Portret dhe Kujtime/ ‘ATO VITE
SHKODRANE!’ të aktorit Pjetër Gjoka

Portret dhe Kujtime/ ‘ATO VITE<br />SHKODRANE!’ të aktorit Pjetër Gjoka
15 minuta në skenë si një i vdekur, ndërsa moshatarët e shponin me gjilpëra në prapaskenë dhe ai nuk lëvizte..” “Kujtoni se nuk ndjeva, shihni vendin tërë gjak. Roli ishte i një të vdekuri dhe unë interpretoja të vdekurin…”
 
Aktori Pjetër Gjoka, një karrierë e pazakontë nga pasionet e fëmijërisë tek roli i tij i parë, kur iu desh të interpretonte një të vdekur, më tej një varg rolesh brilante në teatër dhe një galeri rolesh po kaq të spikatur në kinema....
 
Shkodra zë një vend të rëndësishëm në jetën e aktorit Pjetër Gjoka. Fëmijërisë dhe rinisë së tij i dha impulset artistike, që do të zhvillohen gjatë fazës së parë të krijimit të tij si artist i skenës. Megjithëse kjo është një periudhë e rëndësishme për të njohur personalitetin e këtij aktori, prej afro 29-vjeçare, përgjithësisht është kaluar në heshtje.
Pas vendlindjes, Shkodra ishte qyteti i parë që njohu, qyteti që i fali ëndrra të vërteta, që e zhvilloi dhe e formoi, që i fali dashurinë për teatrin. E Pjetri ia shpërbleu “…me artin e tij, me shembullin e një vullneti të madh”- do të thoshte në një shkrim regjisori i madh Piro Mani. (“Gjithnjë pranë nesh me artin e tij, me shembullin e një vullneti të madh”, rev. “Nëntori”, 6/1982).
Pjetër Gjoka, në mes shumë kujtimeve për Shkodrën kujton se “…isha fëmijë shtatë vjeç kur më 1919 në Shkodër fliste në një miting para popullit patrioti Luigj Gurakuqi. Befas u dëgjua një e shtënë. Heshtje. Nga populli shpërthyen zëra:
-Trashëgimtarin, duam trashëgimtarin!
Luigj Gurakuqi i entuzizmuar shikoi një çast popullin, përqafoi një djalosh të ri që kishte në krah e duke treguar atë, thirri me zemër:
-Ja ku e keni trashëgimtarin!
Vite më vonë pyeta dhe kërkova shpjegime për këtë ngjarje nga më të rriturit dhe mësova: Populli patriot i Shkodrës kërkonte që Luigj Gurakuqi të linte pas edhe një fëmijë që të ndiqnin rrugën e tij. Por ai fëmijë nuk pati. Djaloshi që kish përqafuar ishte Avni Rustemi”. (Shkrimi: “Populli, ngjarjet dhe aktori”, autori Ruzhdi Qatipi (Intervistë me Pjetër Gjokën, gaz. “Drita”, 16 prill 1978)  
Pjetër Gjoka lindi më 2 gusht 1912 në Ulqin. (I ati, Gjoka kishte ardhur këtu për arsye gjaqesh. Në këtë kohë pushka vrastare thellonte gjithnjë e më shumë plagën vëllavrasëse). Erdhi në Shkodër, në vitin 1914, kur Lufta e Parë Botërore po shpaloste zjarrin e saj kudo. Fëmijërinë e kaloi në varfëri e skamje. Në këtë kohë Gjoka (me origjinë nga Dushmani i Shllakut) punonte si hamall, pastrues pusesh e bënte gjithëfarë punësh me mëditje. E ëma Çija (me origjinë nga Toplana) një grua e qetë dhe e ëmbël, punonte punë nga më të ndryshmet, që nga rrobalarëse e deri te mbledhëse e coklave në bregun e Kirit.     Megjithëse prindërit ishin analfabetë, për të birin u kujdesën që të shkollohej. Pasi mbaroi Liceun klasik të Shkodrës, shërbeu si mësues në Mirditë, Vlan e Shëngjergj.
