Ta kujtojmë Fatos Nanon si liderin liberal dhe reformator të vendit thotë presidenti i Republikës Bajran Begaj në mesazhin e tij të ngushëllimit për ndarjen nga jeta të liderit historik të socialistëve. ‘Shqipëria humbi liderin socialist dhe të tranzicionit të viteve ‘90 dhe 2000’, shkruan kreu i shtetit.

Për kontributin dhe trashëgiminë që u la pas, për socialistët, Nano do të mbetet mbetet prijësi i partisë. Kryeministri Edi Rama duke postuar një foto të Nanos në 1991 i shkruan vetëm dy fjalë, “Lamtumirë kryetar”.

“...Arkitekti i transformimit historik”, shkruan kryetari i Kuvendit Niko Peleshi duke kujtuar momentet kur Nano i hapi dyert e politikës. “Historia do ta gjykojë me drejtësi kontributin e tij”, vijon Peleshi në mesazhin e tij e ngushëllimit.

‘Kryetari i Socialistëve sot u shua, njeriu që ribëri të majtën shqiptare’, shkruan miku dhe bashkëpunëtori më besnik i Nanos, Taulant Balla e po njësoj edhe deputeti Erion Braçe. Deputeit Manja shkruan se Nano ishte ndarja mes dy botëve, aty ku mbaroi frika e komunizmit dhe nisi debati për demokracinë.

Ish deputetit dhe ish-kryeministri, Pandeli Majko shkruan se Nano i ishte politikan i një tjetër kalibri, i cili i provoi të gjitha, si burgosja si drejtues i PS në opozitë, ishte momenti më i vështirë, por edhe më i lartë i veprimtarisë së tij si politikan dhe njeri!

Mirënjohje dhe respekt gëzojnë edhe kundërshtarët. Për ish-presidentin Bamir Topi politika shqiptare humbi politikanin liberal komunikues dhe modern.

Mes demokratëve, ngushëllime shpreh Tritan Shehu, duke veçuar ndarjen nga jeta të Nanos, jo vetëm humbje për familjen socialiste, por dhe për politikën shqiptare. Për kreun e Partisë Agrare Ambientaliste Agron Duka, sot u largua nga kjo jetë njeriu që lënë gjurmë të thella, që nuk dinte të hakmerrej por të falte.

Nga përtej kufijve të vendit, Ali Ahmeti kryetar i BDI-së në Maqedoninë e Veriut shkruan se humbi mikun e vjetër, që ishte vizionar e me urtësi politike. Ramush Haradinaj ish-kryeministër i Kosovës e cilëson Nanon si kontributor kyç i çështjes shqiptare në kohëra krize brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:34
Ndarja nga jeta e Fatos Nanos, Ambasada Italiane në Shqipëri: Dha kontribut për çuarjen përpara të marrëdhënieve dypalëshe

Ambasada Italiane në Shqipëri ka reaguar në lidhje me ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit Fatos Nano, i cili ndërroi jetë këtë të premte.

Në një postim në rrjetet sociale, Ambasada Italiane shkruan se Nano u angazhua në modernizimin e Shqipërisë dhe kontributin e dhënë në çuarjen përpara të marrëdhënieve dypalëshe.

Ndërsa po ashtu Ambasada u shpreh ngushëllimet familjes.

“Ka ndërruar jetë sot Fatos Nano, ekonomist, drejtues historik i Partisë Socialiste të Shqipërisë, disa herë Kryeministër dhe mik i Italisë. Duke kujtuar angazhimin e tij në modernizimin e Shqipërisë dhe kontributin e dhënë në çuarjen përpara të marrëdhënieve dypalëshe, Ambasada u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe të gjithë atyre që e kanë shoqëruar në jetën e tij politike”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Italiane.

Ora 21:39
Ndarja nga jeta e Fatos Nanos, Albin Kurti: U kujtoftë mes kryeministrave të Shqipërisë për rolin e tij historik

1761943660_aa.JPG

Kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti, ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga detyra të liderit historik të PS Fatos Nano.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, teksa kujton dy takimet që ka pasur me Nanon, Kurti shkruan se ai do të kujtohet mes kryeministrave të Shqipërisë, për rolin e tij historik. 

