Sulmet me molotovë e mjete piroteknike në protestë, nuk duken të jenë zgjedhje individuale dhe e rastësishme e protestuesve të ndryshëm. Policia zbuloi një protestuese të “Revolucionit flamingo”, Fatime Paja cila shpërndante në protestë lëndë të tilla shpërthyese dhe mjete të forta që u panë të përdoren gjatë tubimit kundër efektivëve.

Një arsenal i tërë, me shishe të mbushura me benzinë lidhur me lëndë piroteknike me fitil, mjete që lëshojnë breshëri fishekzjarrësh, shkopinj druri dhe metalikë, maska antigaz, etj u gjetën në një makinë me xhama të zinj.

Automjetin e kishte në drejtim vetë protestuesja e revolucionit flamingo”, e cila u arrestua në flagrancë në rrugën “Qemal Stafa”, në automjetin tip “Fiat”. Zona ku ajo u kap është jo shumë larg qendrës, çka do të thotë se furnizimi me këto mjete të ndaluara dhe të rrezikshme ka ndodhur pranë vendit të protestës së të shtunës, e cila nisi në sheshin “Skënderbej”.

Nga kontrolli i makinës, blutë sekuestruan 91 koktej molotov, 166 fishekzjarrë, 59 tuba metalikë, kapsolla, 2 maska kundragaz, veshje të ndryshme, doreza, 2 aparate celularë dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Policia thotë se shpalli në kërkim edhe 2 djem, 28 vjeç dhe 39 vjeç, bashkëpunëtorë të vajzës, por dyshimet janë se ka të tjerë persona të përfshirë.

Policia thotë se kishte siguruar informacione se persona të ndryshëm siguronin dhe shpërndanin sende të kundërligjshme për tua vënë në dispozicion pjesëmarrësve për akte të dhunshme gjatë protestës së 28 nëntorit, si ndaj punonjësve të Policisë ashtu dhe ndaj institucioneve shtetërore.

Lajm në përditësim....

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:47
PROFIL/ Kush është Fatime Paja që u kap me arsenal për protestuesit! Artistja që krijoi simbolin e ‘Revolucionit të Flamingove’, nga protestat te krijimet artistike me motrat e saj

1795949593_fatimepaja.jpeg

Fatime Paja u arrestua gjatë protestës së 28 Nëntorit në Tiranë, pasi policia dyshon se ajo furnizonte protestuesit me molotovë dhe mjete të tjera për sulme ndaj efektivëve dhe institucioneve. 29-vjeçarja u kap në flagrancë në rrugën “Qemal Stafa”, në një makinë tip “Fiat”, ku policia sekuestroi 91 kokteje molotov, 166 fishekzjarrë dhe 59 tuba metalikë.

Fatime Paja ishte mes artistëve që krijuan figurat e flamingove me të cilat protestuesit marshuan në Tiranë. Në një intervistë për Associated Press, ajo tregoi se grupi zgjodhi flamingon si simbol të protestës kundër projektit turistik në Nartë. Figurat i dhanë lëvizjes emrin “Revolucioni i Flamingove”. Gjatë marshimeve, Paja merrte megafonin dhe udhëhiqte thirrjet “Shqipëria nuk shitet!” dhe “Mos e prekni Nartën!”. Bashkë me artistët e tjerë, ajo organizonte edhe aktivitete vizatimi e ngjyrosjeje për fëmijët.

“E kam përdorur prej kohësh artin si një mjet për të shprehur padrejtësitë dhe pakënaqësinë që lidhen me jetën e përditshme civile në Shqipëri”, tha Paja për Associated Press në një intervistë më 20 qershor.

Fatime Paja në protestë

Në veprimtarinë artistike ajo njihet si Fatma Paja. Sipas biografisë së festivalit ndërkombëtar të animacionit Anibar, ka lindur në Belsh dhe punon si artiste vizuale, piktore, ilustruese dhe dizajnere grafike. Me motrat e saj, Elsa dhe Natasha Paja, themeloi studion krijuese TRIVET, përmes së cilës realizon ilustrime, botime dhe ekspozita.

Në vitin 2023, Paja bashkëpunoi me Cultural Heritage without Borders Albania për një botim kushtuar Muzeut Etnografik të Krujës. Ajo ishte bashkautore e konceptit dhe realizoi ilustrimet, përpunimin grafik dhe faqosjen. Projekti u financua nga Bashkimi Evropian përmes programit EU4Culture.

Studioja TRIVET realizoi gjithashtu dizajnin dhe ilustrimet e guidës turistike të Mirditës dhe kontribuoi në ekspozitën “Mirdita në Fotografi”, në kuadër të projektit CulTour Mirdita. Për projektin dhjetëmujor, organizata Art Kontakt mori nga EU4Culture një grant prej 44 mijë e 590 dollarësh, rreth 40 mijë e 548 euro. Granti mbulonte të gjithë projektin. Të dhënat e publikuara nuk përcaktojnë pagesën për studion TRIVET apo për Pajën individualisht.