Dashuria për artin e sportin i lindën që në fëmijërinë e hershme. Shikonte nga plasat e dyerve grupet diletante që bënin prova, shikonte nga dritaret skenën ku bënin provat aktorët… Ashtu me tekste të cunguara nga sa i mbante mend imitonte në grupin e fëmijëve. Kjo zgjati deri në një farë kohe, deri më 1930, në moshën 18 vjeçare, Pjetri luajti me të rriturit në një komedi një aktëshe. (Inskenim i një përralle popullore). Luajti rolin e një të vdekuri. Për këtë aktori Gjon Karma do të shkruante: “…më kujtohet në Shkodër kur filloi së parit me një rol komedie që quhej “Trimënija e parë”, ku luante një njeri që shtirej si i vdekur pa bërë asnjë lëvizje, kurse një tjetër e ruante. Kur kujtonte këtë rol Pjetri qeshte e thoshte: “Teatrin e fillova me një rol të mbrapshtë, por inshalla më del hair më vonë”. (Gjon Karma, “52 vjet pa zbritur nga skena”, rev. “Nëntori”, 6/1982)
     Për këtë rol të parë në jetën artistike të Pjetrit, studiuesi Baxhul Merkaj thotë: “Roli i parë ka qenë “Një i vdekur”. Luante në një teatër amator. Por shokët e tij amatorë u futën në bodrum gjatë shfaqjes dhe vendosën ta ngacmonin duke e shpuar me gjilpërë mga poshtë skenës. Skena e rolit të të vdekurit zgjati 15 minuta. Ai nuk lëvizi, qëndroi i ngrirë. Po ata vazhdonin ta shponin duke menduar se gjilpëra nuk kishte mbërritur në trupin e tij. Kur u mbyll perdja, ai nuk lëvizi. Pas pak u ngrit e tha: “Kujtoni se nuk ndjeva, shihni vendin tërë gjak. Roli ishte i një të vdekuri dhe unë interpretoja të vdekurin…” (B. Merkaj, “Profil i krijuesit të gjithanshëm”, “Rilindja” e Kosovës, 08. 05. 1977).
     Ai iu kushtua me mish e shpirt vetëm teatrit, ku talenti i tij shpalosej shfaqje pas shfaqjeje, duke korrur sukses kudo. Shpejt fitoi admirimin e amatorëve të vjetër, siç ishte Zef Hilgega, që e afruan ndër grupet e shoqëritë e tyre, ku punoi me dinjitet. Megjithëse i ri, interpretonte shumë herë role pleqsh bujarë dhe i punonte me aq kujdes duke vënë në përdorim zërin e tij të ëmbël, si dhe plastikën e ndjenjat e vërteta.
     Kryekomiku i Shkodrës, për atë kohë Zef Hilgega, i cili ishte njeri me shije të hollë e  nuk i parapëlqente fort disa aktorë që bënin teprime e tallje në skenë, për Pjetër Gjokën shprehej: “Ky është i vetmi që më pëlqen e nuk ngopem duke e parë sa herë del në skenë, ky e paraqet plakun zemërbardhë me të gjitha nuancat…”
     Rolet pasuan njëri-tjetrin. E shohim te malësori në melodramën “Shqyptari i gjytetnuem”, të At Gjergj Fishtës, te princi në dramën “Dy princa për një vashë” të H. Lacajt, etj. Krahas skenës u aktivizua edhe me sportin, ku spikati vrulli, forca, teknika dhe pasioni që s’i harroi deri edhe atëherë “kur… kish humbur dritën e syve, kur ai me intuitën e tij të madhe komportohej me partnerët, kryente lëvizjet skenike, ngjitej dhe zbriste shkallët, themi se ja çka mund të bëjë një artist i vërtetë…” (B. Merkaj, “Pjetër Gjoka dy vjet interpretoi pa dritën e syve”, gaz. “Bashkimi”, 01. 03. 1997) “Pjetër Gjoka, ky artist i madh”, gaz. “Koha jonë”, 29.08.2002)
     Në vitin 1933 është anëtarë i 11-it shkodran “Vllaznia”, si mbrojtës. Më 1934 është kampion kombëtar dhe përfaqësuesi i Shqipërisë në Olimpiadën Ballkanike të Athinës, në garat e atletikës, në tre hapësh (ky rekord është thyer në vitin 1964 për të rinjtë) dhe 4x100 m. Për të plotësuar gjithanshmërinë e tij i dha kohë dhe muzikës. Merr pjesë në Bandën e qytetit të Shkodrës dhe përdor si vegël fryme kornon. Për vitet ’30 ishte një ndër tenorët më të mirë të vendit. Tefta Tashko Koço më 1936, pasi i bën përshtypje zëri i Pjetrit për ëmbëlsinë dhe sigurinë e interpretimit, thotë: “Të përpiqemi e t’i nxjerrim një bursë për Konservator”. Por pasioni për teatrin mbeti i përjetshëm. Merr pjesë në tri shoqëri teatrore. Suksese pati veçanërisht në shoqëritë “Rozafat” e “Bogdani”. Në këtë të dytën, përveçse luajti rolin kryesor në dramën “Drejtësia e ciganëve”, bëri për herë të parë edhe regjinë.
