Telefonata e parë
Për të arritur deri tek darka e famshme ishin dashur shumë muaj tratativa në distancë. Përplasjet dhe akuzat politike kishin shkuar shumë larg dhe mbi të gjitha kishte një krizë të madhe besimi të ndërsjelltë. Por, tashmë Rama e kishte kuptuar se pa Ilir Metën rrezikonte të mbetej sërish në opozitë, ndërsa kryetari i LSI kishte filluar të besonte qartësisht se bashkëqeverisja me Berishën nuk mund të ishte një lëvizje taktike afatgjatë. Arsyeja u thoshte të dyve se duhet të bashkoheshin, por ndërkohë kishte një mal me emicione për t’u dominuar. Dy ditë para se Rama të merrte rrugën e Gjirit të Lalëzit i telefonoi Nard Kokës: “Dua të marrë në telefon Metën, i thuaj që të më përgjigjet, kam shumë gjëra për të thënë”. Pak çaste më vonë biseda u zhvillua. Të dy ranë dakort të takoheshin, të bisedonin gjatë. Kështu filloi të ngjizej takimi mes dy protagonistëve të së majtës, takim për të cilin dhe deri në mes të muajit maj nuk dinte asnjë prej bashkëpunëtorëve të tyre.
Ndjesa
Në atë periudhë, në qarqe të së majtës disa vetë bënin humor për sherrnajën PS-LSI, duke e krahasuar me grindjet mes dy grupeve komuniste shqiptare para nëntorit 1941. Dhe roli i “Dushan Mugoshës”, të dërguarit të Kominternit që uli bashkë krerët komunistë, ju besua biznesmenit durrsak, vëllait të deputetit të atëhershëm të LSI dhe ministrit aktual të Mjedisit, Lefter Koka, Leonardit. Pas nisjes nga Tirana, makina e Kokës ka mbërritur para vilës së Metës 45 minuta më vonë. Kryetari i LSI ishte krejt i vetëm në shtëpi. Zonja Kryemadhi kishte përgatitur darkën dhe ishte kthyer në Tiranë. Nuk donte ta takonte Ramën. Makina është parkuar ngjitur me derën e jashtme për të shmangur shikimin e ndonjë kalimtari të rastishëm. Shtrëngimi i duarve ishte i ftohtë.
Të ulur në një tavolinë të gjatë ngrënieje, Meta dhe Rama, gjatë çasteve të para shmangnin të shikonin njëri tjetrin në sy. I pari e mori fjalën Rama. “Më lër të flas dhjetë minuta pa më ndërprerë”, ju drejtua Metës. Ka folur për më shumë se 20 minuta. I kërkoi ndjesë për shumë gjëra që kishin ndodhur dhe për të cilat Rama ishte i bindur se pjesa më e madhe e fajit ishte e tij. Ndjesa filloi me shkakun e parë të grindjeve që pasuan sherrin e tyre pas zgjedhjeve të vitit 2007, kur dhe me mbështetjen e LSI, Rama u zgjodh kryetar i Bashkisë. “Duhet të kisha mbajtur premtimin që posti i nënkryetarit të Bashkisë i takonte LSI”, tha Rama. Pasi Rama mbaroi anaforën e ndjesës së tij, Meta e mbylli diskutimin me një: “Të shkuara, të harruara”.
Oferta dhe Nano
Darka po zhvillohej në një kontekst të fortë politik. Bamir Topit po i skadonte mandati presidentit, ndërkohë që gjithë klasa politike ishte përfshirë në debate se kush do zgjidhej kryetari i ardhshëm i shtetit. “Zgjidhu ti president, ke dhe konsensusin e PS-së”, i tha Rama Metës. Por ,kreu i LSI e refuzoi ofertën. “Me Nano figurën çfarë do bëhet? Këta të PD nuk e duan, ju keni ndërmend ta propozoni”, ka pyetur Meta. “Nuk i kam premtuar asgjë, nëse Berisha të cilit i ka shërbyer këto vite është kundër, unë nuk kam mundësi të imponohem”, ka thënë Rama. Përmendja e emrit të Nanos e futi bisedën në një hulli, ku të dy e ndjenë veten të shtendosur dhe filluan të shikojnë njëri-tjetrin me nënqeshje. Duke pirë verë me një levrek të egër filluan të bëjnë batuta dhe të kujtojnë ngjarje kur të dy ishin në Partinë Socialiste. Orët e para kaluan vetëm me humor.
Bashkimi
Pak pasi kaloi mesnata Rama pyet: “A e vendose, çfarë do bësh?” “Do bashkojmë të majtën”, ju përgjigj Meta. Më pas ai i tha se duhet të shkonin bashkë në zgjedhjet që zhvilloheshin verën e vitit tjetër. “Përse nuk del nga qeveria, e rrëzojmë që nesër”, ndërhyri Rama. “Nuk jam i sigurt nëse votat janë të mjaftueshme, por dhe duhet të zbatoj marrëveshjen. Dy muaj para zgjedhjeve shpallim koalicionin”, tha Meta. Rama pranoi në heshtje.
Pika më delikate e bisedës pritej të ishte se kush do ishte kryeministri i qeverisë së majtë. Por, Meta i preu drutë shkurt. “Ti do jesh kryeministri”, ndërsa unë kryetari i Kuvendit”, i ofroi Ramës kryetari i LSI. Rama reagoi menjëherë: “Do qeverisim bashkë”. Të dy ranë dakort se ndarja e portofoleve do bëhet sipas rezultatit të zgjedhjeve. Humori u kthye sërish, ndërkohë që shishet e verës hapeshin njëra pas tjetrës duke vazhduar të bëjnë batuta dhe me Kokën deri në orën tre të mëngjesit. Rama është ngritur i lumtur, kanë shtrënguar duart me njëri-tjetrin dhe u nis drejt Tiranës me të njëjtën makinë që kishte ardhur. Dy muaj më pas janë bashkuar sërish në një darkë të gjatë në shtëpinë e Koço Kokëdhimës.
Shkrimi u publikua sot 1 maj 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com)