Regimi i plotë:

Kur e mora lajmin për vdekjen e Fatos Nanos, më erdhën në mendje kujtime nga dy takimet që dikur i kam patur me të. Herën e parë në fillim të vitit 2002, disa muaj pasi kisha dalë nga burgu në Serbi, ku isha mbajtur si rob lufte bashkë me mbi 2000 shqiptarë të tjerë. Kjo përvojë e imja, u kthye natyrshëm në temë të bisedës sime me Nanon në atë takim tonin njohës.

Fatos Nanon e kam takuar për herë të dytë kur ishte zgjedhur Kryeministër i Shqipërisë, me ç’rast ai më priti bashkë me Adem Demaçin dhe Arbën Xhaferin. Nga atëherë, më kanë ngelur të pashqitshme nga kujtesa bisedat e tij plot pasion për politikën me Bacin Adem, simbolin e rezistencës sonë dhe me Arbën Xhaferin, liderin politik aq origjinal.

Në historinë politike të Shqipërisë së periudhës së tranzicionit nga sistemi monist dhe regjimi komunist tek ai demokratik liberal dhe pluralist, emri i politikanit Fatos Nano ishte një figurë qendrore. Ai shërbeu tre herë si Kryeministër i Shqipërisë: nga 22 shkurti deri më 4 qershor 1991, kur Shqipëria ishte në kapërcyell nga komunizmi në demokraci; pastaj nga 25 korriku i vitit 1997 deri më 27 shtator të vitit 1998, kur Shqipëria u përfshi nga trazirat kurse Kosova nga lufta; për herë të tretë dhe më së gjati, Nano shërbeu si Kryeministër i Shqipërisë për tri vite, mes 29 shtatorit 2002 dhe 1 shtatorit 2005, kur Shqipëria po përballej me sfidat e ngritjes nga pasojat e regjimit të gjatë komunist dhe nga trazirat.

Në biografinë e tij politike, Fatos Nano ka një kapitull të rëndësishëm për rolin e tij në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë vitit të parë të luftës nga dalja publike e UÇK-së deri te ofensiva e verës së vitit 1998, kur terreni shqiptar ishte arenë e lirë e organizimit të UÇK-së. Historia moderne e shtetit shqiptar dhe historia politike e Shqipërisë dhe e Kosovës, do ta kenë të dendur emrin e tij mes emrave të politikanëve shqiptarë të viteve ’90 dhe fillimshekullit XXI. Ngushëllime familjes Nano, bashkëpunëtorëve dhe bashkëpartiakëve të Fatos Nanos, si dhe miqve e të afërmve të tij. U kujtoftë mes kryeministrave të Shqipërisë, për rolin e tij historik!

Ora 20:29
Ndarja nga jeta e Fatos Nanos, FSHF vendos një minutë heshtje në të gjitha ndeshjet e kësaj jave

Deartamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se në të gjitha ndeshjet e kësaj jave në kampionatin “Abissnet Superiore”, Kategorinë e Parë dhe Kategorinë e Dytë do të mbahet një minutë heshtje në nder të kujtimit të Fatos Nanos, ish-kryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe një nga figurat e rëndësishme të tranzicionit politik në vend, i cili u nda sot nga jeta.

Ky homazh vjen si shenjë respekti për figurën e tij dhe kontributin në jetën publike të vendit.

Federata Shqiptare e Futbollit shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Nano në këtë moment të vështirë.

Ora 19:41
Shefja e kabinetit rrëfen njohjen me Fatos Nanon: Historia që nisi në dhomat e maternitetit ku lindëm të dy, vazhdoi në shkollë dhe zyrat e PS! Sot, ti e mbylle

Saemira Pino, një nga bashkëpunëtoret më të afërta të Fatos Nanos dhe shefe e kahershme e Kabinetit të tij, ka shkruar një mesazh sa të ndjerë aq edhe të veçantë e emocionues për ndarjen nga jeta të liderit historik të Partisë Socialiste.

Ajo tregon njohjen që në dhomat e maternitetit të Tiranës, kur nëna e saj dhe ajo e Fatosit ishin njëkohësisht shtatzënë me ta, dhe Saemira e Nano lindën pak ditë pas njëri-tjetrit. Vazhduan shkollën e gjimnazin, ishin përsëri bashkë, ashtu edhe si pedagogë në universitet e më pas në Kryeministri.

