Shefi i ri i diplomacisë polake, Grzegorz Schetyna u shpreh sot për një normalizim të marrëdhënieve të vendit të tij me Rusinë dhe Ukrainën, në një intervistë të publikuar sot.

"Do të bëj gjithçka për të rikthyer marrëdhëniet normale mes Polonisë, Rusisë dhe Ukrainës", deklaroi pasardhësi i ministrit të Punëve të Jashtme, Radoslaw Sikorski, i njohur për mbështetjen e tij për Kievin dhe kritikat kundër Moskës për përfshirjen e saj në krizën ukrainase.

"Polakët duhet të jenë të bindur se politika jonë në lindje iu jep atyre garanci për sigurinë. Populli e pret këtë nga qeveria dhe ministri i Punëve të Jashtme", deklaroi Schetyna për të përditshmen "Polska".

Sot presidenti polak, Bronislaw Komorowski emëroi qeverinë e re të Ewa Kopacz, zgjedhur për të siguruar vazhdimësinë e kabinetit të Donald Tusk, emëruar në krye të Këshillit të Bashkimit Evropian.

Deklaratat e para të Kopacz mbi konfliktin ukrainas u kritikuan në Poloni si nga media ashtu dhe nga opozita.

Kopacz kishte deklaruar se përballë konfliktit ukrainas "Polonia duhet të sillet si një grua e arsyeshme, e shqetësuar për sigurinë e shtëpisë dhe fëmijëve të saj". Ajo përjashtoi që Varshava do të furnizojë me armë Kievin.