Portret zgjedhor pa autorizim:
Rrënjët e thella të Gramoz Ruçit

Portret zgjedhor pa autorizim:<br />Rrënjët e thella të Gramoz Ruçit
Ai i ngjan shumë një rrapi. Hijerëndë e hijeshumë, i rrudhur, i stërmadh. Duket sikur me një hapje krahësh mund të përfshijë një parti të madhe si ajo socialiste. Të shumta janë erërat që kanë kaluar mbi trupin e Gramoz Ruçit, erërat politike, por përveç ndonjë gjetheje, nuk kanë mundur t’i lëvizin asgjë.

Gramoz Ruçi mund të quhet pa frikë damari lidhës i Partisë Socialiste. Ai që mban shtrënguar “ata poshtë” me “ata lartë”. Një tërheqje taktike në këta tetë vjetët me kryetarin e ri, apo një shmangie teknike, nuk ia zbehin fuqinë Ruçit. Eshtë po ai. Militant kur duhet, politikan kur nevojitet, i ashpër përherë.

Mund të takojë me të njëjtin përgjërim një halleshumë nga Kukësi, apo një nevojtar nga Tepelena. Mund t’i kthejë mendjen me tre fjali një kokëshkreti nga Labëria, apo një qeleshbardhi nga Malësia e Madhe. Fuqia e tij nuk nis nga lartë, nga kostumi, nga makina, apo nga ora “Rolex”. Por edhe nga mënyra se si e pi një gotë raki, në një barakë me xhama të thyer.
 
Për një kohë të gjatë mund ta quaje pa frikë “eminenca gri” e Partisë Socialiste. Ishte, apo nuk ishte Fatosi, aty kishte gjithmonë një Gramoz. Debatonte, apo jo Nano me Metën, aty ishte gjithmonë një Ruç. Kërkonte një Ramë për t’u ngjitur lart, duhej Gramozi. Partia Socialiste “shqyhej” shumë nga debatet, thërritej Ruçi.

Ai dinte të mjekonte plagët, por edhe të bëhej guri i rëndë, ku do të anonte peshorja. Nëse “mërzitet” Gramozi e ke davanë e humbur. Një Fushe rozë, që ka pranuar ba bëzajtur t’i ndërrojnë ngjyrën e zemrës?! Apo tashmë e ka kuptuar se partia e tij ka nevojë edhe për makjazh?

Ai nuk hyn kurrë në debate brenda partisë. Publikisht. Asnjëherë nuk është bërë palë e dukshme. Ai rri atje në hije, duke u bërë hije të gjithëve, duke llogaritur, duke marrë mendime, duke thithur opinione, jo nga “ata lartë”, por “nga ata poshtë” për të nxjerrë më të mirën e partisë së tij.

Ruçi nuk ka qenë në kaq vite në krahun e humbësit. Pragmatist?! Ndoshta edhe kjo, por më shumë pragmatistë janë treguar të tjerët kundrejt tij. Atij i mjaftojnë “ata poshtë”, që “ata lartë” të kërkojnë mbështetjen e tij. Dhe pasi pjek mendimin, ai vendos. Për njërin prej kundërshtarëve është vendim i lig, do të jetë humbësi.

Ata që sot janë 25 vjeçarë, mund edhe të mos e besojnë “efektin Ruçi”. Tetë vjet më parë, kur Partia Socialiste po humbiste pushtetin, askush nuk e besonte kryeministrin Fatos Nano, që predikonte një kalim të butë. Vetëm kur doli Gramoz Ruçi dhe pranoi humbjen, socialistët nisën “të qanin” pushtetin...

Tetë vjet më vonë, ai ka bërë të njëjtën lëvizje si i gjithë brezi i tij, si e gjithë PS-ja “e vjetër”. Më shumë ka heshtur, është mënjanuar, ka zgjedhur hijen, duke lënë rininë të kalitet në opozitë. Gabim?! Elektorati që i beson fjalës së Ruçit më shumë se fjalës së Nanos, është aty.

Ndonjëherë i çoroditur, ndonjëherë i vendosur, tërëherë i palëkundur, por me pikëpyetje të shumta. Lufta e brezave. Ata nuk janë mësuar me tëitter e facebook, si fëmijët e tyre. Nuk e njohin mirë laptopin dhe u vrasin sytë duart e buta që lëvizin me shpejtësi mbi tastierë. Ata duan kallo, “fjalë burrash”, këpucë me baltë, e dashuri, shumë dashuri.