Postimi i plotë i saj

Sot i dashur Fatos, veç do të të lavdërojnë… miq dhe kundërshtarë. Është në traditën tonë. Mirë a keq, nuk di ta them. Na përgatite javë radhazi për këtë ditë të keqe dhe këtë lajm të hidhur, në mënyrën tënde, atipike, si për shumë sjellje të tuat.

Së bashku kemi bërë një rrugë jo të shkurtër… Ti mbërrite në fund të saj më herët se ne moshatarët e tu.

Do doja shumë të ishe më gjatë me ne, në këtë rrugëtim jete, se ti kurdoherë do të dije ç’të thoshe, të sugjeroje a të korrigjoje. Ti e doje këtë vend, si një politikan modern dhe vizionar. Do të thuhet, dëshmohet dhe shkruhet shumë për trashëgiminë tënde politike. Unë nuk e kam këtë qëllim sot.

“U njohëm” në shtatorin e largët të 1952, kur rastësia i gjeti nënat tona në një dhomë, në maternitetin e vetëm të Tiranës, ku të dy morëm një kujdes të veçantë. Ti ishe fëmija i tretë i familjes, djali i parë dhe i vetëm, gëzim i madh i Maries, gruas së rrallë, por jo aq të re. Nëna ime ishte vetëm 21 vjeç, dhe vazhdoi me vajzë edhe pas meje, që isha e dyta. Dhe Maria i thoshte me humor dhe dashamirësi “lind ti fëmijë, po lind dhe unë…” Ti u linde disa ditë pas meje.

Më pas si nxënës, në shkolla jo larg njëra- tjetrës, konkurruam veç e veç në olimpiada e konkurse. Tezja ime, mësuesja e rreptë e matematikës në shkollën “Hoxha Tahsim” të viteve ‘60-të, do të pohonte gjithmonë se ti ishe nxënësi më i shkëlqyer që ajo kishte pasur ndonjëherë. Ti ia “shpërbleve” ditën e vdekjes së saj të parakohshme, duke e cilësuar atë si: Një institucion!

Përsëri u bëmë bashkë në shoqërinë e bukur të gjimnazit “Sami Frashëri”, ku ti dalloheshe sa për zgjuarsinë, gjuhët e huaja që i përvetësoje shpejt e bukur, aq edhe për ”rebelimet” e tua. Veçanërisht sfidant ndaj opinionit të papërgatitur, kur nuk e fshehe asnjë ditë dashurinë e madhe për Rexhinën kur fare të rinj, 16-17 vjeçarë, dorë për dore me Rexhinën, në oborrin e gjimnazit, në rrugë, në aksione me kitarë, dukeshit sikur lajmëroje një kohë të re, siç bëre edhe në politikë. Ndërkohë ishe dhe mbete një shok i mirë për të gjithë bashkënxënësit. Kushdo, që më pas të kërkoi mbështetje, ti bëre çmos, brenda mundësive dhe logjikës së kërkesës.

Në vitet 1970-80, ritakoheshim në komisionet e provimeve formuese apo pasuniversitare, tashmë si pedagogë.

Ti vije “nga lart” si pedagog i jashtëm, por kurrë nuk u solle me fodullëk, pavarësisht manierave të jashtme ndonjëherë. Ishe ti që i nxisje studentët për përgjigje realiste, kërkoje prej tyre jo rrallë pyetje, në vend të përgjigjeve, që i vinin ata në pozitat e kërkuesit dhe analistit, siç do të bëheshin më vonë, jo pak prej tyre. Ndërsa ne kolegëve të tu na sillje shpresën për ndryshim.

Më pas isha unë që do t’iu bashkohesha protestave në rrugë e sheshe, për lirimin tënd nga burgu politik, pa qenë anëtare në asnjërën prej partive ku ti kishe qenë dhe ishe, por unë isha shoqja e Xhinës dhe tëndja dhe ju besoja fort të dyve.

