Duhet të ishte një përballje për zonën e mbijetesës, por Vora e ktheu në miqësore sfidën e sotme kundër Bylisit. Vorakët fituan 4-1 në kryeqytet për raundin e 18-të në Superligë kundër një Bylisi që u pa larg formës së tij dhe gaboi shumë, aq sa portieri Jérémy Vachoux braktisi ndeshjen në minutën e 43-të, një rast që nuk ishte parë në futbollin shqiptar.
Sfida u zhbllokua pas dhjetë minutave lojë nga Ruzgis, pas një gabimi në prapavijën mike. Më pas portieri i Bylisit, Jérémy Vachoux, u mundua të niste aksionin me shpejtësi në minutën e 24-t, por e dorëzoi topin te Geci i cili shënoi edhe golin e dytë.
Pas këtij momenti portieri francez i Bylisit nuk ishte i qetë dhe "shpërthimi" erdhi në minutën e 43-të. Jérémy Vachoux nuk largoi si duhet një pasim, por për fatin e tij topi doli jashtë.
Kaq u desh që ai të ishte i ngarkuar dhe pas këtij aksioni doli vetë nga fusha, edhe pse trajneri Mirel Josa nuk kërkoi një zëvendësim. Në kampin ballshiot u panë të habitur nga ky vendim i portierit, i cili u ndëshkua me karton të verdhë pas këtij veprimi, ndërsa me të dalë nga fusha hoqi edhe fanellën për t'u drejtuar direkt në dhomën e zhveshjes.
Vendin e tij e mori portieri i dytë i Bylisit, Renato Beqja, të cili iu desh pak kohë sa të bëhej gati për t'u vendosur në katërkëndësh.
Në fraksionin e dytë Ibrahim Mustapha shkurtoi shifrat për Bylisin në 2-1, por Irgi Kasalla në minutat 77 dhe 81 shënoi dy herë të tjera për Vorën. Me 19 pikë vorakët lënë zonën e ftohtë dhe zbresin Bylisin në vendin e tetë.
Lajmi kryesor:
Dinamo përmbys 1-3 Partizanin në derbi, Egnatia fiton në Durrës! Portieri i Bylisit braktis ndeshjen, sot edhe dy ndeshje në Superligë! Bojkoton Flamurtari










