Portret zgjedhor pa autorizim:
Rama, sfida e një rilindasi

Portret zgjedhor pa autorizim:<br />Rama, sfida e një rilindasi
Ai sot është serioz. Garderoba shumëngjyrëshe e përzgjedhur me kujdes, është hedhur mënjanë. Jeshilja ia ka lënë vendin të zezës, portokallia të kuqes, e verdha të bardhës. Ka hyrë, vërtetë me zor e mundim, nën petkun e një politikani, pavarësisht se lëkurën nuk e vesh dot të tillë. Do të mbetet përherë një Edi Ramë kontrovers, edhe në moshën 50 vjeçare. Ngjyrat që nuk ia lejon më vetes, ia vesh partisë…

Vetëm tre muaj e ndajnë nga “gjykimi i madh”. Sigurisht jo përpara Zotit, por mijëra e mijëra socialistëve, të cilët nuk kanë më asnjë shpresë tjetër përveç tij. Rama e di këtë. Ashtu siç e di, se pushteti i kundërshtarit nuk mund të pritet me një sëpatë, si dikur shtyllat e elektrikut që prishnin bukurinë e trotuareve. Ka nisur një malore të vështirë; “armatosjen” e gjithë elektoratit me një sëpatë të vogël; secili të presë pjesën e pushtetit në copën që i takon.

Ka nga ata që nuk e ngrenë dot sëpatën, ka nga ata që ia lënë në dorë dikujt tjetër, ashtu si ka nga ata që i bien degës ku janë edhe vetë të ulur. Edhe këtë Rama e di. E megjithatë, vazhdon të marrë mbi supe rreziqe. Flet se do të rishikojë konçensionet e HEC-eve dhe prezanton pikërisht një sipërmarrës të tillë; shpërfill në ekstrem gazetarët dhe kujdeset deri në detaj për një kandidat nga ky komunitet; ankohet, proteston deri në grevë urie për KQZ, dhe gjen si partner një ish-kryetar të saj… Nuk është i lehtë Rama për t’u kuptuar.

E sigurtë është se ai duket më i fortë. Oooo. Shumë më i fortë se dymbëdhjetë, tetë, katër, apo dy vjet më parë. Nuk përkulet më si 12 vjet më parë për të dëgjuar se çthotë Fatos Nano, nuk hyn më i druajtur në PS si tetë vjet më parë, se si do ta presë Gramoz Ruçi, nuk ka më frikë si katër vjetë më parë se mos e spostojnë brenda partisë një apo dy emra, nuk i trembet më sfidave si dy vjet më parë, përballja alla “dikur Rama”me Blendi Fevziun ishte një prej tyre.

Por ndoshta, mungesa e një kimisti mes këshilltarëve të vet, që t’i shpjegojë se sa më i fortë hekuri, aq më i thyeshëm bëhet, po e çon kryesocialistin në pastrimin e “elementëve” forcues. Vizioni i tij për një parti moderne, të re, energjike, europiane, është i duartrokitshëm. Por mijëra sy e vesh, që u rreh zemra majtas, janë të vëmendshëm vetëm në një datë, 23 qershor 2013.

Aty luhen fatet e shumë prej tyre. Madje aty luhet fati edhe i partisë së re moderne socialiste. Triumfi i jep të drejtën Ramës të ndërrojë çdo lloj ngjyre, e të heqë çdo lloj ndryshku në PS, e ta zëvendësojë me këdo kërpudhë që përfiton nga shiu. Por  një humbje… kushton shumë. Se sa, askush nuk mund ta thotë sot. Socialistët tmerrohen ta mendojnë…

Përballë ka një lojtar të vjetër, që nuk shëmbëllen me një pemë të tharë, por me një but me verë. Që deh jo vetëm të vetët, por edhe kundërshtarët. Ta kthesh për të gjithë në uthull, është e pamundur, mision sa arrogant, aq edhe harxhues në energji. Këtë mësim Rama duket se e ka kuptuar katër vjet më parë. Dhe sot, si një Murinjo që i dhemb ende faqja nga “manita” e Barcelonës, nuk hidhet më në sulm qorrazi, por kontrollon me kujdes fillimisht zonën e tij.

Politika është lojë, pavarësisht se luhet mbi kurriz të njerëzve. Ndonjëherë është edhe tërheqje me litar, lëshon pak sa për të gënjyer kundërshtarët dhe më pas tërheq me gjithë fuqinë për t’i rrëzuar, duke fituar. Këtë Rama e ka kuptuar. Dhe është në tre muajt e tërheqjes. Ndoshta kundërshtari nga krahu tjetër po bën të njëjtën lojë, por…ky është edhe rreziku. Një rrezik që Rama e ka marrë në sy dhe po e përballon.

Mbase me shumë entuziazëm, jo me eufori si katër vjet më parë, por gjithsesi edhe entuziazmi I tepruar të çon në pakujdesi. Përballë mund të ketë një kundërshtar që shfaqet paksa i lodhur…Tregojnë për një kafshë deti që bën si e ngordhur, të tjerat përfitojnë të kafshojnë nga mishi i saj, por në fund ajo çohet dhe i përpin të gjitha.

Sot Rama është ndërgjegjësuar se nuk ka  përballë një Fatos që tërhiqet i lodhur, por një Sali, kafshë politike, gjenial deri në vogëlsira. Kjo vetëdije nuk e ka lënë të parin e socialistëve të flejë mbi dafina, gabim I tmerrshëm 48 muaj më parë. Po vepron mirë. Deri diku. Nuk po e lë kundërshtarin të bëjë shoë në çdo dalje, por po e shoqëron me kundërakuza, e me plot ironi e sarkazmë.

Pa u lodhur të harxhojë kohën e gazetarëve, e pa u kujdesur për veshjen…mjafton Facebook dhe Tëitter. Një e bërë politikë kjo e panjohur mes shqiptarëve, por gjithsesi e ndjekur, madje edhe e kopjuar.  Një skemë e re kjo, të lodhësh kundërshtarin, ta pickosh kudo nga pak, ta nervozosh…

Nuk janë më ato përballjet mes gjigandëve, të cilën e pretendoi dikur edhe vetë Rama, por strategji alla Kastriot, kafsho pak dhe largohu pa humbje, për të dalë diku tjetër. E vërtetë është se “ushtria” e Ramës, është më e madhe, por ka shumë “gjeneralë”, ose të paktën ka pasur shumë...Pikërisht kjo pikë e dobët e ka çuar Ramën në ekstrem.

Po e lë “ushtrinë” pa “gjeneralë”, duke i marrë vetë përsipër të gjitha skemat, krahëmarrjet, përdredhoret, harqet, e edhe tunelet e fshehta. Një ndërrmarrje e vështirë? 23 qershori do ta tregojë...Një fundpranverë dyshimtare, e ankthshme dhe e panjohur. Nëse kundërshtari i tij luan “për qejf” për të hyrë në histori, Rama luan me “jetën politike”. Sërish mund të jetë kryetar, por...

Rama është në betejën e tij të vërtetë. Personale. Nuk është përballje me kioskat e parkut Rinia e përgjatë Lanës, duartrokitje për Ramën. Nuk është përballje për të marrë “kalanë” e Fatos Nanos, sërish duartrokitje për Ramën. Nuk është përballje për ta palosur PS e për ta futur në xhep, fishkëllima për Ramën...por që me një deputet më shumë se PD kthehen në duartrokitje.

Kjo e fundgjysmës së parë të 2013 është beteja për kthimin e një faqeje nga romani “Shqipëria...”. Një faqe që përshkruan 23 vjet, mundime, sakrifica, viktima pa fund, trazira, kurthe, varfëri, skamje, viza, viza, viza, NATO, Europë, krizë që s’po njeh fund. A është i përgatitur Rama të përballet dhe ta kthejë këtë faqe? A do ta kthejë këtë faqe, thjesht duke ngjyer gishtin tek buzët mekanikisht, apo vërtetë kjo faqe, aq e ngjashme me të gjitha faqet e historisë sonë, i jep fuqinë dhe forcën për ndryshim. Kjo është sfida e tij... Ashtu si tre vjeccari i parë në krye të Tiranës.

Një sfidë që realisht nuk do të jetë vetëm kundër “të zezave” të kundërshtarit. Do t’i duhet të ecë në asfaltin e ri të rrugëve të shtruara nga ky kundërshtar, do t’i duhet të takojë biznese të maturuara nga ky kundërshtar, do t’i duhet të takojë me mijëra njerëz që jetojnë nga politikat ekonomike të këtij kundërshtari...Nuk është një rrugë e shtruar me dafina. E as e drejtë. Eshtë një malore, me shumë kthesa e plot kurthe mes tyre.

Rama ka mësuar shpejt të jetë një shofer i mirë, por jo një nuhatës i mirë kurthesh. Megjithatë sot, degët që i mbështillen ndonjëherë nëpër këmbë dhe dikur kërkonte t’i priste me një të rënë të sëpatës së famshme, ka nisur t’i mbledhë për t’i futur në shportën e tij. Çfarë rëndësie ka nëse bëhen bashkë luleshqerrat me ferrat. Kjo është politika shqiptare. E derisa të vijë koha, për ta ndryshuar totalisht atë, sipas stilit të tij, do të përshtatet. Ashtu si u përshtat me gjithçka tjetër...Edhe tre muaj.

Rama nuk është një socialist “safi”. Eshtë kryetari i saj, por jo një bir i saj. Ku me hir, e ku me pahir, ia ka dalë të imponohet. Por, pikërisht në vigjilje të sprovës së madhe, kërkon të bëjë revolucion, kthimin e PS-së tradicionale në një PS elektorale, duke transfuzuar të tjerë jobij natyralë, e duke e bërë këtë fakt të kryer.

“Përgjegjësia është e imja”, thotë pa zë Rama. Një përgjegjësi që i ngjan pikë për pikë homologut në kampin kundërshtar. Vetëm se Rama di të punojë me pamjen, e kundërshtari është mjeshtër i zërit. Problemi i pazgjithshëm qëndron nëse shqiptarët janë më shumë të verbër, apo më tepër të shurdhër, ose nëse e shikojmë nga gjysma plot; a shohin më mirë, apo dëgjojnë më mirë.

Kontrastet në këto muaj janë kaq të forta. Dhe një piktor, më shumë i njohur për fjalën dhe penën se për penelin, ka ditur t’ju japë rezolucion edhe më të fortë. Aferim (turqisht, të lumtë në shqip). Nëse diku përmendet dyfishimi i rrogave, reagimi është trefishimi i çmimeve, nëse përmendet fortë rritja ekonomike, tre socialistë në seli dhe dy gazetarë në televizione japin vuajtje migjeniane në vise të humbura shqiptare, nëse përmendet interneti në shkolla, i bashkangjitet brenda pak minutash rrënojat që në fshatin “aksh” e quajnë shkollë. Ndoshta Rama ka hyrë në psikologjinë shqiptare që anon jo pak nga “e zeza”.

A do të “rilindë” Shqipëria pas 23 qershorit? Rama thotë se po. Nuk ka më Naim, Jeronim, Çajup, Gavril, Ndre, Asdren, madje edhe një Preç Zogaj çdo ditë po shton pikëpyetjet e mënjanimit të tij, megjithatë Rama nuk heziton për asnjë çast të zgjerojë skuadrën rilindase. Rilindas që flasin për taksën progresive...Eshtë sfida e Edi Ramës.

Shkrimi u botua në gazetën Shqiptarja.com (print) 24.03.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

‘Tirana po ecën me shpejtësi të jashtëzakonshme’, Veliaj për protestën e opozitës: Dogjën një monument kulture, akt jo patriotik

‘Tirana po ecën me shpejtësi të jashtëzakonshme’, Veliaj për protestën e opozitës: Dogjën një monument kulture, akt jo patriotik