Së bashku bëmë një rrugë jo të shkurtër…

Unë të “humba” realisht një ditë prilli, kur erdha në zyrën tënde dhe të kërkova dorëheqjen. Ti kishe bërë dy zgjedhje, personalen përfundimtare dhe atë politike, efemere, të pakuptueshme për mua, me të cilën unë nuk pajtohesha dot. Po afroheshe (me marrëveshje nënshkruar në 1 prill) me grupimin që me të drejtë e kishe denoncuar në forumin më të lartë dhe vendimmarrës të PSSh për korrupsion, shkelje statuti, vjedhje votash brenda forumeve etj. Por ti ishe politikan klasi. I vetëformuar, falë inteligjencës, formimit, edukatës familjare, gjuhëve të huaja që të lehtësonin informimin.

Unë të gjeta në zyrë, një ditë më pas, dhe të thashë me humor, dje ishte 1 prill…Prandaj erdha sot, për dorëheqje të pa zmbrapsur!!! Më kuptove, nuk komentove dhe më përcolle (me pak lot) me fjalët më vlerësuese që mund të kem dëgjuar ndonjëherë, në karrierën time politike. Nuk më mbajte kurrë mëri, por vazhdove të më ofroje poste që jo gjithmonë mund t’i pranoja. Sepse unë nuk e njihja “politikën e madhe”, por për politikën si shërbim isha kurdoherë e gatshme. Dhe këtë ta kisha thënë dhe e kisha dëshmuar.

Megjithatë, ajo pjesë e vogël e rrugës politike, nga shefe e kabinetit tënd si kryetar i PSSh, dhe më tej, ndonëse plot andralla dhe e ndërprerë në vitet pas teje, ishte e bukur. Unë të isha e të mbetem thellësisht mirënjohëse!

Ndihem keq që nuk ta thashë asnjëherë.

Mbetesh Kryeministri më i vlerësuar, veçanërisht i socialistëve edhe pse në borxh të ndërsjellë ndaj njëri tjetrit. Ti i le publikisht socialistët, por edhe ata ashtu të lanë. Për të t’u kthyer sot “Pas vdekjes”. Por shumica e tyre, miqtë e vërtetë, me vlerësim dhe mirënjohje të sinqertë. Socialistë ose jo.

Jam e bindur që ti arrite shumë, por po aq jam e bindur se edhe ti vetë do të doje që disa zgjedhje t’i kishe bërë ndryshe. Sot e mbylle.

Lamtumirë, shok, vëlla (kështu më binde për t’u bërë drejtuesja e stafit tënd). Fat dhe privilegj të punoje me ty, një mik i rrallë! I paharruar do të mbetesh për familjarët e tu, për popullin tënd, socialistët dhe ata që ia duan të mirën vendit, miqtë e tu të shumtë si pakkush!

Ora 19:36
Fatos Nano u nda nga jeta, Agron Duka: Nuk dinte të hakmerrej, por të falte

1761935845_80001761934745xdukanano799.jpg

Ish-deputeti Agron Duka përmes një postimi në rrjetet sociale ka reaguar për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit Fatos Nano.

Agron Duka ka vlerësuar figurën e Nanos, teksa tha se udhëhiqej nga dashuria për njerëzit.

Ndërsa po ashtu Duka shkruan se Nano nuk dinte të hakmerrej, por të falte.

"Njeriu në jetë njeh shumë njerëz, por jo të gjithë lënë gjurmë të thella si nëna, babai e familja.

Një njeri që unë nuk do ta harroj kurrë ishte Fatos Nano.

Një njeri me një zgjuarsi të lindur, por edhe i thellë në dituri. Ai udhëhiqej nga dashuria për njerëzit.

Nuk dinte të hakmerrej, por dinte të falte.

Shqiptarët ishin me fat që patën në një epokë të vështirë një njeri tolerant, social-liberal dhe të ditur si ai.

U prehsh në paqe, miku im. Qofsh i parajsës", shkruan Duka.

Ora 19:04
Ndarja nga jeta e Fatos Nanos, reagon Veliaj: Ai besoi se e majta duhet të ishte hapje, debat dhe progres, jo thjesht dogmë

1761894695_erionveliaj.jpeg

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar për vdekjen e ish-kryeministrit Fatos Nano. Kryebashku shprehet se me vizionin e tij qytetar dhe thellësisht europian, Nano besoi se e majta duhet të ishte hapje, debat dhe progres, jo thjesht dogmë.

