Një aparat i ri krejtësisht dixhital për radiografi dhe fluoroskopi është vendosur në Poliklinikën e Specialiteteve në Elbasan, në kuadër të investimeve për përmirësimin e pajisjeve diagnostikuese në sistemin publik shëndetësor.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, pajisja e re realizon imazhe me rezolucion të lartë dhe krijon mundësi për diagnostikim më të saktë. Gjithashtu, procedurat kryhen në një kohë më të shkurtër, duke rritur efikasitetin e shërbimit për pacientët.
Ministria bën të ditur se investimi është pjesë e modernizimit të infrastrukturës dhe pajisjeve mjekësore në institucionet publike shëndetësore, me synimin për të ofruar shërbime më cilësore.
Sipas saj, teknologjia e re pritet të mbështesë edhe punën e personelit mjekësor, duke ndihmuar në rritjen e saktësisë së ekzaminimeve.
Poliklinika e Specialiteteve në Elbasan funksionon me 40 kabinete dhe ofron shërbime në 18 specialitete të sëmundjeve të brendshme, si edhe ekzaminime ambulatore dhe laboratorike.
Komente










