TIRANE - Prej 2007, vit në të cilin janë shfuqizuar një sërë ligjesh, Policia Ushtarake ka funksionuar pa një kuadër ligjor. Ky fakt u konstatua nga deputetët Bashkim Fino e Pirro Lutaj anëtarë të Komisionit të Ligjeve gjatë seancës për miratimin e ligjit të ri, për Policinë Ushtarake dhe Medaljet.

“Ne këtu konstatojmë faktin që nuk është fakt i lehtë që një strukturë ligjore siç është policia e forcave ushtarake dhe policia kriminale e ushtrisë shqiptare, nga viti 2007 deri në momentet që ne po miratojmë ligjin aktual ka vepruar në kundërshtim, sepse ka vepruar pa ligj. Ky është element shumë shqetësues që për vite të tëra një strukturë shumë e rëndësishëm dhe jo rastësisht paska pasur një debat shumë të madh mbi veprimtarinë e herëpashershme të parregullt dhe të paligjshme të strukturave të ushtrisë.” tha Lutaj

Ndërsa për deputetin e opozitës Fatmir Mediu nuk vlen kjo pasi, po të ishte vërtet kaq shqetësim mazhoranca aktuale duhet të kishte sjellë ligjin që ditën e parë.

“Para se t’i drejtojmë gishtin njëri tjetrit se kështu i bie që në ditën e parë pse ministria nuk e bëri ligjin por ka kaluar një vit e më shumë edhe u kujtohet tani mbrapa.” tha Mediu

Në këtë krahasim nuk mungoi ndërhyrja e deputetit Fino për të cilin 7 muaj vonesë nga mazhoranca nuk mund të krahasohen me 7 vite pa ligj siç veproi Partia Demokratike.

“Për 7 muaj është gjë shumë e mirë, ministria aktuale për 7 muaj solli ligjin këta për 7 vjet nuk e sollën, kaq!” tha Fino

Në seancën e kësaj të marte komisioni i ligjeve miratoi dy projektligjet e paraqitura nga Ministria e Mbrojtjes, ndërsa në referimin e tij zv.Ministri Petro Koçi u shpreh se me këto ndryshime do t’i hapet rruga e përfshirjes në luftën ndaj terrorizmit dhe strukturave të policisë ushtarake.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)