"Me trishtim mora lajmin e ndarjes nga jeta të Fatos Nanos, kryetari që formësoi Partinë Socialiste dhe politikën moderne shqiptare.

Me vizionin e tij qytetar dhe thellësisht europian, ai besoi se e majta duhet të ishte hapje, debat dhe progres, jo thjesht dogmë.

Sot kujtojmë me respekt një udhëheqës tolerant e liberal, i cili diti t’i tregojë këto cilësi edhe me mua, vite më parë, në ditët e rebelimit aktivist.

Demokracia nuk matet me sa shumë flasim, por si debatojmë me qytetari dhe sa shumë dimë të dëgjojmë njëri-tjetrin. Sepse liria nuk është vetëm e drejta për të folur, por edhe përgjegjësia për të kuptuar.

Kjo ishte fryma që Fatos Nano i dha të majtës shqiptare dhe për çka duhet t’i jemi mirënjohës.

U prehtë në paqe",- shkruan Veliaj.

Ora 18:33
Ndarja nga jeta e Fatos Nanos, reagon Berisha: Ngushëllime familjes! Ka meritën e pranimit të rotacionit të pushtetit

1761932862_601c6dfe9d84280005f7bfeb8dfe7c.jpg

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit Fatos Nano. Rivali kryesor i Fatos Nanos në politikë, shpreh ngushëllime për familjarët e ish-kryeministrit socialist dhe e cilëson Nanon personalitet kryesor i të majtës shqiptare gjatë tranzicionit, mbylli sytë përgjithmonë. 

"Fatos Nanon mbyll sytë përgjithmonë. 

Të dashur miq, Fotos Nano, ish-kryeministër i vendit dhe ish-kryetar i Partisë Socialiste, personalitet kryesor i të majtës shqiptare gjatë tranzicionit, mbylli sytë përgjithmonë. 

Fatos Nano ka meritën e reformimit të Partisë Socialste, anëtarësimin e saj në forume të majta ndërkombëtare si dhe pranimin nga ai vetë të rotacionit të pushtetit. 

Me këtë rast shpreh ngushëllime familjes, miqve, të afërmëve të tij dhe socialistëve. Amen",- shkruan Nano.

Ora 17:33
Ndarja nga jeta e ish-kryeministrit, Majko: Pushteti, është shfaqja më e vjetër, por Nano doli prej me titullin ‘njeri’

Ish-deputeti i PS-së Pandeli Majko ka reaguar në lidhje me ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit Fatos Nano, i cili ditën e sotme ndërroi jetë.

Majko shkruan se Nano i provoi të gjitha, ku burgosja si drejtues i PS në opozitë, ishte momenti më i vështirë, por edhe më i lartë i veprimtarisë së tij si politikan dhe njeri!

Ndërsa po ashtu Majko thekson se ka plot politikanë që do të mbahen mend nga servilët e tyre por Nano nuk ishte kjo kategori!

Postimi i plotë i Majkos:

Fatos Nano ka ndërruar jetë!…

Përpara se të ishte drejtues i Partisë Socialiste, Fatosi, ishte djali i Maries dhe i Thanasit! Ai ishte një vlla i mirë dhe prind i dhimbsur!

Në politikë, Fatos Nano nuk tentoi ti shpëtonte asaj që ishte!

Si çdo njeri me pushtet, ai kërkoi nga jeta gjëra që nuk janë në “menu”! Në rrugëtimin e jetës së tij, ai i provoi të gjitha, ku burgosja si drejtues i PS në opozitë, ishte momenti më i vështirë, por edhe më i lartë i veprimtarisë së tij si politikan dhe njeri!

Në politikë, pushteti është i shpërndarë mes njerzve që e meritojnë dhe njerzve që e adhurojnë! Fatosi do mbahet mend për rregullat që theu! Ai ishte produkt i kohës që jetoi!

Në konkluzionin njerëzor të jetës, të gjithë dështojnë të jenë ata që duan! Ndaj çdo njeri nuk mund të gjykohet vetëm nga gabimet që ka bërë! Fatosi nuk ishte një përjashtim!

Historia ka plot politikanë që do të mbahen mend nga servilët e tyre! Fatosi nuk ishte kjo kategori!

