Kryeredaktori i Shqiptarja.com Edmond Arizaj analizon sot portretin e zgjedhor pa autorizim të kryetares së parlamentit Jozefina Topalli. Në ditët e kaluara, Arizaj publikoi në Shqiptarja.com (print) dhe portretin e Edi Ramës, sfida e një rilindasi dhe Qershori i tretë i Sali Berishës dhe Ilir Meta, Konti i LSI-së
Nuk është shumë e lehtë për kryedeputeten shqiptare. “Zoti i ka fal” sharmin e Zhaklinë Kenedit, por politika e detyron të jetë e hekurt, një Margaret Theçer. E ndonjëherë edhe “gjermane”. Por ashpërsinë e sallës së Kuvendit, ajo përpiqet ta “neutralizojë” kur me xhinsa e mes vajzave të reja, nuk heziton të këndojë e të kërcejë në bulevardin e madh. Nuk e ka problem të ndërrojë dy lëkurë brenda ditës.
Nga ashpërsia deri në arrogancë, teksa mbron “të sajët” në Kuvend, në përulësinë ngjashmërisht “nënë Terezë” (një temë që ajo jo pak herë e sjell mes shqiptarëve)tek përqafon nevojtarët, apo edhe adhurueset. Nga serioziteti I numrit dy të shtetit, në makinën e rëndë e të zezë të kryeparlamentares, në xhiron me motora mes shkretëtirave arabe.
Nëse Jozefinës do t’I heqësh atë pjesën “e ashpër”, fare mirë mund të dilte një zonjë që mendon vetëm për të drejtat e grave. Në tetë vjet përballë 139 deputetëve, nuk mund t’i numërosh as me gishtat e dorës replikat me gratë deputete. Por gishtat nuk mjaftojnë për të numëruar aktivitet pro grave. Mos ndoshta Topalli është një feministe e fshehur? Apo mos vallë e lodhur, së bashku me simotrat e saj majtas e djathtas nga “dhuna burrërore shqiptare” kërkon të ngjallë e të mbrojë me sa mundet femrën?
A ka ndonjë ditë të errët Jozefina Topalli? Ajo është e kujdesshme të mos e tregojë në publik. Eshtë e vetëdijshme se kamerat, të dashura apo hidhnake e ndjekin në çdo moment, ndaj në çdo moment ajo është e syçelë. Por duket se dita e saj më e errët ka të bëjë pikërisht me zgjedhjet. Atëherë kur Partia Socialiste, kundërshtarët, “guxuan” të hynin në kështjellën e saj, Rozafatin.
Nuk ia dolën, por jo pa lënë shenja. Ishte ndoshta një shkundje për Topallin se shkodranët e saj, nuk mund të mbaheshin më vetëm me kujtime, e as të ushqeheshin me dosje ish-komunistësh, e as të përkujtonin çdo ditë diktaturën duke ecur në rrugët shkatarraqe të mbetura prej asaj kohe...
Tre muaj para zgjedhjeve të këtij viti, Topalli nuk e ka lënë kohën t’i shkojë dëm, e as Shkodrën t’i rrënohet në pikën pa kthim. Ndoshta nuk është “Shkodër locja”, por gjithsesi mund të flitet për një qytet që gjallon, jeton, dhe ecën... edhe me biçikleta. E ajo, në 23 qershor do të kërkojë të jetë sërish “e përkëdhelura” e qarqeve të Shqipërisë për Partinë Demokratike. Ndoshta nuk do të jetë e lehtë.
I duhet të përballojë presionin e një tetë vjeçari qeverisës, që nuk ka shkuar fjollë për shqiptarët, madje edhe për shkodranët, i duhet të përballojë edhe rëndesën e pamundësisë për të integruar të gjithë të persekutuarit e Shkodrës dhe pasardhësve të tyre, dhe që janë shumë. Pa i duhet të ruajë balancat mes atyre që duan vetëm Jozefinën, por që po u zbehet dashuria për Berishën, apo e kundërta, e më e keqja fare, atyre që s’kanë më dashuri. E mbi të gjitha do t’i duhet t’i përballojë sulmet e një partie prej tetë vitesh në opozitë. Që mund të kenë të njëjtën forcë me PD e 2005-ës. E, Topalli sigurisht që nuk do të mjaftohet, se Shkodra është Shkodër. Edhe Kavaja ishte...
“Po mër”, thotë Topalli me atë shkodranishten e këndshme, ku “ë” herë merr nga “e”-ja, e herë merr “nga “o”-ja. Eshtë e sigurtë. Edhe në hap, kur ecën krah Berishës. Edhe kur ngre dy gishtat më lartë se Berisha. Edhe kur qesh menjëherë pas Berishës. Edhe kur takon Papën e ri pas Berishës. Edhe kur mbron çdo propozim të Berishës, qoftë ky për hidrocentrale, apo për arra.
A mund të jetë ajo “një Berishë”?! Të paktë janë ata që mund të guxojnë ta thyejnë këtë perceptim të kësaj kohe, apo edhe të ardhmes. Mund të guxojnë vetëm duke pasur pikërisht dorën e Sali Berishës mbi shpatulla, por Topalli është aty. Dhe është shumë e fuqishme. Aq e fuqishme, sa qoftë edhe duke buzëqeshur mund t’ua heqë të dyja duart e Berishës nga shpatulla dhe t’i lerë përballë akullit të qëndrestarëve...
Jozefina pret... Tani është e preokupuar “të masakrojë” socialistët dhe Ramën për tre ligjet. Një përgjegjësi që ajo e merr pa mëdyshje, ku herë shfrytëzon fuqinë e butonit të mikrofonave, e hërë mundësinë që i jep e drejta për të mbyllur seancën...duke thënë ajo fjalën e fundit, pikërisht atë që mbetet në mendjen e shqiptarëve të uritur për komente. ..
Ndoshta do të jetë sërish edhe katër vite të tjera aty... ministritë mund t’ia heqin kënaqësinë e “Jozefinës kryetare”, edhe kur shqiptohet ironikisht nga Taulant Balla.
Diku tjetër, do të jetë thjesht “zonja Topalli”, një nga 14 të tjerët... Apo ndoshta dhe s’do të jetë më, së bashku me gjithë epokën tetë vjeçare, duke u zëvendësuar në rastin më të mirë nga një prej socialisteve të sallës...Edhe Theçer pas 11 vjetësh nuk ishte më.
Gjithsesi, pas 23 qershori i këtij viti do të japë përgjigje për shumë pikëpyetje. Mes tyre edhe për Jozefina Topallin. Pa pikëpyetje është vetëm një gjë: Edhe këtë rradhë ajo do të jetë zonja e parë e Shkodrës. E kështjellës së saj...
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 28.03.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)