A do të jetë sërish Gramozi, si dikur, që do të “mbathë” opingat për të shkuar fshat më fshat e lagje më lagje për të shpjeguar, për t’u mbushur mendjen labçe, se Shqipëria e re, kërkon ngjyra të reja, se pika e ujit mund të jetë e vogël, por ndodh që edhe të mbyt, se duhet t’i falin që për tetë vjet i kanë lënë në mëshirën e “kundërshtarit”, se Partia Socialiste po reformohet e se ata që shohin përditë në ekrane e që kanë zëvendësuar gardën e vjetër, nuk janë “çiliminj”, por e ardhmja...


Nuk diskutohet, Gramoz Ruçi e do Partinë Socialiste. Ka miq e shokë brenda saj. Një prej tyre është Bashkim Fino, dikur ministër, dikur “i goditur” me vezë nga Erjon Velia, sot shok në PS. Si ndihet Gramoz Ruçi?! Kur janë të gjithë së bashku në “tryezën ovale” të kryesisë së PS-së, goditës e të goditur, që sot janë bërë bashkë, a i kujtojnë vitet e shkuara, apo Berisha përballë, i ka detyruar t’u hedhin një tis harrese, ndoshta për t’i kujtuar kur të jenë në pushtet, siç e ka pasur zakon PS-ja?

Apo, si gjithmonë, Gramozi i ka sheshuar mosmarrëveshjet, i ka lëmuar divergjencat, ia ka bërë më të tatëpjetë, këtë të përpjetë Edi Ramës, duke i shërbyer sërish vetëm një ideali? Gramozi nuk flet. As me mimikë. Të brendshmet e partisë nuk dalin në pazar, megjithëse disa herë ish-sekretari i përgjithshëm, sot kryetari i asamblesë, nuk ka arritur ta mbrojë këtë “postulat”. Në të famshmen KPD, ai shihte i vrerosur se si partia e tij ishte fare lakuriq para të gjithëve, dhe nuk mundi dot t’i hidhte qoftë edhe një pëlhurë përsipër...

Janë të paktë ata që vënë qetësi në sallën e Kuvendit kur çohen. Ai është një prej tyre. Ka vetëm një shënjestër, Sali Berishën, rrallëherë edhe Jozefina Topallin, por si një “don”, nuk merret shumë me femrat. Me Berishën. Me kundërshtarin -armik prej 23 vjetësh, më shumë se të gjithë. Që nga koha kur për pak muaj ishte ministër i brendshëm.

Që nga akuzat e llahtarshme për Shkodrën, e deri për ikjen në Greqi natën. Gramozi ka qëndruar. E dinte se po të binte, nuk do të rrëzohej vetëm ai, por një rrap me gjithë rrënjë... 16 vjet. Një herë në pozitë, e një herë në opozitë vazhdon përplasja mes tij e Berishës. Janë dy pemë me rrënjët thellë në partitë e tyre, e Berisha e di këtë, ashtu siç e di edhe Gramozi. Ashtu si të dy e dinë, se asnjë nuk do të dalë i fituar...

Gramozi është në Fier. E ka lënë Tepelenën e tij. Nuk ka më përplasje ballë për ballë. Nuk ka më mazhoritar. Ndoshta është koha edhe për pak qetësi. Ka dhënë kaq shumë për PS-në, sa në mungesë të senatorëve të përjetshëm, mund të jetë deputet i përhershëm. Deri sa koha të bëjë të vetën edhe me këtë rrap politik...

Ndoshta nuk do të jetë në vijën e parë të betejës. Mund të jetë gati i padukshëm për mediat. Por rrënjët e tij do të jenë aty dhe jo vetëm në Fier, për t’i bërë edhe një tjetër shërbim partisë. T’i ngjallë trupin e drobitur. Gramozi nuk përpiqet të jetë i pari i shtëpisë, por thjesht...të jetë shtëpia.

Shkrimi u botua sot në gazetën shqiptarja.com (print) 09.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?



×

Lajmi i fundit

Momentet e fundit të Alma Arrazit, çfarë i tha kunatës pasi piu kafe me të?! Prokuroria: Tradhtia e burrit preku rëndë dinjitetin e saj

Momentet e fundit të Alma Arrazit, çfarë i tha kunatës pasi piu kafe me të?! Prokuroria: Tradhtia e burrit preku rëndë dinjitetin e saj