Nesër miratohet në qeveri Paketa Fiskale 2019. Njoftimin e bëri kryeministri Edi Rama në Facebook, si dhe kreu i Financave Arben Ahmetaj në Këshillin e Investimeve.
Paketa fiskale që pritet të miratohet të mërkurën parashikon uljen e barrës fiskale për disa sektorë. Taksa kryesore, ku do të ndërhyhet është tatim fitimi. Nga shtatori parashikohet që 56% e bizneseve të jenë të përjashtuara nga kjo taksë dhe 28% të paguajnë tatim fitim në masën 5%. Ndërkohë që vetëm 16% e bizneseve të mëdha të regjistruara do të paguajnë tatim fitim në masën 15%. Qeveria ka vendosur që bizneset me xhiro deri në 14 milionë lekë në vit të paguajnë 5% tatim fitim. Ndërsa për ato mbi këtë nivel, tatimi do të mbetet 15%. Gjithashtu, është vendosur që edhe për bashkimet e fermerëve tatim fitimi të ulet në 5%. Ndërkohë që do të përfitojnë edhe rimbursimin e TVSH-së në masën 20%. Po 5% do të jetë ky tatim edhe për bizneset në agroturizëm.
Në paketën fiskale janë parashikuar gjithashtu edhe lehtësi për investimet në fushën e energjisë diellore.
“Normë të reduktuar të TVSH-së prej 6% për shërbimet e akomodimit, ushqimit apo veprimtarive të tjera, që ofrohen nga subjekti i licensuar agroturistik. Sektori i agroturizmit do të jetë një ndër prioritetet e vendit, me qëllim zhvillimin e turizmit në zonat rurale, e shoqëruar kjo edhe me nxitjen e prodhimit dhe tregtimit të produkteve lokale të zonës”, theksohet në draft.
Ndërkohë, parashikohet përjashtim nga taksa e ndikimit në infrastrukturë e ndërtimeve që bëhen në agroturizëm nga personat e pajisur me certifikatë për veprimtari agroturistike. Në këtë mënyrë, biznesi i agroturizmit stimulohet me të njëjtat instrumenta që u përdorën për stimulimin e turizmit elitar me 5 yje.
Në raportin e fundit të FMN-së për Shqipërinë këshillohej qeveria shqiptare të mos bënte përjashtime fiskale. Kjo nuk është marrë parasysh.
Jani gati 11 mijë sipërmarrje në vend që përfitojnë nga ulja e tatimit-fitimit me gati tri here, shkruan kryeministri Edi Rama. Me hyrjen në fuqi të këtyre ndryshimeve, 91% të sipërmarrjeve u bëhet tatim-fitimi 0-5%.
Linjat kryesore të Paketës Fiskale që hyn në fuqi nga 1 janari 2019
Ulje e barrës fiskale
56% e bizneseve 0% tatim fitim
28% e bizneseve 5% tatim fitim
16% e bizneseve 15% tatim fitim
Lehtësim të investimeve në fushën e energjisë diellore
Lehtësim i investimeve në fushën e agroturizmit
Deri në 14 mln lekë/vit 5% tatim fitim
Mbi 14 mln lekë/vit 15% tatim fitim
Kooperativat bujqësore 5% tatim fitim
Bizneset në agroturizëm 5% tatim fitim
Akomodimi, shërbimi në turizëm 6% TVSH
Agroturizmi përjashtim nga taksa e infrastrukturës
Sektori i ndërtimit përmirësim i skemës së taksimit