Kundërshtarët e tij, mund të mbështeteshin tek ai për të vepruar me dinjitet.

Pushteti, është shfaqja më e vjetër, por edhe irracionale e natyrës njerëzore. Fatosi doli prej saj me titullin “njeri”!

Djali i Maries dhe i Thanasit nuk është më! U end pak kohë, midis dy botëve, duke bërë “negociatën” e fundit! Beteja e fundit midis “kush je” me “çfarë je”!

Dheu i lehtë Fatos! Qofsh i parajsës!

Ora 16:40
Ndarja nga jeta e Fatos Nanos, Salianji: Krijoi një parti moderne të majtë, lejoi garën dhe lirinë e mendimit brenda saj

1761920022_fatosnano.JPG

Ervin Salianji, ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të liderit historik të PS Fatos Nanos. Salianji shkruan se Nano krijoi një parti moderne të majtë ku lejoi garën dhe lirinë e mendimit brenda saj. 

‘Fatos Nano, një nga personalitetet më të rëndësishme të tranzicionit politik shqiptar, drejtues historik i Partisë Socialiste dhe një nga protagonistët e pluralizmit pas viteve ’90. Edhe pse në krahë të ndryshëm politikë, Fatos Nano përfaqësonte një profil të veçantë, liberal në mendim, i hapur ndaj debatit, me kulturë politike dhe respekt për mendimin ndryshe.

Ai krijoi një parti moderne të majtë, lejoi garën dhe lirinë e mendimit brenda saj, dhe formoi breza politikanësh që vijojnë të jenë aktivë edhe sot. Ngushëllime familjarëve, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij. Qoftë i paharruar’, shkruan ai.

Ora 16:38
Ndarja nga jeta e Nanos, reagon Haradinaj: Kontribuues kyç i çështjes shqiptare

1761917941_fatosnano.jpg

Ramush Haradinaj ka reaguar për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit të Shqipërisë, Fatos Nano.

Ish-kryeministri i Kosovës shkruan se Nano ishte kontribuues kyç i çështjes shqiptare në kohëra krize brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë.

“Telegram ngushëllimi! Me pikëllim mora lajmin për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit të Shqipërisë, z. Fatos Nano. Në emrin tim dhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Nano, të afërmve, kryeministrit Edi Rama, Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe gjithë shqiptarëve. Mirënjohje për rolin e tij udhëheqës dhe vizionar. Kontribuues kyç i çështjes shqiptare në kohëra krize brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë. U prehtë në paqe!”, shkruan Haradinaj.

Ora 16:00
Ndarja nga jeta e Fatos Nanos, Ulsi Manja: Lamtumirë kryetar

Deputeti i PS-së Ulsi Manaja ka reaguar në lidhje me ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit Fatos Nano.

Në një postim në Facebook, Manja shkruan se Nano ishte ndarja mes dy botëve, aty ku mbaroi frika e komunizmit dhe nisi debati për demokracinë.

Postimi i plotë:

Ka politikanë që përfaqësojnë kohën ku jetojnë, dhe ka të tjerë që përfaqësojnë epoka.

Fatos Nano ishte ndarja mes dy botëve: aty ku mbaroi frika e komunizmit dhe nisi debati për demokracinë.

Lamtumirë, Kryetar!

Ora 15:52
Peleshi reagon për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit: Fatos Nano është arkitekti i transformimit historik për të majtën shqiptare

Kryeparlamentari Niko Peleshi ka reaguar në lidhje me ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit Fatos Nano.

Peleshi shkruan se Nano i hapi dyert e politikës dhe se ish-kryeministri mbetet politikani modern që solli frymën e vërtetë europiane në mjedisin tonë publik.

Ndërsa po ashtu kryeparlamentari thekson se Nanon është arkitekti i transformimit historik për të majtën shqiptare.

Postimi i plotë:

Lamtumirë, Fatos Nano!

Para pak çastesh u nda nga jeta Fatos Nano, politikani që dominoi një epokë të tërë të jetës politike shqiptare, themeluesi dhe drejtuesi vizionar i Partisë Socialiste deri në vitin 2005.

