115 kilometrat e rrugës Milot-Fier që pritet të jepen me koncesion pjesë e “Korridorit Adriatiko-Jonian”, do të kenë koston më të lartë buxhetore për vitin 2021.

Koncesioni që pritet të aktivizohet vitin që vjen ka një vlerë totale të parashikuar në relacionin e projektbuxhetit mbi 178 miliardë lekë ose 1,4 miliardë euro. Për këtë vepër është hapur tenderi në muajin korrik, rruga do të jetë me pagesë por që do të ketë edhe rrugë alternative pa kosto për qytetarët.

Ndërkohë koncesioni i dytë më i kushtueshëm është kontrata për dhënien me koncesion për mbikëqyrjen e Qendrave të Kontrollit Teknik të Mjeteve rrugore me vlerë 20.2 miliardë lekë. Kontrolli teknik i mjeteve aktualisht është monopol, dhe ky shërbim ofrohet nga një kompani, por që me premtimin e qeverisë pritet të ndryshojë në vitin e ardhshëm. Kjo kontratë ende nuk është shpallur për tenderim.Koncesioni i tretë më i shtrenjtë i vitit 2021 do të jetë Aeroporti i Vlorës, për të cilin tenderi ndërkombëtar është hapur por që ka mbetur i bllokuar si pasojë e pandemisë. Ky koncesion do të kushtojnë 12 miliardë lekë, ndërsa tenderi pritet të rihapet aty ku është mbyllur brenda këtij viti. Pas këtij projekti renditet koncesioni i rritjes së sigurisë rrugore me vlerë 5 miliardë lekë, pasi ky aspekt është një nga prioritetet e Ministrisë së Infrastrukturës.

Projekti i tjetër është shërbimi i infrastrukturës së çelësave publik PKI me vlerë 208 milionë lekë si dhe koncesioni për përmirësimin e infrastrukturës rekreative në qytetin e Elbasanit me vlerë prej 882 milionë lekë. Të gjitha këto projektet që aktivizohen vitin 2021 kanë një vlerë totale prej 217,5 miliardë lekëve ose më shumë se 1,7 miliardë euro. Ndërkohë në total vlera e të gjitha PPP/Koncesioneve aktive përfshirë dhe ato të vitit të ardhshëm është 838,1 ose rreth 49.8% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.