     Krijimtaria aktoriale e Pjetër Gjokës shërbeu si urë kalimi nga teatri deklamativ tek teatri i ri realist. Interpretimi i Pjetrit sillte ngjyra jete. Vetë origjina me prejardhje nga Malësia, si në jetë ashtu edhe në skenë: e bëri të ishte i matur dhe i avashtë, i logjikshëm, me sedër, që donte t’i dilte punës gjer në krye e me sukses. “Kudo qofsh,-thoshte Pjetër Gjoka,- meditimi të troket në portën e mendjes edhe kur kalon rrugës, bile, edhe kur fle, të zgjon e të detyron të mendosh për të e me të, pra bëhesh një i pashkëputur nga personazhi” (J. Papagjoni, “Aktorët…”). Ndoshta me kërkesa të tilla artistike që kishte ndaj vetes, ai kështu komunikonte edhe me të tjerët. Për këtë na vjen në ndihmë një kujtim që Pjetër Gjoka, në gusht të vitit 1973, do t’u linte nipave e mbesave të Kristinës e të Ndocit të axhës (është fjala për Ndoc Dedën, aktor në bërthamën e parë të teatrit “Migjeni”,-shënimi im). Ndjeshmëria e dhembja, sakrifica e vullneti i madh, papërkulshmëria e virtyti “vizatojnë” kujtimin në fjalë: “…atyre që kur të rriten do t’u buzëqeshë pranvera, atyre që me gaz e hare në shpirt e me lule fitoresh në duar përherë u gëzofshin. Por kur të mos harrojnë se në jetë ka vështirësi e se të gjitha lulet nuk arrihen me lehtësi. Kushedi sa herë, në pranverë, ky burrë i thinjur që shikoni në fotografi, kur ishte fëmijë pas vjollcave në kaçuba gishtat pat therë, e pat provuar se pas lulesh kishte gjemba. Sa vështirësi, sa vuajtje, sa idhnime, sa shqetësime, sa djersë e lot e net pa gjumë vite me radhë pat mësuar ky axha i juaj për të mbledhë këto lule që do t’i lexoni me mburrje në këto pak rreshta të shkruar. Do të rriteni, do të mësoni, do të thelloheni e vetë jeta do t’ju ndihmojë të zbuloni se thjeshtësia është më e bukura. Nuk është art, por virtyt, virtyt që shumëzon lulet e pakëson gjëmbat. Futeni në jetë po deshët këtë këshillë kaq shumë e pat dëshiruar ky axha juaj”.
     Përshtypjet e tij, që plotësojnë më tej portretin e tij i gjejmë edhe në një letër, dërguar më 30. 08. 1963, poetit dhe përkthyesit Zef Staku, të cilit i shkruan: “Zef, Të falenderoj që këto ditë pushimi më shoqnove me jonet e ambla e të kërthnezta të ksajë kryevepre. Frymëzimit poetik që përshkon gjithë veprën, i asht përshtatë bukur e kumbueshëm një gjuhë e pasun dhe e pastër e punës s’uej dashamirse. Aty këtu në pak vende, tue mos i shmangë rregullave të teknikës së vargnimit nuk do t’ishte keq të përdorshit, edhe një herë kalimthi, limen e frymëzimit tuej shpirtnuer. Unë si një njeri i pa ndonjë titull letrar, përveç çka përvoja e jetës më ka mësue, pa dashun të baj krahasimin e veprave mund të tham se: Përkthimi i dy rapsodive t’Iliadës “Dy luftimi Hektor – Akil dhe Varrimi” përderi tashti janë të pakalueshme. Kështu pra edhe puna juej e censhme dhe serioze me Eugen Oniegini, për mendimin t’im, i përshtat ma së miri asajë lëvdate. U lumtë. Pjetër Gjoka “. (arkivi personal i Zef Stakut).