Për mua personalisht, Fatos Nano mbetet figura që më hapi dyert e politikës, duke më besuar përgjegjësinë e parë publike, në atë kohë një ftesë ndaj një brezi të ri për të ndërtuar së bashku Shqipërinë që ne të gjithë e ëndërronim. Ai kishte atë aftësi të rrallë për t’u dhënë hapësirë njerëzve të provonin veten në shërbim të vendit.

Por figura e Fatos Nanos tejkalon çdo përvojë personale. Për politikën shqiptare, ai mbetet politikani modern që solli frymën e vërtetë europiane në mjedisin tonë publik. Ishte intelektuali që dinte të fliste gjuhën e ideve, liberali që besonte te liria individuale dhe zhvillimi ekonomik, europianisti i bindur që e shihte të ardhmen e Shqipërisë vetëm në familjen e madhe europiane. Në një kohë kur shumë ende mendonin me mendësitë e së shkuarës, ai fliste për të ardhmen.

Për të majtën shqiptare, Fatos Nano është arkitekti i transformimit historik. Ai e ngriti të majtën e re mbi themelet e shëndosha të socialdemokracisë europiane, duke bërë atë që dukej pothuajse e pamundur, ta mbante atë në këmbë në një kohë kur filli ku varej ishte jashtëzakonisht i hollë. Ai kishte guximin të thyente dogmat, vizionin për të parë përtej krizave të çastit dhe forcën për të ndërtuar një lëvizje politike që mund të qeveriste dhe të modernizonte vendin.

Historia do ta gjykojë me drejtësi kontributin e tij. Ne që patëm privilegjin ta njohim, ta dëgjojmë dhe të punojmë pranë tij, e dimë se Shqipëria humbi sot një nga figurat më të mëdha të politikës së saj postkomuniste.

I paharruar, Fatos Nano!

Ora 15:51
Ndarja nga jeta e Fatos Nanos, ish-presidenti Bamir Topi: Një politikan liberal dhe komunikues modern në politikë

1761919442_fatosnano.jpeg

Ish-presidenti Bamir Topi ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të themeluesit të Partisë Socialiste Fatos Nano ditën e sotme. 

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Topi shkruan se Nano ishte qytetarë liberal dhe komunikues si në politikë ashtu edhe në shoqëri. 

'Nano ishte një politikan qytetar liberal dhe komunikues modern në politikë e në shoqëri. Sjellja tij politike me kundërshtarët politikë ishte plot predispozicion për dialog e kompromis.

Personalisht i jam mirënjohës pasi tejkaloi pozicionin e tij politik për të më votuar si president i Republikës duke mënjanuar krizën politike e kushtetuese. U prehtë në paqen e përjetshme', shkruan Bamir Topi. 

Ora 15:22
Presidenti Begaj reagon për vdekjen e Fatos Nanos: Do të kujtohet si lider liberal dhe reformator! I paharruar

1760956087_fatosnano.jpg

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, shprehu sot ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të ish-Kryeministrit të Shqipërisë, Fatos Nano.

Kreu i Shtetit vlerësoi rolin e liderit socialist Fatos Nano përgjatë tranzicionit të vendit, si dhe politikat reformiste e liberale që ai ndoqi përgjatë aktivizimit në politikën shqiptare.

“Me hidhërim të thellë mësova ndarjen nga jeta të Fatos Nanos, liderit socialist dhe të tranzicionit të Shqipërisë në vitet ‘90 dhe 2000.

Fatos Nano do të mbahet mend si lideri liberal dhe reformator.

Ngushëllimet i shkojnë familjes, si dhe miqve e dashamirësve të shumtë të tij.

I paharruar!”  shkroi Presidenti në mesazhin e ngushëllimit.

Ora 15:19
Ndërroi jetë mesditën e sotme, vjen reagimi i parë i demokratëve për vdekjen e Fatos Nanos: Humbje e madhe për familjen socialiste dhe politikën

1761919405_fatosnano.jpeg

Deputeti demokrat, Tritan Shehu ka reaguar për ndarjen nga jeta të liderit historik të Partisë Socialiste Fatos Nano.

Shehu e ka cilësuar ndarjen nga jeta të Nanos, jo vetëm humbje për familjen socialiste, por dhe për politikën shqiptare. Demokrati shpreh ngushëllimet e tij për familjarët, miqtë dhe e bashkëpunëtorët.

