Policia e Shtetit ka dhënë detaje për sa i përket protestës së ditës së nesërme të opozitës para parlamentit, duke bërë të ditur se protesta do të zhvillohet nga ora 09:00 deri në orën 13:00.

Gjithashtu uniformat blu kanë bërë të ditur edhe rrugët ku do të ketë devijim të trafikut, si dhe ndalime të parkimit.

Njoftimi i policisë:
Duke filluar që më datë 17.12.2017, në orën 22:00 dhe deri në përfundimin e protestës ditën e nesërme nuk do lejohet lëvizja e mjeteve në rrugët e mëposhtme:

• Rruga "Xhorxh Bush" ( nga Ura e Elbasanit - kryqezimi tek sheshi "Sulejman Pasha"

Spostimi te rruga "Xhorxh Bush" dhe rrugicat që kufizohen me të do filloj nga ora 22:00 e datës 17.12.2017.

Nesër nga ora 07:00 deri në përfundim të protestës në hyrjet e qytetit dhe brenda unazës se mesme nuk do lejohet qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë të cilat do devijojnë në Unazën e madhe dhe rrugë të tjera alternative.

Do ketë devijim të trafikut në shumë akse rrugore.

Mjetet e transportit të ardhur nga rrethet nuk do lejohen në brendësi të qytetit dhe do te parkohen :

• Tek Terminali në rrugën e "Elbasanit"

• Sheshi "Shqiponja", rruga "Teodor Keko".

• Në hyrje të Kombinatit deri tek varrezat e Kombinatit.

• Gjithashtu do te ndalohet futja e mjeteve tek Ura e "Paskuqanit" dhe ura e "Babrroi".

I sugjerojmë qytetarëve të largojnë mjetet e tyre në rrugët e sipërcituara duke lehtësuar së tepërmi punën e policisë.Në të kundërt mjetet do s’postohen me mjete ngritëse.
Gjithashtu luten qytetarët që të shmangin përdorimin e panevojshëm të automjetit ditën e neserme si dhe segmentet që të lidhin me qendrën e qytetit dhe rrugën e Elbasanit për shkak te devijimeve dhe kufizimeve që do fillojnë nga ora 08:00 e mëngjesit deri në përfundim të protestës.

Duke ju falënderuar për mirëkuptimin!

Redaskia Online
D.T/Shqiptarja.com