Politikat vendore, Veliaj: Konsensus
të majtë e të djathtë për të ecur para

Politikat vendore, Veliaj: Konsensus<br />të majtë e të djathtë për të ecur para
Për herë të parë Shqipëria ka ngritur Këshillin Këshillimor të Qeverisjes Qendrore me Vetëqeverisjen Vendore, e cila detyron qeverinë qendrore të konsultojë me përfaqësuesit e pushtetit vendor të gjitha nismat qeveritare, duke nisur nga projektligjet, VKM-të, strategjitë apo dokumentet e politikave që ndikojnë në funksionimin e qeverisjes vendore.
 
I pranishëm në mbledhjen e konstituimit të këtij Këshilli ishte edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, njëherësh edhe Kryetar i Shoqatës për Autonominë Vendore. Në fjalën përshëndetëse, kryebashkiaku Veliaj vlerësoi ndarjen administrative territoriale, e cila rriti mundësinë e njësive vendore për të performuar më mirë. Veliaj vlerësoi ngritjen e këtij Këshilli Konsultativ, ndërsa theksoi se shoqatat e njësive vendore duhet që të bashkohen për të punuar për interesat e qytetarëve.
 
Jam krenar që drejtoj shoqatën e bashkive që ka 75% të kryetarëve të bashkive, por gjithmonë kam këmbëngulur që shoqatat të bashkohen, të jemi të gjithë bashkë. Ndaj, më vjen mirë që një hap i parë është hedhur sot dhe pavarësisht se përfaqësoj shumicën e bashkive të Shqipërisë, më vjen mirë që në fakt prezantimi në tryezën e këshillit këshillimor e kemi të barabartë. Besoj se është një shenjë pozitive e grupit të shumicës për të treguar që kjo nuk është një garë se kush është më i forti, kush është më i madhi, kush ka më shumë të drejtë. Kjo është një mundësi fantastike kur vjen puna tek interesi publik i qytetarëve tanë, ku pastrimi i qytetit nuk njeh të majtë e të djathtë, as pusetat nuk njohin të majtë e të djathtë, po kështu ndriçimi, ngrohja në kopshte, çerdhe e shkolla”, tha Veliaj.
 
Duke u ndalur te financat vendore, Veliaj kërkoi më shumë kompetenca për njësitë vendore.

Teksa futemi për të diskutuar një ligj shumë të rëndësishëm, si ligji i financave vendore, kaluam nga një situatë ku në bashki kishim rreth 13 procese kryesore, sot thuajse kemi trefishin, në mbi 30 kompetenca të tilla. Shqetësimi im ka qenë: do delegojmë dhe do decentralizojmë vetëm problemet apo edhe zgjidhjet? Do të doja në fakt që kjo të ishte diçka që merret parasysh edhe në projektligjin që do të fillojmë të diskutojmë për financat vendore”, tha Veliaj.
 
Kreu i Bashkisë kërkoi që caktimi i disa prej taksave të jetë kompetencë e njësive vendore dhe jo e qeverisjes qendrore, sikurse është aktualisht.

Duket pa kuptim që qeveria qendrore cakton taksat dhe tabelat e reklamës në Tiranë. Unë besoj se Bashkia mund t’i caktojë më mirë, sepse një tabelë e vënë në bllok, ka një taksim ndryshe nga një tabelë e vënë te kthesa e Kamzës. Ashtu siç besoj se taksa e pronës duhet të ketë një diferencim. Nuk mund të kemi një parlament, i cili cakton të njëjtën taksë prone, si një shtëpie që është regjistruar në Tiranë në Njësinë Administrative Shën Gjergj, apo një shtëpie që është regjistruar në bllok dhe ku vlera e pronës është totalisht ndryshe”, tha Veliaj.
 
Kryebashkiaku Veliaj deklaroi se për çështjen e politikave vendore ka një konsensus të majtë dhe të djathtë, për të çuar përpara reformat. Ai propozoi që në mbledhjen e këtij Këshilli të parashikuar për në shkurt, të përfshihet në axhendë diskutimi i ligjit të financave të pushtetit vendor.
 
Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Cuçi, e cilësoi këtë Këshill një element kyç të reformimit të qeverisjes vendore dhe vendosjes së një klime bashkëpunimi real midis këtyre dy pushteteve në Shqipëri.

Duke u ndaluar te ngritja e Këshillit Këshillimor të Qeverisjes Qendrore me Vetëqeverisjes Vendore, Çuçi nënvizoi  se “sot ne arrijmë që të ngremë një urë të re komunikimi midis nesh, një “agorë” të re ku të ballafaqojmë në mënyrë të civilizuar, konstruktive dhe të strukturuar idetë tona, politikat dhe objektivat, si dhe çdo çështje tjetër me interes për ecurinë dhe progresin e qeverisjes vendore, pavarësisht kampeve ku militojmë apo qëndrimeve të ndryshme”.
 
Të pranishëm në këtë takim ishin edhe Andreas Kiefer - Sekretar i Përgjithshëm i Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale pranë Këshillit të Europës; Christoph Graf - Ambasador i Zvicrës; Cate Johnson - Drejtore e USAID për Shqipërinë; si dhe Aldrin Dalipi - Kryetar i SHKQSH, Kryetar i Këshillit të Qarkut Tiranë.
 
Ngritja e këtij institucioni krijon një tjetër realitet në bashkëpunimin dhe forcimin e dialogut mes pushteteve, duke u sanksionuar përmes një mekanizmi ligjor. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Meta flet për tradhtarë brenda PL-së, Mehmetaj: S’jam dakord për këto terma

Meta flet për tradhtarë brenda PL-së, Mehmetaj: S’jam dakord për këto terma