“Ngushellimet me te sinqerta per humbjen e Z. Fatos Nano!

Nje humbje per familjen socialiste.

Nje humbje per politiken shqiptare.

Ngushellime familjes se tij, qe e ndjen e perjeton me shume se gjithesekush kete humbje.

Bashkepuntoreve ne vite.

Miqve e shokeve.

Ngushellime!”, thuhet në postimin e Tritan Shehut.

Ora 15:10
Ndarja nga jeta e ish-kryeministrit, Ali Ahmeti: Fatos Nano la gjurmë të pashlyeshme në historinë e Shqipërisë

Kreu i BDI-së në Maqedoninë e Veriut Ali Ahmeti ka reaguar në lidhje me ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit Fatos Nano.

Ahmeti shkruan se me Nanon e lidhte miqësia, bashkëpunimi dhe respekti i ndërsjellë që sipas tij lindi në kohëra sfidash.

Ndërsa po ashtu shkruan se Nano ishte njeri me vizion, guxim dhe urtësi politike, një personalitet që la gjurmë të pashlyeshme në historinë moderne të Shqipërisë.

Më tej ai iu ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë dhe gjithë ata që e deshën e e vlerësuan.

Postimi i plotë:

Me dhimbje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të mikut tim të vjetër, shokut tim të orëve të vështira, Fatos Nano. Na lidhte miqësia, bashkëpunimi dhe respekti i ndërsjellë që lindi në kohëra sfidash, kur idealet për liri, demokraci dhe zhvillim ishin udhërrëfyesit tanë të përbashkët.

Fatosi ishte njeri me vizion, guxim dhe urtësi politike, një personalitet që la gjurmë të pashlyeshme në historinë moderne të Shqipërisë.

Në këto çaste dhimbjeje, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë dhe gjithë ata që e deshën e e vlerësuan.

U prehtë në paqe miku im, Fatos Nano. Kujtimi i tij do të mbetet i gjallë gjithmonë.

Ora 15:08
Ndarja nga jeta e Fatos Nanos, Balla: Do të kujtohet gjithmonë për kontributin vendimtar! Ai modernizoi Shqipërinë dhe partinë

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka reaguar për vdekjen e themeluesit të PS-së, Fatos Nano, i cili ndërroi jetë ditën e sotme në moshën 73-vjeçare.

Balla shkruan se Nano do të kujtohet gjithmonë për kontributin 14-vjeçar në Partinë Socialiste, i cili ka lënë pas rrënjë të forta dhe kulturë politike.

“Sot e humbëm Kryetarin Nano. Do ta kujtojmë gjithmonë udhëheqësin e parë të Partisë Socialiste Fatos Nano për kontributin vendimtar në 14 vite me radhë kur Partia Socialiste nuk lëvizi asnjë moment nga graviteti i interesit kombëtar, çka u skalit si një vijë sjelljeje e palëkundur e partisë sonë, duke e bërë unikale mes partive politike në Shqipëri. Fatos Nano modernizoi Shqipërinë, duke modernizuar partinë. Faleminderit për mundësinë që më dhe të mësoj shumë prej teje. U prehsh në paqe shef”, shkruan Balla.

Ora 15:00
Ndarja nga jeta e Fatos Nanos, Erion Braçe: U shua njeriu që ribëri të majtën shqiptare

1760956087_fatosnano.jpg

Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar pas lajmit për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit dhe ish-kreut të Partisë Socialiste, Fatos Nano.

Në një postim në rrjetet sociale, Braçe shpreh mirënjohje dhe respekt për figurën e Nanos, duke e cilësuar atë si njeriun që ribëri të majtën shqiptare.

“Fatos Nano, njeriu që ribëri të majtën shqiptare, u shua sapo! Pusho në paqe dhe faleminderit për gjithçka!” shkruan Braçe.

Ora 14:56
Lideri historik i PS, Fatos Nano ndërron jetë në moshën 73-vjeçare! Rama: Lamtumirë kryetar

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar për vdekjen e liderit historik të Partisë Socialiste Fatos Nano.

Rama ka publikuar një foto të Nanos shoqëruar me shkrimin ‘LAMTUMIRË KRYETAR’.