Për herë të parë lajmin për prezencën e kësaj nafte e ka publikuar gazeta “Zëri”, ditë më parë bashkë me të gjitha faktet përcjellëse. Është bërë i ditur me emër e mbiemër furnizuesi i kësaj nafte dhe rezultatet nga mostrat e marra në një shkollë. Dhe vendimi i kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, për të bërë analizat në të gjitha shkollat, duke i mbyllur ato për të cilat ka marrë rezultatet në dorë për naftën me përmbajtje të lartë të sulfurit, është veprim i një përgjegjësie të lartë. E po të kishte politikë emancipuese në vend, e cila para së gjithash shikon interesin publik, të gjitha do t’i bashkoheshin kësaj iniciative për të kërkuar hulumtim edhe më të thellë, për të zbuluar çfarë shkakton kjo naftë.
Përkundrazi, na u shfaq një reagim i ulët i dy partive në vend: Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) e cila është edhe kontraktuese e kësaj nafte për furnizimin e shkollave, dhe të partisë më të madhe në vend, PDK. Ato akuzuan Shpend Ahmetin se “ka ndërmarrë këtë veprim për interesa politike”. Të shohësh me sytë e tu analizat laboratorike të cilat dëshmojnë se kjo naftë ka tejkaluar normat e lejuara, dhe të deklarosh se “gjithçka është në rregull”, s’është gjë tjetër pos një veprim i poshtër për interesa politike. Këto reagime të këtyre dy partive mund të jenë rezultat i këtyre arsyeve:
1) LDK-ja mban përgjegjësi për lidhje kontrate me një kompani, e cila u dëshmua se furnizon me naftë të rrezikshme. Edhe pse tashmë nuk është në pushtetin komunal, kjo parti mbetet kontraktuese e saj.
2) Kurse reagimin e PDK-së mund ta përmbledhim më një argument të thjeshtë. Kompania “Hib Petrol”, furnizuese e shkollave me këtë naftë, është një ndër sponzorueset më të mëdha të kësaj partie. Një fakt ky i dokumentuar edhe pranë KQZ-së, në listat e financuesve të partive politike.
Nga ana tjetër, kemi Ministrinë për Tregti dhe Industri (MTI), e cila jo vetëm që ka fshehur raportin qysh nga zbulimi për cilësinë e naftës, ajo edhe më tej po bën përpjekje që të manipulojë me opinionin, duke thënë se nafta “është më standardet e lejuara”.
Po kjo Ministri, tashmë në krye me Bernard Nikaj, më 30 janar, kishte urdhëruar inspektorët që të shkojnë në shkollën “Gjergj Fishta” në Prishtinë dhe në prani të trupës inspektuese “KPU Inspekt”, të marrin mostrat për të parë cilësinë e naftës, dhe si rezultat vlera e sulfurit doli të jetë alarmante. Edhe pse MTI-ja e kishte në dorë ditën e hënë, më 3 shkurt, këtë raport nuk u bëri publik. Ndonëse ende nuk e dimë saktë se çfarë shkakton norma e lartë e sulfurit në këtë naftë, çfarë do qoftë ai, kancerogjen apo dyshues për shkaktimin e problemeve të tjera, nuk e di se çfarë qenie njerëzore mund të manipulojë me një shqetësim të tillë vetëm për përfitime politike.
Marre nga "Zeri"