Gjatë prezantimit, Bode tha se vendi ka njohur rritje ekonomike gjatë viteve të fundit dhe - pa përjashtim - rritje njohu dhe viti 2011. Sipas tij, ekonomia jonë ka ndjerë presionet më të thella të krizës së rruzullit dhe, pavarësisht këtij presioni, ajo ka ruajtur parametrat në nivele të kënaqshme. "Ekonomia shqiptare gjatë viteve 2009-2011 u rrit me mbi 3 për qind", tha ai. Edhe në këtë rast, nga ministri i Financave nuk përmendet më ritmi "dyshifror", i pretenduar nga Berisha për vitet ne fjalë. "Në tremujorin e parë të 2011-ës kemi një rritje ekonomike 3.4 për qind. Rritja ekonomike në fund të vitit 2011 parashikohet të jetë 4 për qind", shtoi Bode.
SHKURTIMET
Projektbuxheti që po sillet në Kuvend parashikon ulje të ndjeshme në të gjithë sektorët e jetës, që financohen me para publike. Kjo, për të ndikuar në uljen sadopak të raportit të deficitit buxhetor me Prodhimin e Brendshëm Bruto, që parashikohet të shkojë në nivelin 3 për qind vitin e ardshëm. Pak vite më parë, ky parametër kaloi shifrën e shtatë përqindëshit, pas borxheve të marra masivisht për realizimin e projekteve të kushtueshme infrastrukturore dhe blerjen me çdo çmim të energjisë elektrike të munguar me para të shtetit.
Për të burgosurit, fondet parashikohet të ulen nga 4.2 në 4 miliardë lekë, me një diferencë prej 4 përqindësh më pak. Vetë programi i ndërtimit të rrjetit nacional të rrugëve është paraqitur me 20 për qind ulje, ndërkohë që për Policinë e Shtetit janë ulur në masën dy për qind fondet në dispozicion, administrata gjyqësore do të ketë 1.5 miliardë lekë më pak, etj.
Në dispozicion të kompensimit të ish-pronarëve, qeveria shqiptare parashikon të verë një shifër më të ulët se këtë vit. Në rast se, për 2011-ën parashikohen fonde në masën 2 miliardë lekë për këtë qëllim, 2012-a duhet të përjetojë një kuotë më të ulët: 1.8 miliardë lekë, që përbën ulje në masën 10 për qind. Në fakt, shteti do të japë vetëm 300 milionë lekë, pasi është parashikuar që të ardhurat nga legalizimet të jenë në masën 1.5 miliardë lekë. Por nuk do ta ketë këtë fat kategoria tjetër sociale, që pret prej vitesh korrigjimin, të paktën financiar, të padrejtësive të bëra nga regjimet e mëparshme, ajo e ish-të përndjekurve politikë. Në drejtim të saj nuk ka të ardhura të posaçme, kështu që, nga dy miliardë lekë, vitin e ardhshëm kuota e tyre zbret në 1.7 miliardë lekë, me një ulje në masën 15 për qind.
Në shumicën e rasteve, në të gjithë sektorët e ekonomisë e ato sociale, duket se është rënë dakord paraprakisht nga ana e qeverisë për të bërë shkurtime në një mesatare nga 4 deri në 6 për qind. Vetëm Prokuroria ka një shifër rritjeje minimale, rreth 40 milionë lekë më shumë se sivjet, ndërkohë që Shërbimi Informativ Shtetëror ka ulje buxheti në masën dy për qind dhe administrata gjyqësore do të marrë tre për qind më pak fonde së vitin në vazhdim.
GATI SHKURTIME PERSONELI
Sipas shifrave të projektbuxhetit, në sistemin e ministrisë së Mbrojtjes do të suprimohen vitin e ardshëm 735 vende pune. Në të njejtën kohë, në sistemin e arsimit publik, nga 39.028 punonjës, do të mbeten 38.901, pra do të bëhen 127 shkurtime. Afro 60 shkurtime personeli do të ketë edhe në shërbimin diplomatik, ndërkohë që ministrisë së Brendshme do t'i shtohen afro 200 punonjës. Sipas projektigjit, numri i përgjithshëm i punonjësve në organikë do të jetë 88.640 veta në shkallë vendi. Këshilli i Ministrave përcakton numrin maksimal të punonjësve me kontratë të përkohshme për çdo ministri dhe institucion qendror. Fondi i veçantq i institucioneve buxhetore prej 1.93 miliardë lekësh do të shpërndahet dhe do të përdoret me miratim të ministrit të Financave dhe sipas procedurave që përcaktohen me udhëzim të tij, thuhet më tej në projektligjin e paraqitur nga qeveria na Kuvend.
Lidhur me bashkitë e komunat, aty theksohet se për vitin 2012 nuk do të miratohet asnjë ndryshim në strukturat organike të njësive të qeverisjes qendrore me efekte financiare shtesë në koston e personelit të përllogaritur sipas strukturës së miratuar, me përjashtim të institucioneve të reja të krijuara me ligj. Paga minimale, për efekt të pagesës së kontributit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, përcaktohet nga Këshilli i Ministrave dhe ndryshon sa herë që rriten pagat dhe pensionet.
(shqiptarja.com)