Institucionet dhe Bashkia e Lezhës shfaqen inekzistente ndaj thirrjes së Ndue Murcaj, ish-i dënuari politik në Lezhë që jeton poshtë një ure. 66 vjeçari me probleme të shumta shëndetësore thirri në të gjitha mediat për ndihmë, por zëri i tij ra në veshë të shurdhër insituticonalë.

Tre ditë më parë, Murcaj u shpreh se kërkon pensionin pasi ka kryer 14 vite burg në kohën e komunizmit.

Me probleme të shumta shëndetësore, Ndue Murçaj e kalon natën në të ftohtë ndërsa ditën kërkon lëmoshë në rrugët e qytetit. Ai ka kryer 14 vite burg në kohën e komunizmit dhe mban statusin “ish-i dënuar politik”. Ka aplikuar prej dhjetorit 2022, por Instituti i Sigurimeve Shoqërore ende nuk i ka lidhur pension pleqërie dhe as dëmshpërblim për vitet e burgut. Drejtori Taulant Malshi tha se po pret konfirmim nga Autoriteti i Dosjeve.

“Kemi kërkuar konfirmim nëse qytetari Ndue Tom Murçaj ka qenë i dënuar politik dhe që mund të jetë përfitues nga ligji 7514 i vitit 1991 “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish të dënuarve dhe të përndjekurve politikë"apo nga ligji 24 i vitit 2018. Përsa kohë, qytetari nuk ka periudhën e vjetërsisë në punë dhe përsa kohë nuk kemi konfirmim zyrtar nga Autoriteti i Dosjeve për vitet e burgut, ne nuk mund të bëjmë përpunimin përfundimtar apo t’i japim pension”, u shpreh  Taulant Malshi drejtor i ISSH, Lezhë.

Ndërsa zyrtarë të Bashkisë së Lezhës jashtë kamerave thanë se do të përpiqen të gjejnë një azil për ish-të dënuarin politik, Ndue Murcaj, por ende pa një plan konkret.