Altin Jaku Prefekti i komanduar i Lezhës, i dyshuari kryesor për vjedhjen e 30 milionë lekëve nga një bankë e nivelit të dytë, dyshohet që planin e tij ta ketë finalizuar në bashkëpunim me dy personat që u zbrazi llogaritë bankare. 

Burime pranë Prokurorisë bëjnë me dije se pritet të thërrasin Prefektin dhe dy personat e tjerë për të dëshmuar. Ndërkohe Shqiptarja.com mëson se sot këshilli i Ministrave pritet të marrë vendimin për emerimin e Adrian Lekës, si Prefekt të ri të Lezhës. 

Propozimi i Adrian Lekës, i cili vjen nga radhët e Partisë Socialiste mesa duket ka gjetur konsensusin e Lëvizjes Socialistë për Integrim, aleatit kryesor në qeverisje. 

Prefektura e Lezhes prej 6 muajsh drejtohet nga nën prefekti, Altin Jaku i cili është komanduar dhe tashmë është nën hetim për vjedhje.

Kjo ka ndikuar në mbarëvatjen e punës në këtë institucion, teksa pritet të përshpejtojë vendimin e Ramës për të emëruar Adrian Lekën në krye të Prefekturës së Lezhës.

Prefektura e Lezhës prej kohësh nuk mbledh Shtabin e Emergjencave, teksa tashmë jemi në stinën e dimrit. Ulja e temperaturave dhe reshjet e dëborës në këtë qark shoqërohen me bllokimin e mjaft zonave krysisht në Mirditë e Kurbin.


Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)