Pr/buxheti 2024, PD: Ulje drastike e financimit në arsim! Qeveria nuk mbajti zotimin e dhënë në mandatin e parë

Partia Demokratike ka akuzuar qeverinë për mosmbajtjen e premtimit për rritjen e buxhetit për arsimin. Në një deklaratë për mediat, deputetja Eralda Tase Bano tha se mazhoranca po nxiton të miratojë projektbuxhetin e vitit 2024 pasi sipas saj, ka një ulje drastike të shifrave të financimit për sektorin e arsimit.

Deputetja solli në kujtesë zotimin e qeverisë që në mandatin e parë për financim prej 5 të GDP për sektorin e arsimit, duke thënë se në vitin që vjen 2.3% e GDP do shkojë për arsimin.

“Shifrat e financimit në arsimin e lartë, mbështetja për studentët, pedagogët dhe kërkuesit shkencor ka qenë në nivele mjaft të ulëta. Ne jemi vendi më i varfër me koston më të lartë të studimeve në fushën e Mjekësisë që ka ndonjë universitet publik në Evropë”, u shpreh deputetja.

Ajo shtoi se në buxhet nuk thuhet sesa do të jetë rritja e pagave për pedagogët dhe nuk është përcaktuar kur do të kemi një kampus universitar.

“Nuk na thuhet në këtë buxhet sesa do të jetë rritja e pagave të pedagogëve? Nuk është pasqyruar në këtë buxhet, sesi do të bëhet kontrolli i plagjiaturave i premtuar dhe programuar që në 2018, me “Paktin për Universitetin”, kur do të kemi së paku një kampus universitar, sa laboratorë e biblioteka do të jenë në shërbim të pedagogëve, studentëve dhe kërkuesve shkencorë?”, vijoi ajo.

Deklarata e plotë

Nxitim i marrë i mazhorancës për të kaluar projekt-buxhetin e vitit 2024. Ky projekt-buxhet ka ardhur njëlloj i shkruar, si ai vitit të shkuar por me ulje drastike të shifrave të financimit në sektorin e arsimit. Ja vlen të ripërsërimim zotimin e marrë nga qeveria që në mandatin e parë të saj, për një financim prej 5% të GDP, për sektorin e arsimit, e cila nuk është arritur kurrë. Ndërsa në vitin 2024, në tërësi sektori i arsimit do të shkoj vetëm 2.3% të GDP

Shifrat e financimit në arsimin e lartë, mbështetja për studentët, pedagogët dhe kërkuesit shkencor ka qenë në nivele mjaft të ulëta. Ne jemi vendi më i varfër me koston më të lartë të studimeve në fushën e Mjekësisë që ka ndonjë universitet publik në Evropë. Po ju sjellim vetëm dy shembuj: Në Universitetin e Mynihut tarifa vjetore është 250 euro, ndërsa në Francë vetëm 128 euro.

Në këtë buxhet nuk na thuhet sesa do të jetë paketa mbështetëse e pretenduar për studentët e Mjekësisë dhe të programeve prioritare. Nuk na thuhet përse u ndryshuan rregullat për dhënien e pagës bazë për studentët e sipërpërmendur?

Nuk na thuhet në këtë buxhet sesa do të jetë rritja e pagave të pedagogëve? Nuk është pasqyruar në këtë buxhet, sesi do të bëhet kontrolli i plagjaturave i premtuar dhe programuar që në 2018, me “Paktin për Universitetin”, kur do të kemi së paku një kampus universitar, sa laboratorë e biblioteka do të jenë në shërbim të pedagogëve, studentëve dhe kërkuesve shkencor?

Pra janë një seri pyetjesh e shumë të tjera, që nuk marrin asnjë përgjigje, nga ky projekt – buxhet, që ka ardhur i shkruar keq, pa asnjë përgjegjësi dhe që shumë pak gjëra konkrete gjen, pasi pjesa më e madhe e zërave ngjajnë thjesht me fjali propogandistike, dhe jo një shpjegim konkret se çfarë synohet të arrihet, si do të arrihet dhe kosto konkrete që për të përmbushur qëllimet që ka një projekt-buxhet, në një sektor kaq jetik, siç është arsimi. Ndërsa qindra miliona futen në xhepin e oligarkëve dhe në thesin e PPP-ve, arsimi  mbetet sektori më i nënçmuar në financim.

Prandaj mund të themi me plotë  gojën që, ky është buxheti i mjerimit, shkatërrimit dhe denigrimit të plotë arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, pasi qeveria kurrë nuk e ka patur dhe nuk e ka arsimin sektor prioritar.

B.V/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë