PRISHTINË - Një ekip i postierëve të Postës së Kosovës ka marrë pjesë në garën ballkanike "Ecja e shpejtë" që është mbajtur në Turqi. Kjo është një garë sportive që organizohet çdo vit mes kompanive publike postare të shteteve të Ballkanit.
Sipas KosovaPress, ekipi i postierëve të Postës së Kosovës ka ndarë vendin e tretë me ekipin e postierëve nga Bosnja dhe Hercegovina.
Sipas një njoftimi nga Posta e Kosovës, kjo ngjarje sportive ka për qëllim edhe rritjen e bashkëpunimit dhe miqësisë mes kompanive postare të rajonit.
Udhëheqës të kompanive postare kanë biseduar për sfidat me të cilat përballet shërbimi postar në shtetet e Ballkanit, në kohën e zhvillimit të hovshëm teknologjik të komunikimit.
Kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të Postës së Kosovës, Halit Isufi dhe kryeshefi Ekzekutiv Sejdi Hoxha kanë zhvilluar takime me homologët e tyre dhe zyrtarë tjerë të ndërmarrjeve postare të shteteve të rajonit.
Në garën "Ecja e shpejtë" kanë marrë pjesë shtatë shtete: Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Rumania dhe Turqia si mikpritëse dhe organizatore e garës.
Ekipi nga Turqia ka fituar vendin e parë, ndërkaq ekipi nga Posta Shqiptare vendin e dytë./ATSH/