Pranga Naser Kelmendit, në
listën e zezë SHBA për trafik droge

Pranga Naser Kelmendit, në <br />listën e zezë SHBA për trafik droge
PEJE- Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës kanë arrestuar Naser Kelmendin, i konsideruar si njëri prej bosëve të drogës në Ballkan dhe Evropë. Për amerikanët, Kelmendi është quajtur "njeriu më i rrezikshëm në Evropë". Naser Kelmendi gjendej në listën e zezë të vetë presidentit amerikan, Barack Obama dhe në këtë listë është në krah liderit të kartelës meksikane të drogës, Hoze Antonio Sota Gastemula dhe të tregtarit afgan, Sajed Vazir Shah. Ai u arrestua të enjten në Pejë, pasi vinte prej Malit të Zi. 

SI U ARRESTUA
I shoqëruar nga shumë forca, Kelmendi është sjellë në stacionin “Qendra” në Prishtinë rreth orës 19:30, njofton sot “Koha Ditore”. Burime nga policia e Kosovës i kanë thënë “Kohës Ditore” se Kelmendi është arrestuar të enjten në Pejë dhe është shoqëruar në Prishtinë, ku është marrë në pyetje disa orë. Ai i ka thënë policisë se nuk është Naser Kelmendi, duke u përpjekur ta fshehë identitetin.

“Sapo është sjellë në stacion ka mohuar se është Naser Kelmendi, duke thënë se kanë arrestuar njeriun e gabuar. Por policia e di fare mirë se kë ka arrestuar”, ka thënë një zyrtar policor në kushte anonimiteti. Zëdhënësi i policisë, Baki Kelani, ka thënë të enjten rreth orës 21:00, se zyra për media nuk ka informacion deri në atë kohë se është arrestuar Kelmendi. Shefi i Zyrës për marrëdhënie ndërkombëtare në policinë e Kosovës, Veton Elshani, nuk ka dashur të flasë. Naser Kelmendi ndodhet në Kosovë prej javës së kaluar. Ai kishte ikur nga Sarajevë për shkak të një aksioni të policisë së atjeshme për kapjen e tij. Kishte kaluar në Mal të Zi dhe pastaj në Pejë, ku ka qëndruar për më shumë se një javë. Ndaj tij nuk ka pasur urdhër-arrestim ndërkombëtar. Për këtë arsye policia nuk e ka arrestuar deri tani.

NË LISTËN E ZEZE TË BARACK OBAMËS
Është futur muaj më parë në listën e zezë të presidentit amerikan, Barack Obama. Ai gjendet në listë krah liderit të kartelës meksikane të drogës, Hoze Antonio Sota Gastemula dhe të tregtarit afgan, Sajed Vazir Shah. Amerikanët e kanë konsideruar si njeriun më të rrezikshëm në Evropë për interesat e tyre.

Banka Federale e Shteteve të Bashkuara ka kërkuar ngrirjen e të gjitha aseteve të tij në Mal të Zi. Kërkesa është dërguar përmes Interpolit, ndërsa vendimin formal për fillimin e ngrirjes do ta sjellë komisioni i Bashkimit Evropian. Kelmendi të enjten nuk ka qenë i kërkuar nga Interpoli. Emri i tij nuk ka figuruar në faqen zyrtare në internet të policisë ndërkombëtare. Deri të premten për të nuk ka pasur urdhër-arresti të mbërritur në Kosovë.

Policia e Bosnjës ka nisur një aksion për të arrestuar dhjetëra persona që merreshin me krim të organizuar. Aksioni i koduar me emrin “Lutka”, ka rezultuar me prangosjen e rreth 25 personave, të cilët janë arrestuar në bazë të kërkesës së prokurorisë. Aksioni është kryer në tërë territorin e Bosnjës. Mediat boshnjake dhe ato të Malit të Zi kanë raportuar se qëllimi kryesor ka qenë arrestimi i Naser Kelmendit. Me origjinë nga Peja, Kelmendi për mediat është i njohur si biznesmen kontrovers dhe i cilësuar shpesh edhe si një nga narko-bosët më të mëdhenj.

Një nga lokacionet e kontrolluara nga policia ka qenë “Casa Grande” në pronësi të Naser Kelmendit. Policia ka deklaruar se ai megjithatë është larguar për në Mal të Zi. Por, policia e ka mohuar që ai është në territorin e Republikës së Malit të Zi.

BIOGRAFIA E NASER KELEMENDIT

Naser Kelmendi, 55-vjeçar, qytetar i Kosovës, i lindur në Sarajevë të Bosnjës dhe Hercegovinës (BH) sipas Departamentit të Thesarit, dyshohet se ka udhëhequr njërën nga familjet më të forta kriminale shqiptare në Ballkan. Ka kohë që ai është i dyshuar për drejtimin e një organizate të madhe, që merret me trafikimin e heroinës, kokainës dhe anhidridit acetik, një lëndë e parë që përdoret në prodhimin e heroinës dhe në Evropë transportohet nëpërmjet Ballkanit. Naser Kelmendi, djemtë e tij Elvisi, Liridoni dhe Besniku, si dhe vëllai i tij Beqiri, thuhet se zotërojnë një numër të bizneseve në Bosnjë, Mal të Zi, Serbi dhe Kosovë, duke përfshirë hotele dhe një kompani kamionësh.

(ma/shqiptarja.com)
Redaksia Online

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Hamasi-Izraeli fajësojnë njëri-tjetrin për mosarritjen e një marrëveshjeje armëpushimi

Hamasi-Izraeli fajësojnë njëri-tjetrin për mosarritjen e një marrëveshjeje armëpushimi