     Gjatë karrierës së tij si amator Pjetri u njoh me një vajzë qytetare, që edhe ajo kishte një dashuri të madhe për artin skenik, por më shumë si spektatore. Kjo vajzë më 11 tetor 1943 u bë gruaja e tij, quhej Lizeta Mark Krroqi, që tërë jetën e saj e ndoqi Pjetrin me urtësi e dashuri, deri në ditet e fundit të jetës së tij.
     …vinte Pjetri herë pas here në Shkodër, të takonte miqtë e tij të ngushtë. Njëri ndër ta ishte dhe regjisori Andrea Skanjeti (sot “Artist i Popullit”, dhënë pas vdekjes). Të dy në një mbrëmje të vakët prilli, po rrinin në verandën e hotel “Rozafës” e po pinin kafe. Biseda e kujtime, kujtime e biseda… Më pas filluan të flisnin për planet e projektet që kishin ndërmend të bënin. Pjetri me atë ngadalësinë e tij të matur i tregon se kishte shkruar një skenë nga vdekja e Azem Galicës dhe donte ta transmetonte në Radio Tirana. Kurse Andrea i thotë se, sapo kam përfunduar dramën “Drenusha e Drenicës”, që i kushtohej Shotës. Pjetri i shfaqi dëshirën që këtë dramë ta vinte në skenën e teatrit “Migjeni”, pasi në këtë periudhë aktorja e talentuar Justina Aliaj po korrte sukses me “Norën”. Pjetri e kishte parë këtë shfaqje dhe kishte shkruar: “… binte në sy forca e talentit të aktores Justina Aliaj e cila, me interpretimin bindës e të natyrshëm, të saktë e realist, plot forcë komunikuese mendimi dhe emocioni në rrethana shumë të koklavitura, arriti të ngrejë lart figurën zemërtrime…” (P. Gjoka, rev. “Skena dhe ekrani”, 1/1981). Por dëshira mbeti dëshirë… Fjeti si një “kangë e pakëndueme” në dëshirën e një artisti që me zemër e me shpirt e donte Shkodrën.
     Me këtë qytet Verior, Pjetër Gjoka “u nda” më 20 prill 1945. Në këtë periudhë luajti në pjesët: “Djersë dhe gjak”, (punuar e drejtuar nga Lec Shllaku, sot “Artist i Popullit”), “Bujtina e të varfërve”e M. Gorkit, “Përtej horizontit” i O’ Neil, “Armiku i Popullit” i Ibsenit, ku ai shkëlqen, dhe janë rolet e fundit në skenën teatrore të Shkodërloces. Nis një udhë e re, udha ku “aktori i vërtetë përballon punën e madhe që kërkojnë krijimet e personazheve të vërteta”). (shkrimi “35 vjet më parë”, rev. “Nëntori”, 5/1979).
     Shkodra, qyteti i fëmijërisë dhe i rinisë, qyteti i ëndrrave, këngëve dhe kujtimeve e ndoqi pas artistin Pjetër Gjoka, i cili me aftësinë e tij të rrallë, gjithmonë duke ruajtur individualitetin, ai kalonte nga një personazh tek tjetri… Klaudio te “Hamleti”, Zebelini te “Orët e Kremlinit”, Doksboru tek “Arturo Ui”, Ymer Prizreni tek “Epoka para gjyqit” e deri te figura – përmendore e Pilos (“Shënomëni edhe mua” e H. Minarollit) që e interpretoi me një talent të rrallë në errësirën e plotë të syve, duke lënë pas dritën e një roli, pa zbritur nga skena 52 vjet, duke vendosur lidhje të thella e të brendshme me vetë figurat që interpretoi, duke hyrë në mendimet dhe psikologjitë e tyre të veçanta, pra, duke i përjetësuar ato, siç i përjetëson arti i vërtetë.
 
Shkodër, Gusht 2016.
           
Redaksia Online
Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Humbi jetën pasi ra nga shtylla e tensionit në Patos, reagojnë Sindikatat për punëtorin egjiptian: Përgjegjësit të dalin para drejtësisë

Humbi jetën pasi ra nga shtylla e tensionit në Patos, reagojnë Sindikatat për punëtorin egjiptian: Përgjegjësit të dalin para drejtësisë