Paja kontribuoi edhe në një studim të nismës ArtNexus për mbështetjen financiare të artistëve dhe arteve pamore. Në vitin 2023, tri motrat realizuan kopertinën e raportit vjetor të Trees for Albania, ndërsa në vitin 2024 prezantuan në Kosovë dhe Shqipëri ekspozitën “Që prej motmoti”, kushtuar traditave, miteve dhe riteve shqiptare.

Po atë vit, Fatma Paja ishte anëtare e jurisë së festivalit Anibar në Kosovë. Ajo ka marrë pjesë si folëse edhe në aktivitete të komunitetit Albanians Who Design. Puna e tri motrave në studion TRIVET u promovua gjithashtu përmes një videoje të publikuar në faqen e Bashkimit Evropian në Facebook.

 

 
Ora 10:30
‘Arsenali’ i ‘maskave’, shkopinj druri e metalikë, molotovë, fishekzjarrë e kapsolle! Çfarë u përdor në dhunën ndaj policëve (VIDEO+FOTO)

Protesta në Ditën e Pavarësisë degradoi në akte të dhunshme ndaj punonjësve të policisë, të cilëve në disa raste iu rrezikua seriozisht jeta, madje duke marrë edhe flakë për shkak të sulmeve me molotovë në drejtim të tyre. Policia e Tiranës arriti të godasë një grup që furnizonte protestuesit me arsenal për sulmet e organizuara ndaj bluve.

Në foto dhe video mund të shihni një pjesë të arsenalit dhe çfarë lloj “armësh” kanë përdorur protestuesit. Shkopinj metalikë, 59 prej të cilëve janë sekuestruar nga policia. Protestuesit me maska janë shfaqur edhe me shkopinj druri, shumë prej tyre të pajisur edhe me maja metalike.

Po ashtu, qindra bomba molotov, fishekzjarrë e kapsolle të cilat janë hedhur në drejtim të policëve, por vetëm, një pjesë u sekuestrua nga policia, duke çuar në pranga edhe furnizuesen 29-vjeçare Fatime Paja. Kjo e fundit, kishte mbushur me arsenal një makinë me xhama të zinj dhe u kap gjatë protestës në rrugën "Qemal Stafa"

Ora 09:59
Dhuna ditën e Pavarësisë, goditet grupi që furnizonte protestuesit me arsenal! Në pranga e reja, 2 në kërkim!

1795943419_molotov.jpg

 

Policia ka goditur grupin që furnizonte me arsenal protestuesit. Në pranga ka rënë një 29-vjeçare, Fatime Paja ndërsa dy bashkëpunëtorët e saj janë shpallur në kërkim. Në automjetin ku u lokalizua Paja, në rrugën “Qemal Stafa” policia sekuestroi 91 kokteje molotov, 166 fishekzjarrë, 59 tuba metalikë, 17 kapsolla dhe dy maska kundër gazit. Arsenali u shpërndaj protestuesve t’u përdorur në sulme ndaj efektivëve dhe institucioneve gjatë protestës së 28 Nëntorit.

"Siguronin dhe furnizonin me sende të kundërligjshme pjesëmarrësit në protestën e zhvilluar dje, me qëllim përdorimin e tyre për kryerjen e akteve të dhunshme, vihet në pranga një shtetase dhe shpallen në kërkim 2 të tjerë.

Sekuestrohen 91 koktej molotov, 166 fishekzjarrë, 59 tuba metalikë, kapsolla, maska kundragaz dhe sende të tjera.

Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative për sigurimin dhe shpërndarjen e sendeve të kundërligjshme, me qëllim përdorimin e tyre gjatë protestës së datës 28 nëntor, finalizoi operacionin policor të koduar “DISTRIBUTION OF ELEMENTS”.

Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasja F. P., 29 vjeçe, e cila u lokalizua në rrugën “Qemal Stafa”, në një automjet tip “Fiat”.

Nga kontrolli i automjetit u gjetën dhe u sekuestruan 91 koktej molotov, 166 fishekzjarrë, 17 kapsolla, 59 tuba metalikë, 2 maska kundragaz, veshje të ndryshme, doreza, maska, kapele, 2 aparate celularë dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Nga veprimet hetimore dyshohet se 29-vjeçarja, në bashkëpunim me 2 shtetasit e tjerë, I. M., 28 vjeç dhe R. S., 39 vjeç, të cilët janë shpallur në kërkim, siguronin dhe shpërndanin sende të kundërligjshme, për t’ua vënë në dispozicion pjesëmarrësve në protestë, me qëllim përdorimin e tyre në akte të dhunshme ndaj punonjësve të Policisë dhe institucioneve shtetërore.

Vijon puna për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe përcaktimin e përgjegjësisë penale të secilit prej tyre.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme", njofton Policia.