quajtur Tresave/Bare.

 

Ora 15:00
3 policë të rrëmbyer në veri, Sveçla: Serbia, gardiani i së keqes në Kosovë e rajon! Nuk zmbrapsemi para kriminelëve dhe terroristëve

1686747721_svecla1.jpg

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka reaguar në lidhje me lajmin për rrëmbimin e tre policive të Kosovës nga serbët

“Përderisa rendi dhe ligji po zbatohet në vendin tonë, Serbia kriminale ka hyrë në territorin e Kosovës dhe ka kidnapuar 3 zyrtarë policorë të Republikës së Kosovës, në shkelje të çdo marrëveshje e kundër çdo parimi të normave ndërkombëtare. Pa asnjë dyshim, zyrtarët tanë policorë kanë qenë të vendosur thellë brenda territorit të Republikës së Kosovës, në pikë kontroll statik, duke kryer detyrat e tyre të rregullta.

Serbia po vazhdon të jetë shkaktar dhe gardian i së keqes në rajon e në Kosovë. Ne nuk zmbrapsemi para kriminelëve e terroristëve. Serbia po tregon përsëri fytyrën e saj të vërtetë dhe atë të një shteti autokrat e agresor. Kërkojmë nga faktori ndërkombëtar të rrisë urgjentisht presionin ndaj Serbisë që jo vetëm të lirojë zyrtarët tanë policorë por edhe të ndalë provokimet e saj. Sjellje të tilla kriminale të Serbisë nuk na ndalin në rrugëtimin tonë të forcimit të sovranitetit në vend”, shkruan ai në Facebook.

Ndërkohë policia e Kosovës deklaroi se kishte shkuar në ndihmë të policëve por kishte gjetur vetëm  veturën 

Njoftimi i plotë i policisë së Kosovës

Policia e Kosovës (PK), në këtë rast njësia policore patrulluese e kufirit ka qenë me detyre në pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës, për  të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, të cilat shfrytëzoheshin nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë. Sot, në mesditë nga njësiti policor i cili ishte në përbërje prej tre zyrtarëve kufitar, kanë njoftuar se në afërsi të pikës statike kanë vërejtur person/a të maskuar dhe të armatosur, me këtë rast në drejtim të kësaj pike në asistencë janë nisur njësi shtesë të PK-së.

Me të arritur në atë lokacion, njësitet asistuese kanë vërejtur vetëm veturën zyrtare por jo edhe vet zyrtarët policorë që kanë qenë me detyrë në atë lokacion. Në drejtim të këtij lokacioni menjëherë kanë shkuar edhe njësite tjera policore, si dhe janë informuar edhe institucionet tjera të sigurisë, përfshirë KFOR-in, pasi dyshohet se zyrtarët policor janë kidnapuar nga forcat serbe. Me qëllim që të ndërmerren veprime konkrete për sigurinë e zyrtarëve policorë që dyshohet të jenë kidnapuar nga forcat serbe, janë kontaktuar të gjitha mekanizmat vendor dhe ndërkombëtar që të njëjtit të lirohen sa më parë dhe të kthehen në Polici të Kosovës. Po ashtu edhe media të ndryshme serbe kanë raportuar se pjesëtarët e njësiteve speciale serbe, kanë arrestuar zyrtarët e Policisë së Kosovës.